Pavarësisht fjalëve në publik, opozita nuk është e bashkuar. Jo vetëm PD dhe LSI që nuk janë në një qëndrim, por edhe brenda LSI duket se ka divergjenca. Në seancën e sotme plenare ish-ministri Lefter Koka, aktualisht deputet i LSI së bashku me Vangjel Tavon nuk kanë ndjekur kryetaren Monika Kryemadhi dhe deputetët e tjerë të kësaj force që u larguan nga salla, por kanë vendosur që të qëndrojnë duke ndjekur punimet. Në fjalën e tij, Balla i falënderoi dy deputetët e LSI që nuk vendosën të largohen nga Kuvendi.

Dy deputetët madje regjistruan edhe pjesëmarrjen në momentin që po votohej rendi i ditës, ndërsa më pas u larguan nga salla. Në seancën e kaluar ishte deputeti Robert Bitri që theu vendimin për t’u larguar nga Kuvendi me grupin. Kujtojmë që përpos ‘rebelëve’ në grup, LSI është përballuar në muajt e fundit me shumë dezertime nga radhët e këshilltarëve në shumë bashki.