Pas ndarjes territoriale nis 
reforma e decentralizimit

Pas ndarjes territoriale nis <br />reforma e decentralizimit
TIRANE- Pas hyrjes në fuqi të ndarjes së re administrative, mazhoranca ka nisur dje dhe konsultimin për reformën mbi decentralizimin e pushteteve. Në këtë tryezë  të parë është diskutuar mbi këtë reformë, në qendër të së cilës ka pasur decentralizimin fiskal, ndërsa do të vijohet dhe me kompetencat që do të ketë pushteti vendor.

Duke mos bërë dallime mes kryetarëve të Bashkive dhe Komunave të majta e të djathta të pranishëm në takim, ministri i Financave Shkëlqim Cani, ministri për Çështjet Vendore Bledi Çuçi dhe kreu i Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale Bashkim Fino shpjeguan modelin fiskal që do të ndiqet pas zgjedhjeve të 2015-ës, kohë kur kjo reformë do të vihet në zbatim.

Reduktimi që do të bëhet pas miratimit të hartës së re territoriale që do ta ngushtojë numrin e njësive nga 385 në 61, pritet të sjell një përfitim financiar me vlerë rreth 6 miliardë lekë. Drejtuesve vendor u është premtuar se e gjithë shuma që do të përfitohet nga rrudhja e ndjeshme që i është bërë njësive vendore do t’i ngelet pushtetit lokal për investime. Ndërkohë kësaj shume do t’i bashkangjiten edhe të ardhura të tjera që do të vijnë nga reforma e re që do të nisë me reformën e taksave. Ministri i Financave Shkëlqim Cani, sqaroi mënyrën e re të taksimit dhe paketën fiskale që pritet të përdor për vitin 2015.

“Taksa e pasurisë, që edhe në vetvete nuk mblidhet as në gjysmën e vet, ne po shohim për një reformë në këtë taksë dhe mendojmë se shumë shpejt do të krijojmë, unë do ta quaja kadastër fiskale. Shumë shpejt do të përpiqemi ta realizojmë atë dhe besojmë se ndoshta viti 2015 do ta kapë, por kurdo që të ndodhë do të duhet të ecim shumë shpejt me të. Po kështu edhe paketa fiskale gjykojmë se kërkon rishikime, ndoshta e prek viti 2015, pasi duam të merremi edhe me rentën minerare”, sqaroi ministri i Financave.

Ndërkohë nga ana e tij ish-kreu i Komisionit për Reformën Territoriale, Bashkim Fino theksoi se me këtë reformë të re që pritet të ndërmarrë qeveria, krijohet një pavarësi për drejtuesit vendor. Fino shprehu bindjen se nëse këto të ardhura do të realizohen brenda vitit 2015 do të kemi një rritje të Produktit të Brendshëm Bruto nga 2.1 deri 3.5. Megjithatë me gjasë viti në të cilin do të praktikohet plotësisht modeli i ri fiskal pritet të jetë 2016, pasi viti 2015 konsiderohet si një vit prove për qeverinë ku në gjysmën e vitit do të praktikohet modeli i vjetër ndërsa pas zgjedhjeve do të vijohet me sistemin e ri me 61 njësi vendore. 

Çuçi “Mekanizma të reja për modelin fiskal”
Ministria e Pushtetit Vendor do të udhëheqë edhe reformën e decentralizimit. Ky proces do të shoqërohet me krijimin e një ligji për decentralizimin fiskal vendor. “Ka disa mekanizma që lidhen me modelin fiskal, me futjen e taksave dhe ndarjen e atyre kombëtare të përbashkëta. Futet koncepti i ndryshimit të administrimit të mbledhjes së të ardhurave. I gjithë ky është një sistem rregullash dhe instrumentesh në mënyrë që të kemi rritjen e peshës absolute dhe relative të të ardhurave të qeverisë vendore në raport me PBB-në”, u shpreh Çuçi.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   


 

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale