Galeria Apollo e Muzeut të Luvrit në Paris, ku në vitin 2025 u vodhën stolitë e kurorës franceze me vlerë 88 milionë euro, do të rihapet të mërkurën.

Megjithatë, në galeri nuk do të ekspozohen më stoli dhe ajo do t'i rikthehet funksionit të saj të shekullit XVII si një galeri shtetërore, tha një burim për AFP.

“Galeria do të hapet të mërkurën,” tha burimi, duke konfirmuar një artikull të gazetës Le Parisien. Ai shtoi se e pranishme në ceremoninë e rihapjes do të jetë ministrja e Kulturës, Catherine Pegard.

Në një intervistë për Le Parisien, presidenti i muzeut, Christophe Leribault, tha se “koleksionet dhe objektet e çmuara” që ishin ekspozuar më parë janë hequr.

Më 19 tetor 2025, grabitës të maskuar si punëtorë ndërtimi hynë në galeri në orët e mëngjesit duke përdorur një platformë ngritëse të montuar në një kamion dhe vodhën tetë stoli të kurorës, të cilat ende nuk janë gjetur.

Për bizhuteritë që nuk u vodhën, “do të krijojmë një dhomë të sigurt, një kasafortë pa dritare, në një pjesë tjetër të muzeut,” tha Leribault. “Është një projekt i madh ndërtimi dhe duhet të gjejmë vendndodhjen ideale. Si edhe financimin,” shtoi ai.

Grabitja në Luvër tronditi botën dhe zbuloi mangësi të mëdha në sigurinë e muzeut më të vizituar në botë, i cili pret rreth nëntë milionë vizitorë çdo vit.

Vjedhja shkaktoi gjithashtu një krizë të brendshme në Luvër, duke çuar në zëvendësimin e presidentes së muzeut, Laurence des Cars, me Christophe Leribault.

Çështjet e sigurisë në Luvër ishin lënë në plan të dytë gjatë viteve të fundit, thuhej në raportin e një komisioni parlamentar për sigurinë e muzeve në Francë, të publikuar në mesin e muajit maj./France24