Interesat e qytetarëve iranianë në Shqipëri do të mbrohen nga Turqia. Lajmin e ka dhënë ministri i Jashtëm i Iranit i cili ka deklaruar së fundmi se një seksion i interesit iranian do të hapet në Shqipëri nëpërmjet Turqisë në mungesë të marrëdhënieve diplomatike me Tiranën.

Hossein Amir-Abdollahian zbuloi të shtunën se ministria e jashtme iraniane ka rënë dakord të hapë një seksion në Shqipëri për interesat iraniane nëpërmjet Turqisë. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA, si pjesë e një bisede telefonike me homologun e tij turk, Mevlut Cavusoglu, Amir-Abdollahian falënderoi gjithashtu qeverinë turke për mbështetjen e saj në këtë drejtim.

Përfaqësimi i interesave të një vendi të tretë për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike është e parashikua Konventa e Vienës. Në nenin 45, pika 3 e kësaj konvente thuhet se në rast ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve, ose në qoftë se një mision thirret definitivisht ose përkohësisht “Shteti dërgues mund t’ia besojë mbrojtjen e interesave të tij dhe ato të shtetasve të tij një shteti të tretë të pranueshëm për shtetin pranues”.

Shqipëria shkëputi më 7 shtator  marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Kryeministri Edi Rama bëri me dije se ka prova të pakundërshtueshme se Irani ka financuar sulmin kibernetikteksa pas 24 orësh u larguan ambasadori dhe i gjithë stafi i ambasadës iraniane nga Shqipëria.