Pas rrëshqitjes së dheut që dëmtoi një pallat në zonën e Currilave, Bashkia e Durrësit njofton se 25 familjet që banojnë në godinë nuk do të lejohen të kthehen në apartamentet e tyre deri në përfundimin e ekspertizave dhe konfirmimin se objekti është i sigurt.

Sipas bashkisë, menjëherë pas ngjarjes janë angazhuar strukturat vendore dhe qendrore të emergjencave civile, ndërsa është ngritur një grup pune me përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Institutit të Ndërtimit, IGJEUM-it dhe Bashkisë së Durrësit për të vlerësuar situatën në terren.

Gjatë ditës së nesërme pritet të nisin verifikimet për gjendjen e pallatit, si dhe matjet për studimin gjeologjik dhe gjeoteknik të zonës. Autoritetet synojnë të hartojnë një akt-ekspertizë për qëndrueshmërinë e objektit dhe një projekt për përforcimin e territorit ku ndodhi rrëshqitja.

Bashkia bën me dije se prej muajit mars ka kërkuar monitorim dhe vlerësim të situatës në Currila, pas episodeve të mëparshme të rrëshqitjeve të dheut. Në bazë të këtyre kërkesave, Instituti i Ndërtimit dhe Shërbimi Gjeologjik Shqiptar kanë përgatitur relacionet paraprake për gjendjen e kodrës, ndërsa është hartuar edhe një marrëveshje bashkëpunimi për ekspertiza më të specializuara.

Paralelisht, Instituti i Ndërtimit ka ngritur një grup të posaçëm pune me profesorë universitarë dhe ekspertë të fushës për të kryer vlerësimin teknik të pallatit. Bashkia thotë se do të kërkojë edhe financim nga institucionet qendrore për rehabilitimin e zonës së prekur nga rrëshqitja e dheut.


Lajmi kryesor:

Durrës/ Rrëzohet kodra e Currilave, dherat bien mbi pallat! Dëmtohet muri në katin e parë, 25 familje mbeten jashtë banesave (VIDEO)