VLORE-Vijon furtuna në Kadastrën e Vlorës. Mësohet se ditën e sotme janë shkarkuar 4 jurist dhe 19 punonjës të tjerë kanë marrë vërejtje pasi janë gjetur me shkelje. Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili bën me dije se janë shkarkuar Besmira Xhaferaj, Arba Mullai, Aldo Hoxhaj dhe Ermal Hoxha.

Ndërkohë, gjatë ditëve të fundit Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kaluar në sitë të gjithë dokumentet e nxjerra. Sipas informacioneve raportohet se punonjësit e KLSH-së që prej mesit të muajit gusht po verifikojnë dosjet e katër viteve të fundit në Kadastrën e Vlorës ku fokusi mbetet tek dosjet e pronave në bregdet. Në fakt sipas KLSH ky kontroll nuk ka lidhje direkte me lëvizjet e fundit në Kadastër. Nga burime pranë KLSH mësohet se ata po auditojnë sipas programit.

“Ne po auditojmë ish-Aluiznin Vlorë për 4 vitet e fundit ndërsa kur të mbarojnë do auditojmë edhe ZVRPP për 7 vitet e fundit. Por ne nuk kemi asnjë lidhje me masat, pasi nuk kemi tagër. Në lidhje me problem ne si KLSH kemi një ankesë që po e shqyrtojmë”.

Shqetësime në lidhje me Kadastrën janë ngritur edhe nga qytetarë të cilët tregojnë burokracitë dhe peripecitë që kanë hasur në këtë institucion, jo vetëm sa i përket lejeve të ndërtimit të dhëna në bregdet, por edhe brenda njësive administrative të Vlorës.

"Unë shtëpinë e kam të hipotekuar dhe jam në gjyq me motrën prej 4 vitesh, e cila ka fituar në gjyqin e Apelit ndërsa hipoteka ka lëshuar me një firmën time sikur e kam dhënë shtëpinë dhoro. E kanë marrë shtëpinë time në Qeparo me firma false. E kanë fajin këto në hipotekë. Si japim shtëpinë kur unë jam në gjygj me motrën prej 4 vitesh gjoja dhoro."

"Janë 7 veta në një parcelë. Unë jam në fund të parcelës dhe këtu më sjellin pengesa.  Njëherë më thonë është e shtetit, njëherë më thonë nuk korrespondon numri kadastral që është në një  parcel tjetër. Njëherë më thonë nuk figuiron se këtu ka kanal. Unë i kam me harta me të gjitha."

"Toka e popullit të mos uzurpohet", thanë banorët.

Dje zbarkoi në këtë institucion anti-krimi ekonomik, ndërsa në hetim janë vendosur 23 punonjës, pasi akuzohen se kanë tjetërsuar pronën e një personi në Jalë duke ia kaluar një tjetri Report Tv siguroi edhe një urdhër, që ish-drejtori Almadhi në 25 qershor 2019 lëshoi për një hetim për 21 specialistë lidhur me tjetërsimin kësaj prone. Mes specialistëve të hetuar është dhe Alteo Nazeraj i emëruar në krye të Kadastrës së Vlorës. Ndërkohë që në vendin e Ardian Mustës, zv/ drejtor është emëruar Elona Hodaj.