Dy prej grabitësve pas vjedhjes së bizhuterive të kurorës me vlerë 88 milionë euro nga Muzeu i LuvritParis në tetorin e kaluar, u kanë deklaruar hetuesve se personi që organizoi grabitjen ishte i zhgënjyer nga plaçka e përfituar dhe mendonte se “mund të kishin marrë më shumë”.

Gazeta franceze Le Monde citon procesverbalet e marrjes në pyetje të të dyshuarve muajin e kaluar nga dy hetues të çështjes, duke ofruar detaje të hollësishme mbi grabitjen që bëri jehonë në mbarë botën dhe çoi në dorëheqjen e drejtorit të muzeut.

Sipas rrëfimit, të dyshuarit, të identifikuar në mediat lokale si Abdoulaye N. dhe Ghelamallah A., pretenduan se kishin hyrë në Galerinë Apollo të Luvrit me urdhër të një porositësi, emrin e të cilit refuzuan ta zbulonin nga frika për familjet e tyre.

Dyshja mori tetë bizhuteri, përfshirë diadema, një karficë, gjerdanë dhe vathë. Megjithatë, gjatë arratisjes, të dyshuarit humbën një kurorë të zbukuruar me gurë të çmuar, e cila ishte mbajtur në shekullin XIX nga Perandoresha Eugénie, bashkëshortja e Napoleonit III.

“Po, isha unë, më ra nga çanta,” thuhet se pranoi Abdoulaye N., duke shtuar, ndërsa gjyqtarët i treguan një fotografi të kurorës së dëmtuar rëndë: “Ajo që bëmë nuk ishte e drejtë, është shumë serioze.”

Ai tha se të dy ia dorëzuan pjesën tjetër të plaçkës organizatorit të dyshuar, i cili “nuk ishte i kënaqur” me rezultatin. “Ai mendonte se mund të kishim marrë më shumë,” u tha ai hetuesve.

Të dy burrat deklaruan se ishin rekrutuar vetëm dy ose tre ditë para grabitjes dhe se u ishte treguar një video e xhiruar brenda galerisë, ku shiheshin vitrinat me bizhuteritë e epokës napoleoniane, për t’i përgatitur për operacionin.

Abdoulaye N., citohet të ketë thënë se u ishte dhënë një mision i qartë: “Thyeni xhamat dhe merrni bizhuteritë nga brenda vitrinave.”

Ish-ylli i vogël i rrjeteve sociale, i apasionuar pas motoçikletave, Abdoulaye N., tha se ndodhej në vështirësi të mëdha financiare dhe se i ishin premtuar 15 000 deri në 20 000 euro për rolin e tij në grabitje. “Ndoshta edhe më shumë, në varësi të shumës së parave që do të sillja.”

Ai tha se motivi i klientit të dyshuar kishte qenë financiar dhe se ai planifikonte t’i rishiste bizhuteritë e vjedhura.

“E dija se do të grabisja Luvrin,” u ka thënë Abdoulaye N., hetuesve, ndërsa Ghelamallah A., deklaroi se nuk e kishte ditur objektivin. Sipas tij, fillimisht i ishte paraqitur si “një dyqan bizhuterish ku prodhohen bizhuteri në Paris” dhe jo si muzeu më i vizituar në botë.

“Nuk do të kisha hyrë kurrë aty po ta kisha ditur,” tha ai, duke shtuar se kishte rënë dakord për një pagesë prej 20 000 deri në 25 000 euro.

Pasi hynë në një ballkon të katit të parë përmes një ashensori transporti për mobilie, dyshja dyshohet se theu dritaren e Galerisë Apollo, hyri në muze dhe nisi të priste xhamat e dy vitrinave.

“Kur hymë, nuk kishte njeri, ishte errësirë, vetëm dritat e vitrinave ishin të ndezura,” ka thënë Abdoulaye N. “Nga larg shihja rojet e sigurisë duke lëvizur, pas një dere ose diçkaje të ngjashme.”

Ai tha se ishte i vetëdijshëm se po garonin me kohën.

“Duhej të merrnim sa më shumë bizhuteri që të mundnim,” tha ai. “Nëse kalonin më shumë se tre minuta, e dinim që duhet të largoheshim, përndryshe do të zbuloheshim. Për mendimin tim, ne qëndruam më gjatë se ç’ duhej”, tha ai.

Të dy grabitësit thanë se nuk e dinin se çfarë kishte ndodhur më pas me bizhuteritë, por refuzuan t’u jepnin hetuesve të dhëna për identitetin e organizatorit të dyshuar ose të bashkëpunëtorëve të tjerë, nga frika e hakmarrjes.

“Ata nuk janë engjëj,” tha Ghelamallah A. Edhe Abdoulaye N u tregua po aq i kujdesshëm: “Nuk më kërcënuan drejtpërdrejt, por mora telefonata nga jashtë gjatë kohës që isha në paraburgim. Më thanë të heshtja.”

Sipas Le Monde, hetuesit nuk kanë konfirmuar se grabitësit po vepronin në emër të dikujt tjetër.