Kina largoi të martën nga detyra ministrin e Jashtëm Qin Gang, duke e zëvendësuar atë me paraardhësin e tij, Wang Yi. Njoftimi vjen pas disa javë spekulimesh mbi fatin e tij, pasi Qin nuk është shfaqur në publik prej rreth një muaji. Qin Gang, 57 vjeç, mori detyrën në dhjetor të vitit 2022, pasi punoi për një periudhe të shkurtër si iambasador i Kinës në Shtetet e Bashkuara. Hera e fundit që ai u shfaq publikisht ishte 25 qershori, gjatë takimeve në Pekin me diplomatë të huaj. Në 18 qershor ai u takua edhe me Sekretarin amerikan të Shtetit Blinken.
Zoti Qin nuk u pa në një takim ndërkombëtar diplomatik, që u mbajt në mesin e muajit korrik në Indonezi. Më vonë Ministria e Jashtme kineze tha se ai nuk ishte në punë për arsye shëndetësore, po pa dhënë më shumë detaje. Mungesa e informacionit të detajuar u bë shkak për një seri spekulimesh. Sipas analistëve dhe diplomatëve paqartësitë mbi këtë çështje thelluan gjithashtu dyshimet lidhur me transparencën dhe vendimmarrjen mes udhëheqësve hermetikë të vendit.
Wang Yi, 69 vjeç, i cili zëvendësoi zotin Qin gjatë mungesës së tij, rimerr të njëjtën detyrë, që ai kishte mes viteve 2018 dhe 2022. Ministria e Jashtme e Kinës nuk iu përgjigj një kërkese për koment lidhur me arsyet për këtë ndryshim. Ky zhvillim vjen mes një sërë shqetësimesh ndërkombëtare të Pekinit e marrëdhëniesh të prishura me superfuqinë rivale, Shtetet e Bashkuara, që Kina thotë se janë në pikën e tyre më të ulët, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Dy ekonomitë më të mëdha në botë kanë mosmarrëveshje për një seri çështjesh, siç është ajo për Ukrainën, si dhe për lidhjet e ngushta të Pekinit me Moskën. Po kështu Uashingtoni dhe Pekini kanë mosmarrëveshje në fushën e tregtisë dhe atë të teknologjisë, si dhe lidhur me Tajvanin, ishullin demokratik të vetëqeverisur, të cilin Pekini e njeh si territor të tij./VOA