Thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, si në sektorin e energjisë, tregtinë, e turizmin kanë qenë fokus i bisedës mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit të Azerbajxhanit Ilham Aliyev në pallatin presidencial në në Baku.

Teksa vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve, Rama e vendosi fokusin veçanërisht tek investimet, ku i tha presidenti Aliyev se shpreson që t’i shtojnë investimet në Shqipëri, njëjtë siç i kanë bërë në Malin e Zi.

“Ne kemi disi të drejtën tonë për të qenë xhelozë për Malin e Zi, sepse aty, ju keni bërë një investim masiv, jo thjeshtë në kuptimin financiar, por edhe modelin që është dhe shpresoj që ju do të bëni të njëjtën gjë”, tha Rama.

Energjia dhe turizmi ishin dy sektorët ku presidenti i Azerbajxhanit vuri fokusin që duhet të rritet bashkëpunimi, ndërsa dy palët u shprehën se presin rezultate konkrete nga ekipet e ngritura nga dy vendet për këtë qëllim. Një aspekt tjetër ku u fokusua biseda është edhe rritja e shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.

Presidenti Aliyev vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë për projektin e gazsjellësit TransAdriatik dhe shtoi se edhe në këtë fushë duhet të shtohet bashkëpunimi.

"Përfaqësuesit tanë po zhvillojnë takime mbi portofolin më të gjerë të bashkëpunimit tonë në fushën e energjetikes, që përfshin gazin natyror, furnizimet tranzite dhe energjinë elektrike. Është vërtetë një pjesë mjaft e madhe e agjendës tonë dypalëshe. Jam i sigurt që ajo çka është tashmë në proces bisedimesh do të sjellë si rezultat zhvillime të reja", u shpreh Aliyev. 

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me kryetaren e Kuvendit Sahiba Gafaro, ku u vlerësuan marrëdhëniet e miqësisë mes dy vendeve dhe u theksua rëndësia e bashkëpunimit parlamentar mes dy vendeve. Rama ka takuar edhe kryeministrin e Azerbajxhanit, Ali Asado.

Kryeministri vizitoi gjithashtu Memorialin e Varrezave të Dëshmorëve në Baku, Azerbajxhan, ku vendosi një kurorë me lule dhe u përkul në shenjë respekti ndaj të rënëve në Luftë.

Të premten Rama niset për në Stamboll, Turqi ku do të takohet me përfaqësues të agjencisë shtetërore turke “Tubitak”, që ka në fokus kërkimin shkencor dhe atë teknologjik.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:13
Rama vizitë në memorialin e varrezave të dëshmorëve

 

Kryeministri Edi Rama ka qenë pasditen e kësaj në varrezat e Dëshmorëve në Baku. 

"Në memorialin e varrezave të dëshmorëve",  shkruan Rama.

Ora 19:21
VIDEO/ Rama takon kryeministrin e Azerbajxhanit

 

Pas takimit me kryetaren e Kuvendit, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me kryeministrin e Azerbajxhanit Ali Asado.

Ora 18:31
Dalin pamjet/ Rama takim me Kryetaren e Kuvendit të Azerbajxhanit

Kryeministri Edi Rama takim me Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Azerbajxhanit, Sahiba Gafaro.

 

Ora 16:14
Rama me presidentin e Azerbajxhanit: Ura jonë lidhëse Turqia, presim të investoni te ne

 

Kryeministri Edi Rama pret që Azerbajxhani të investojë në Shqipëri siç ka bërë edhe me Malin e Zi. Rama gjatë bisedës së tij me presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev, tha se Shqipëria do t’i mbështesë gjithmonë.

“Faleminderit zoti President! Është kënaqësi e madhe që gjendem këtu dhe pikë së pari, pas një fushate mjaft të madhe e të suksesshme për të rikthyer pjesë të vendit tuaj që për kaq shumë vite gjendej në një situatë që qe shndërruar në diçka të padurueshme, që të gjithë ne e dimë, qoftë në cilësinë e kryetarit të OSBE-së, dhe tanimë në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Sigurimit. Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë plotësisht mbështetëse e Azerbajxhanit, e të vërtetës dhe të drejtës historike të Azerbajxhanit. Po kështu, së fundmi në radhë, por jo nga rëndësia, ne përgëzojmë shumë përpjekjet tuaja të lavdueshme dhe shembullore për paqe dhe bashkëpunim afatgjatë me fqinjin tuaj, Armeninë. Në të njëjtën kohë, ne jemi të dy të bekuar të kemi një gur shumë të fortë midis nesh, që është Turqia, dhe unë besoj fort se ne mund të bëjmë më shumë, e ju e përmendët, në fusha të rritjes potenciale të bashkëpunimit tonë dhe sigurisht, pres me shumë padurim që të dëgjoj dhe të shoh perspektivat dhe çfarë kanë arritur ekipet tona, qoftë në sektorin e energjisë ashtu dhe të turizmit. Ashtu siç jua kam thënë disa herë, ne kemi disi të drejtën tonë për të qenë xhelozë për Malin e Zi, sepse aty, ju keni bërë një investim masiv, jo thjeshtë në kuptimin financiar, por edhe modelin që është dhe shpresoj që ju do të bëni të njëjtën gjë. Ndërkohë, pres me padurim që të mbani fjalën dhe të vini në Shqipëri, tashmë që Covid është zbutur njëfarësoj dhe rruga është hapur. Ndërkohë që prisja që ju të vinit, mendova “Pse jo të mos vija unë”. Siç thuhet “Kur mali nuk shkon dot mali tek Muhammedi, shkon Muhammedi tek mali”.

Faleminderit shumë zoti President për këtë mikpritje të ngrohtë që  e ndjemë qysh hapin e para pasi zbritëm në kryeqytetin tuaj të mrekullueshëm dhe presim me padurim të lajmë borxhin në momentin që ju do të vini në vendin tonë. Faleminderit!” , tha ai.

Ora 16:06
Takimi me Ramën, presidenti i Azerbajxhanit: Diskutuam për bashkëpunimin në sektorin e energjisë dhe tregtisë

Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev ka bërë me dije se takimin me kryeministrin Edi Rama kanë diskutuar për bashkëpunimin në sektorin e energjisë si edhe në rritjen e shkëmbimeve tregtare.

“Vizita juaj dëshmon dhe një herë nivelin e lartë të dialogut politik mes dy vendeve tona. Ne jemi takuar shumë herë e po kështu kemi komunikuar përmes telefonit dhe po kështu edhe gjatë aktiviteteve ndërkombëtare kemi shfrytëzuar mundësinë për t’u takuar me njëri – tjetrin.

Natyrisht jemi këtu për të zhvilluar takime dypalëshe, për të diskutuar gjithashtu dhe çështje të zhvillimit rajonal të cilat janë në krye të agjendës së Europës e po kështu do të flasim dhe për çështje dypalëshe, ku do të shkëmbejmë informacion e do të flasim për rritjen e qarkullimit tonë tregtar, që është mjaft modest, por ka potencial për t’u rritur. Do ta diskutojmë këtë sot e po kështu do të diskutojmë bashkëpunimin në sektorin e energjisë.

Që prej më shumë se një viti, Azerbajxhani është bërë eksportues i gazit natyror drejt Europës dhe Shqipëria ka qenë mbështetëse e kësaj nisme dhe përfaqësuesit tuaj të nivelit të lartë kanë marrë pjesë gjithmonë në takimet e Këshillit Konsultativ të Korridorit Jugor dhe kanë vijuar të zhvillojnë dhe kanë kontribuuar për zhvillimin këtij projekti. Kështu që jemi në një ekip vendesh, të cilat kanë zbatuar me sukses këtë projekt historik, duke pasur parasysh rëndësinë e korridorit jugor të gazit, sidomos të gazsjellësit TransAdriatik. Unë mendoj që tashmë kjo është më e dukshme se sa më parë.

Ky është një sektor shumë i mirë i bashkëpunimit tonë që ka potencial të madh për t’u rritur. Përfaqësuesit tanë po zhvillojnë takime mbi portofolin më të gjerë të bashkëpunimit tonë në fushën e energjetikes, që përfshin gazin natyror, furnizimet tranzite dhe energjinë elektrike. Është vërtetë një pjesë mjaft e madhe e agjendës tonë dypalëshe. Jam i sigurt që ajo çka është tashmë në proces bisedimesh do të sjellë si rezultat zhvillime të reja. Po kështu, mendoj që ka një shans të mirë për të folur për të tjera fusha të ndërsjella, mundësitë në fushën e turizmit e t’u ofrojmë qytetarëve tanë mundësi të ndryshme turistike dhe përgjithësisht një partneritet më të gjerë për t’i dhënë një nxitje të mëtejshme e për të pasur rezultate më të mira në të ardhmen. ”, tha Ilham Aliyev.

Ora 12:25
VIDEO/ Rama mbërrin në Azerbajxhan

Rama mbërrin në Azerbajxhan për vizitat zyrtare me ftesë të Presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.