Rreshjet me intensitet të lartë të ditëve të fundit në verilindje të vendit kanë sjellë rritje të ndjeshme të prurjeve në lumenjtë që furnizojnë liqenin e Fierzës.
Sipas të dhënave nga HEC-I i Fierzës, prurjet mesatare kanë arritur 250 metër kub ujë në sekondë, duke bërë që niveli i liqenit të ngjitet në kuotën 296.63 metra mbi nivelin e detit, që konsiderohet niveli maksimal i lejuar për këtë periudhë.Pas disa viteve të karakterizuara nga thatësira dhe ulje të rezervave hidrike, situata aktuale paraqitet ndër më pozitivet e viteve të fundit për sektorin energjetik shqiptar.
Rezervat ujore në basenin më të madh ujëmbledhës në vend kanë krijuar më shumë siguri për prodhimin vendas të energjisë elektrike dhe për funksionimin normal të hidrocentraleve në kaskadën e Drinit.Niveli aktual i ujit në Fierzë ka ulur ndjeshëm rrezikun për përballjen me një krizë energjetike, si ato që janë shfaqur në vitet me mungesë reshjesh, kur vendi është detyruar të mbështetet në importe të kushtueshme të energjisë elektrike.
Aktualisht, sipas sallës komanduese në HEC-in e Fierzës, në punë është Agregati AG1, ndërsa në gatishmëri mbahen dy agregatë të tjerë, AG3 dhe AG4. Ndërkohë, Agregati AG2 vijon të jetë në remont. Paralelisht me prodhimin vendas, KESH po mbulon një pjesë të nevojave të tregut edhe përmes importeve të planifikuara më herët, si pjesë e strategjisë për garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji. Rritja e rezervave ujore pritet të ndikojë pozitivisht jo vetëm në stabilitetin energjetik të vendit, por edhe në menaxhimin afatgjatë të kaskadës së Drinit, e cila mbetet burimi kryesor i prodhimit të energjisë elektrike në Shqipëri.
Te dhenat nga HEC Fierzë për datën 20
Prurjet mesatare.: 250 m3/sek.
Agregate në punë: 1 (AG1)
Agregate në gadishmëri:2 Agregat, (AG3, AG4),
Agregat në remont: 1 (AG2)
Komente









