GJIROKASTER - Deputeti i PS për Gjirokastrën, Anastas Angjeli, ka falenderuar sot të gjithë votuesit që morën pjesë aktive në zgjedhjet e 23 qershorit të cilët besuan tek alternativa e PS. 

"I'u drejtohem qytetarëve të Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Libohovës, Memaliaj, Këlcyrës, zonës së Labërisë, minoritetit gjithë qytetarëve anekënd qarkut duke i falenderuar për votën ndaj PS dhe koalicionit të majtë që bëri të mundur fitoren e katër deputetëve në këtë qark duke na dhënë mbështetjen e plotë ekipit të Rilindjes,"- tha Angjeli.

"Falenderim dhe respekt për punën e tyre, për konsideratën e tyre, për vlerësimin e tyre, "- - shtoi ai. - "Gjithashtu dua të falenderoj strukturat e PS në të gjithë qarkun por veçanërisht në qytetin dhe rrethin e Gjirokastrës, të cilat u treguan të palodhura në një aksion të tillë kaq të madh politik siç ishin zgjedhjet e 23 qershorit, por edhe strukturat e tjera bashkëpunuese siç janë FRESSH apo FGS.

Njëkohësisht dua të falenderoj të gjithë elektoratin, i cili mbështeti masivisht PS dhe alternativën e Rilindjes ku u reflektua me rezultatin e thellë ku koalicioni i majtë mori katër mandate deputeti nga pesë që ka i gjithë qarku i Gjirokastrës."

Në veçanti, deputeti i sapozgjedhur falenderoi "intelektualët, miqtë, të cilët ndonëse të paangazhuar në PS, ndonëse në detyra dhe funksione të ndryshme, të ndrydhur nga pushteti tashmë të larguar, u treguan me të vërtetë shumë të hapur duke u bashkuar me lëvizjen e Rilindjes për fitoren e 23 qershorit."

Në përfundim, Angjeli theksoi "angazhimin personal dhe natyrisht të të gjithë forcës sonë politike, për mbajtjen e premtimeve që u deklaruan në fushatën elektorale jo si premtime elektorale për të tërhequr vota, por si alternativë e Rilindjes Socialiste për zhvillimin e vendit. Ky premtim është njëherësh edhe një angazhim personal imi, për të qenë siç e kam premtuar, në dispozicion të banorëve të rrethit dhe qytetit të Gjirokastrës, në shërbim të tyre."

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)