Një ditë pas përplasjeve mes Policisë Bashkiake dhe përfaqësuesve të Myftinisë Shkodër për heqjen e një tabele me thënie profetike në afërsi të Xhamisë Ebu Beker, situata ka marrë zhvillime të reja.

Myftinia Shkodër ka njoftuar sot ndalimin e punimeve që po kryheshin në zonën përreth Xhamisë Parrucë, pjesë e një projekti të Bashkisë Shkodër. Në një deklaratë për median, institucioni fetar thekson se punimet po zhvilloheshin në “truallin vakëf”, pronë e Myftinisë.

Në njoftim thuhet:

“Myftinia Shkodër njofton se ndalon vazhdimin e punimeve të projektit të Bashkisë Shkodër, të cilat po zhvilloheshin në truallin vakëf të saj, pranë Xhamisë Parrucë.”

Ky veprim vjen pas tensioneve të regjistruara një ditë më parë, kur punonjës të Policisë Bashkiake ndërhynë për të hequr një tabelë me thënie profetike të vendosur nga Myftinia pranë Xhamisë Ebu Beker.

Ndërhyrja shkaktoi reagime në opinionin publik dhe në komunitetin mysliman të qytetit, ndërsa situata mbetet ende e ndjeshme.