Duke filluar nga data 1 Prill 2025, qytetarët shqiptarë që do të udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut do të kenë mundësi të presin policën e sigurimit “Karton Jeshil” me afat 1-vjeçar, me çmim të reduktuar prej 50 Euro. Njoftimi është bërë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, me qëllim lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve drejt vendeve fqinje.

Kjo është masa e dytë që ndërmerret në një hark të shkurtër kohor,  për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë  drejt vendeve kufitare, pas hyrjes në fuqi më 1 Shkurt 2025 të policës së sigurimit “Karton Jeshil” 1-vjeçar me Malin e Zi.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në kuadër të zbatimit të rekomandimeve të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) për lehtësimin e lëvizjes ndërkufitare, ka bashkëpunuar ngushtë me Byronë Shqiptare të Sigurimit (BSHS), për të lehtësuar lëvizjen e autoveturave me targa shqiptare drejt vendeve kufitare.