Një ditë pas protestës së dështuar të Partisë Demokratike, ish-deputeti Ervin Salianji njofton foltoren e radhës me demokratët në Peshkopi, e cila do të mbahet nesër në 18:00. Me një mesazh drejtuar demokratëve se është koha për të çliruar partinë nga uzurpimi, Salianji thotë se këto dy ditë nuk ka folur për përjashtimet e Berishës me qëllim që të respektojë protestën.
Por ai thekson se sakrificat e demokratëve nuk e meritojnë degradimin e partisë, duke shtuar se me një lidership të ri dhe frymëzues sheshi dje do të ishte i tejmbushur. Ai e akuzon kryedemokratin Berisha se po e përdor partinë për interesa personale, duke shkruar se nuk ka shërbim më të madh për Edi Ramën se sa të vrasësh nervin opozitar.
“Nesër në 18:00 shihemi në Peshkopi, ish Kinemaja! Të çlirojmë Partinë Demokratike nga uzurpimi, të shpëtojmë Shqipërinë nga regjimi! Nuk kam folur këto 2 ditë për të respektuar protestën e demokratëve! Kam dhimbje të shoh efektet e përjashtimeve, mbylljes dhe uzurpimit të Partisë Demokratike. Sakrificat e demokratëve nuk e meritojnë këtë degradim.
Me një lidership të ri, të besueshëm dhe frymëzues, pas skandaleve të njëpasnjëshme të Edi Ramës, sheshi dje do të ishte i tejmbushur me qytetarë. Nuk ka shërbim më të madh për Ramën sesa të vrasësh nervin opozitar, të mbysësh shpresën dhe ta përdorësh partinë për interesa personale.
Demokratët nuk janë problem; problem është kush i ka lodhur, përjashtuar dhe zhgënjyer. Me garë demokratët do largonin kambalecin mbështetës të Ramës, me garë do fitoja! Si gjithmonë me demokratët”, shkruan Salianji.
Një mesazh të drejtpërdrejtë rezervoi për Berishën edhe me një tjetër reagim për Ditën e Europës, për të cilin shkruan se prej 36 vitesh po udhëheq një forcë politike në të cilën nuk respekton asnjë normë demokratike.
Sipas Salianjit, Partia Demokratike nuk mund të përfaqësojë pritshmërinë e shqiptarëve për integrim europian pa një frymë të re dhe pa ndryshim real në lidership.
“Dita e Europës nuk është thjesht një simbol, ajo është një thirrje për ndryshim. Partia Demokratike duhet ta përfaqësojë këtë pritshmëri të popullit shqiptar. Por këtë nuk mund ta bëjë kurrë duke pasur në krye të njëjtin lider prej 36 vitesh, që nuk respekton asnjë normë demokratike. Europa që ne besojmë është ajo e lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe vendimmarrjes nga qytetarët.
Këto janë parimet mbi të cilat ndërtohet familja politike europiane dhe që duhet të udhëheqin çdo forcë politike që synon të jetë pjesë e saj. Sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për një frymë të re dhe për një brez që beson në këto vlera dhe kërkon t’i kthejë ato në realitet. Ndryshimi nuk është vetëm një nevojë. Është një detyrim europian. Vetëm kështu PD bëhet fituese”, shkruan Salianji.
Ervin Salianji po vijon me foltoret e demokratëve, ndërsa Partia Demokratike nuk e lejoi të garojë përballë Sali Berishës në zgjedhjet për kreun e PD më 23 maj.
Komente











