Pas premierës “Gianni Schicchi”
Myshketa e Rolli në “Rreze Dielli”

Pas premierës “Gianni Schicchi”<br />Myshketa e Rolli në “Rreze Dielli”
Opera komike e fundit që ngjiti në skenë Puccini përpara se të vdiste ishte “Gianni Schicchi”. Kjo opera u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit premierë nga baritoni Gëzim Myshketa, njëkohësisht dhe regjizor i saj së bashku me trupën e artistëve operistik dhe dirigjent Sebastiano Rolli.

Pas suksesit të premierës “Gianni Schicchi” në TKOB baritoni Gëzim Myshketa dhe dirigjenti i orkestrës Sebastiano Rolli përcollën këtë sukses dhe emocionet që morrën nga publiku në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në A1 Report.

Gjatë intervistës në studio Gëzimi u shpreh se ndihej i turpëruar nga publiku shqiptar për pritjen që i bëri në skenë e për duartrokitjet e shumta. “Më vinte turp sepse po mendoja a e meritoja vërtet këtë gjë” u shpreh ai.

Ndërsa dirigjenti italian i orkestrës Sebastiano Rolli u shpreh se gjeti artistë në TKOB të përkushtuar dhe me dëshirë të madhe për të bërë muzikë.

gianni schicchi
(Gëzim Myshketa gjatë interpretimit në rolin e Gianni Schicchi)
 
Është një kënaqësi e madhe që vini për publikun shqiptar me një atdhedashuri, pa kompesim monetar dhe me një dëshirë të madhe për të punuar? Çfarë domethënie kanë këto për ju?

Gëzimi - Kompesimi monetar nuk mund të jetë asnjëherë i krahasueshëm me atë emocion, me atë respekt dhe dashuri që të fal publiku shqiptar.

Të shohësh pas premierës një publik që çohet në këmb më vinte turp. Më vinte turp sepse po mendoja a e meritoja vërtet këtë gjë. Kemi punuar me shpirt në një kohë të përqëndruar. Kisha disa synime. E para që të bëja një figurë shumë të mirë si këngëtar në një rol jo kaq të lehtë siç është Gianni Schicchi.

E dyta ishte që si regjisor të kisha çdo gjë perfekte dhe të bukur, me plot pasion dhe vlera nga ana teatrale.

E treta ishte që të gjithë artistët këngëtar që ishin në skenë t`i vendosja në mundësinë e zhvillimit artistik dhe të një harmonizmi midis tyre për të rritur nivelin si dhe për t`i dhënë e për t`i marrë diçka atyre. Por edhe për të realizuar një vepër që zhvillohet në kohë reale që ka nevojë për energji pozitive dhe të punohet në grup. Të gjitha këto elementë i gjeta dhe i çova më tej.

Një sugjerim i juaji ka qenë dhe dirigjenti Sebastiano Rolli. Pse pikërisht z. Rolli?

Gëzimi - Ka qenë një propozim i imi për maestron dhe është studiuar nga njerëzit që vendosën për të. Unë e njoh prej shumë vitesh sepse kam studiuar me të atin e Rollit. E kam gjetur pas shumë vitesh. Një dirigjent dinjitoz në skena të rëndësishme italiane ku kemi punuar bashkë.

Nuk është kaq e lehtë që të gjesh një drejtor orkestre me pak kosto dhe të ketë atë dashuri që ka maesto Rolli për të krijuar diçka.

Ju jeni i ri dhe i talentuar. Si jeni gjendur në teatrin tuaj me orkestrantët tanë?

Sebastiano - Jam gjendur shumë mirë. Gjeta një gadishmëri, bashkëpunim, dëshirë për të bërë muzikë dhe për t`i çuar gjërat deri në fund.  Një nga rreziqet e zanatit tonë është që të kënaqim me rezultatin e parë.

Unë gjeta shumë ndjeshmëri dhe kjo na bëri që të thellohemi dhe të gjejmë kuptimin e gjërave. Kjo është shumë e rëndësishme për një drejtor orkestre sepse në momentin kur gjërat bëhen me dashuri dhe pasion jo vetëm protagonistët por çdo përbërës i spektaklit ndihet pjesë e pazëvendësueshme e spektaklit. Unë gjeta këtë dhe u ndjeva i lumtur.

gianni schicchi
(Drejtuesi i orkestrës Sebastiano Rolli gjatë interpretimit të tij në Gianni Schicchi)

Puccini çfarë prezanton në karrierën tuaj deri më sot?

Sebastiano - Puccini është një nga më të mëdhenjtë e muzikës operistike italiane. Duke drejtuar “Gianni Schicchi” dhe “Suor Angelica” unë kompletoj atë triptikun e Puccinit. Puccini përfaqëson shumë për cilido muzikant e jo vetëm italian por edhe të huaj.

Puccini mbledh mesazhin e fundit të Verdit duke mos e kaluar atë strukturë gjuhësore ai e çon në plotësimin përfundimtar. Është shumë emotiv si autor dhe kërkon nga interpretuesi një shtysë poetike dhe një ndjeshmëri pak nervoze. Kërkon emocion 100 për qind të pastër.

Kjo vihet re shumë mirë tek opera “Suor Angelica” e cila bazohet shumë në strukturën melodioze që vjen e rikthehet në forma të ndryshme në këtë opera. “Gianni Schicchi” është një opera komike, pak cinike.

Është opera e fundit komike e Puccinit dhe e fundit në krijimtarinë e tij. Kjo opera është e bazuar mbi dialogun dhe mbi qelizat muzikore. Ndryshe nga “Suor Angelica” ku melodia është më romantike dhe më e shtrirë, në operan “Gianni Schicchi” qelizat e melodisë përshkrojnë një gjëndje shpirtërore që është në tranzicion.

Është e bukur dhe të bën të mendosh që dy operistët më të mëdhenj italian pasi kanë krijuar një opera tragjike e kanë përmbyllur karrierën e tyre me një opera komike.

Mesa duket komikja nuk qenka dhe aq e lehtë. Qenka një kulm që duhet ta arrijnë artistët në aspektin skenik?

Gëzimi - Unë kam idenë se një aktor i mirë komik është më i vështirë se sa një aktor tragjik. E njëjta gjë ndodh edhe në opera. Nuk është kaq e lehtë të jesh një aktor i mirë komik pa u bërë palaço.

Të jesh humoristik, komik por jo palaço dhe qesharak në kuptimin e ulët. Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme të kesh mundësi të vësh një pjesë që dhe nga teatraliteti është gjenial.

gianni schicchi
(Gëzim Myshketa gjatë interpretimit në rolin e Gianni Schicchi)

Sa herë e keni interpretuar Gianni Schicchin në diferencë nga kjo e fundit që keni pjesë edhe në regji?

Gëzimi - E kam interpretuar disa herë. Nuk është nga rolet e mia më të kënduara por është nga rolet më të preferuara nga ana teatrale. Ky personazh vjen si nga kohërat për t`i dhënë një shuplakë një shoqërie hipokrike që çdo gjë e bazon mbi vlerën monetare dhe shkel mbi gjithë vlerat njerëzore.

Ka disa situata komike që pasojnë nga fillimi në fund. Është një i vdekur në skenë i cili harrohet por edhe keqtrajtohet pasi ia ka lënë të gjithë trashëgiminë fratëve dhe murgjëve. Kjo krijon humor por edhe të bën të mendosh.

Gezim Myshketa
(Gëzim Myshketa në studion e emisionit "Rreze Dielli")

Ju si natyrë jeni shumë modest dhe nuk doni shumë të flisni për veten por dua t`iu pyes për  kalendarin e këtij viti. Ju jeni person që prekni shumë skena të rëndësishme. Si do të jetë ky vit? Do të keni ato role tuaja të dashura?

Gëzimi -  (Qesh...) Unë nuk jam shumë modest. Unë skuqem kur shoh nga publiku një respekt aq të madh që më angazhon që të jem gati perfekt jo vetëm në skenë. Unë si natyrë jam i hapur. Një artist nqs nuk ka një ego të mirëkontrrolluar që të përballojë normalitetin atëherë ai nuk ecën dot përpara.

Ne kemi një profesion që shesim veten tonë në skenë. Duhet kuptuar mirë ku fillon aktori dhe ku fillon jeta personale.

Unë nesër nisem për në Itali. Kam tre ditë pushim pasi më duhet të kaloj nga një rol në tjetrin. Do të luaj Traviatën ku do të interpretojë rolin kryesor baritonal. Pas 15 ditësh me një produksion tjetër do të shkojë në Hamburg prap me “La traviata”. Pas 15 ditësh të tjera në Tuluz e më pas në Verona e Belgjikë.

Besoj se do t`i përballoni me shumë sukses.

Gëzimi - Unë e kam filluar karrierën time shumë i ri. Jam 32 vjeç dhe kam 12 vjet që këndoj. Kam patur mundësi të jem me kolegë kaq të mirë dhe të marr nga ta më të mirën.

Redaksia Online
(m.z/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf