TIRANË- Thirrjes së përfaqësuesit të shumicës parlamentare në Këshillin politik, Damian Gjiknurit për mbledhjen e grupit negociator për Reformën Zgjedhore, Partia Demokratike i është përgjigjur me një propozim të ri. Kjo e fundit ka propozuar për mbledhjen e së mërkurës në 17:00, që përzgjedhja e anëtarëve të trupave të KQZ, të bëhet nga një komision parlamentar.

“Përzgjedhja bëhet në një komision parlamentar, ku opozita do të ketë një përfaqësues të vetin me të drejtë vetoje. Ky përfaqësues zgjedh 2 nga 5 anëtarët e Rregullatorit dhe 2 nga 5 anëtarët e Komisionit të Apelimit e Sanksioneve. Shumica zgjedh 3. Më pas Kuvendi miraton ose rrëzon në bllok 5 të përzgjedhurit. Për Komisionerin, PS zgjedh 4 kandidatë, Përfaqësuesi i Opozitës Politike përjashton 2 dhe Kuvendi zgjedh 1 nga 2 të mbeturit”, thuhet në propozimin e ri të PD.

Ndonëse Gjiknuri kërkoi këtë të martë nga palët që te sillen propozime te shkruara paraprakisht për çdo çështje te mbetur pezull, në mënyrë që në mbledhjen e radhës të marrë miratimin e gjithë paketa e amendimeve në Kodin Zgjedhor, PD nuk ka qartësuar mënyrën që propozon për zgjedhjen e nënkomisionerit, që do të vijë nga radhët e opozitës. 

Një ditë më parë, Kryeministri Edi Rama tha se brenda kësaj jave do të mbyllen të gjitha detajet për marrëveshjen e arritur në Këshillin Politik dhe me dakordësi apo jo ato do i dorëzohen komisionit të reformës zgjedhore para 30 qershorit, ku përfundon dhe afati i punës së saj.