Pas disa bisedave që kreu i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar online me komisionerë të Bashkimit Evropian, ka ardhur edhe reagimi i Kryeministrit.

Rama i quan ndërhyrje në fushatë elektorale nga ana e atyre që sipas tij paguhen nga  taksat e popujve të Evropës.

"Dikush në Bruksel duhet t'u thotë komisionerëve që harxhojnë kohën e punës së paguar nga taksat e popujve të Evropës, për të bërë videomuhabete elektorale me Lulëzim Bashën, se kjo quhet ndërhyrje në fushatën e brendshme elektorale të një vendi kandidat për në BE! Në dijeninë time Komisioni Evropian nuk e ka zakon të fusë hundët në fushatat elektorale dhe unë pres ta mësoj zyrtarisht e publikisht nga Brukseli, nëse e kam unë gabim e ndoshta komisionerët kanë vërtetë të drejtë të bëhen palë kur popujt e Evropës zgjedhin qeveritë e tyre", ka shkruar Rama.

Këtë reagim të Kryeministrit e ka nxitur një bisedë onlinë që kreu i PD-së, Lulzim Basha, zhvilloi me Komisioneren e BE-së për Edukimin, Inovacionin dhe Rininë,  Mariya Gabriel. Takimi ishte me përmbajtje elektorale pasi Basha prezantoi platformën e tij për arsimin online.  Basha u shpreh se platforma e PD do të përfshijë 5 gjuhë të huaja falas dhe trajnimin e dyfishtë profesional në 20 disiplina të ndryshme.

Kjo nuk është hera e parë që Basha i ka prezantuar programin e tij një zyrtari i Bashkimit Evropian. Para disa ditësh ai e bëri këtë me komisionerin e BE-së për Buxhetin, Johannes Hahn. Madje Basha mori nga ky i fundit edhe mbështetjen për planin për trajnimin e dyfishtë profesional.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:26
Eurokomisionerja quan 'tryezë të rrumbullakët për Shqipërinë' bisedën me Bashën

Ndërkohë që komisionerja e Bashkimit Evropian për Inovacionin, Kërkimin, Edukimin, Sportin dhe Rininë, Mariya Gabriel, në publikimin e fjalimit në faqen zyrtare të Komisionit Evropian shkruan se ka marrë pjesë në një tavolinë të rrumbullakët  për Shqipërinë.

Por eurokomisionerja, përfaqësuese e Bullgarisë në Komision Evropian, nuk e sqaron mirë pse e quan një tryezë të rrumbullakët për Shqipërinë, ku duhet të ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve për çështjen e diskutuar, një bisedë ku ka qenë vetëm ajo, Lulzim Basha dhe ekspertët e tij.

Postimi në faqen e Komisionit Evropian

 

Ora 14:15
Basha i përgjigjet Ramës: I habitshëm nervozizmi! Unë, PD dhe shqiptarët e kemi përcaktuar rrugën, është ajo drejt BE-së

1616405559_BASHA.jpg

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pasi kreu i qeverisë Edi Rama i quajti si ndërhyrje në fushatë takimet online të Bashës me eurokomisionerët. Basha nënvizon se i duket i habishtshëm ky reagim i Ramës, duke shtuar se ai dhe PD bashkë me shqiptarët janë të vendosur për të çuar vendin drejt BE-së.

‘I habitshëm nervozizmi i Rames. Unë, PD dhe shqiptarët e kemi përcaktuar rrugën tonë që në dhjetorin ‘90: ajo është rruga që të çon në Europë. Sot të gjithë e kuptojnë se pa u afruar me BE, Shqipëria nuk do të mund të bëjë përpara. Për 8 vjet, jo vetëm që Rama nuk bëri asgjë për ta afruar integrimin, por ai bëri hapa prapa. Unë jam i vendosur të bëj gjithçka për të ecur përpara me integrimin europian, për të sjellë ndryshimin e vërtetë, arsim cilësor dhe punësim dinjitoz për shqiptarët këtu në Shqipëri. Mirënjohje BE, KE për ndihmë e pakursyer që i kanë dhënë dhe do ti japin vendit tonë.’- shkruan Basha.