Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë një tubim të premten më 12 qershor në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Albin Kurit me një postim në facebook, si pjesë e vendimeve të marra nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kurti shkruan se ky tubim përkon me 21 vjetori i çlirimit të Kosovës dhe 15 vjetorin e Vetëvendosjes, ndërsa shprehet se vijon mbledhja e firmave për peticionin "Duam Zgjedhje". Kurti është shprehur pro zhvillimit të zgjedhjeve të reja në Kosovë, pas rrëzimit të qeverisë së tij me mocion mosbesimi, por kjo u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese duke i dhënë të drejtën presidentit Thaçi për të mandatuar kryeministrin e ri Avdullah Hoti.

"Tubim në Sheshin "Skënderbeu", të premten me 12 qershor. Në mbledhjen e sotme me Qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! diskutuam për shumë çështje politike dhe organizative. Nga data 10 qershor 2020 e deri më 17 qershor 2020 mbahet "Java e Lëvizjes", organizim yni ky tradicional i përvitshëm me aktivitete të shumta. Në veçanti Qendrat tona shprehën gatishmërinë dhe interesimin që 21 vjetori i çlirimit të Kosovës dhe 15 vjetori i VETËVENDOSJE!-s, të premten e ardhshme të 12 qershorit 2020, të shënohet me një tubim publik, duke e mbajtur distancën, në Sheshin 'Skënderbeu' në Prishtinë. Ndërkohë vazhdon mbledhja e nënshkrimeve të peticionit "Duam Zgjedhje!" anembanë Kosovës...", shkruan Kurti.

Në lidhje me protestat qytetare pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Albin Kurti i ftuar disa ditë më parë në emisionin "5 pyetje nga Babaramo" u shpreh se këtë do e vendos partia.

"Ne jemi një subjekt politik demokratik që bën diskutime të brendshme dhe i merr vendimet me shumicë. Vendosin organet e subjektit tonë politik, nuk vendos unë, as në cilësinë e kryeministrit në detyrë dhe as në cilësinë e kryetarit të një subjekti politik. Vendos Vetëvendosja që është fituese e zgjedhjeve", tha Kurti për gazetarin Ilir Babaramo.

Nuk dihet nëse tubimi i 12 qershorit i paralajmëruar nga Kurti, do të jetë protestë kundër rrëzimit të tij dhe mosmbajtjes së zgjedhjeve të reja të kërkuara nga Vetëvendosja.