TIRANË- Dorëhiqet nga detyra, drejtori Artistik i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, italiani Jacopo Sipari di Pescasseroli. Lajmi u konfirmua për Report Tv nga gazetarja Blerina Goce.
Burime bëjnë me dije se Jacopo Sipari di Pescasseroli është larguar drejt Italisë, ndërkohë që dorëheqja e tij vjen pas shkarkimit të drejtoreshës së Përgjithshme Abigeila Voshtina. Kjo e fundit vijon të qëndrojë në drejtimin e Teatrit të Operas dhe Baletit në një kohë të pacaktuar.
Kush është Jacopo Sipari di Pescasseroli?
Jacopo Sipari di Pescasseroli është i njohur si fitues i çmimit “GOLDEN OPERA SPECIAL PRIZE” në janar të 2020-s, për gjeneratën e re nga “OSCARS OF OPERA”, si një nga dirigjentët më premtues për operat në Itali.
I diplomuar në Juridik dhe Dirigjim, Sipari zotëron 2 doktoratura në të Drejtën Penale dhe atë Kononike, të shkruara në gjuhën latine. Prej nëntë vitesh shërben si Docent i të Drejtës Penalen, në Universitetin “Roma Tre” me Prof. Mario Trapani, por edhe më parë njihej si avokati më i ri i Gjykatës Apostolike Romake “Rota”, në Vatikan.
Studimet nuk i ka ndalur me kaq. Ai është i diplomuar me rezultate të larta në Drejtimin Orkestral, nën kujdesin e maestros Marco Angius. Po ashtu edhe për kompozim dhe dirigjim koral në Konservatorin “Tartini” të Triestes.
Sipari ka studiuar edhe për Kompozicion Eksperimental me Mauro Cardi dhe Kanto me Maria Chiara Pavone, duke u diplomuar në Konservatorin e Muzikës “Casella” në L’Aquila.
Në karrierën e tij ai numëron një sërë suksesesh, të tilla si: Dirigjent kryesor në Shtëpinë e Operës dhe Baletit të Varnës, në Fondacionin e Festivalit Puccini të Torre Del Lago, Drejtor Artistik i Festivalit Ndërkombëtar të Midsummerit të Italisë, Drejtor Artistik i “Sacrum International Festival” në Vatikan, etj.
Kush do e zëvendësojë Voshtinën?
Me largimin e drejtoreshës së TKOB, rolin e kryen përkohësisht drejtori artistik, ose në të kundërt ai ekonomik ose një person i komanduar. Meqënëse drejtori artistik Jacopo Sipari di Pescasseroli dha dorëheqjen posti ka mundësi t’i kalojë drejtorit ekonomik të këtij institucioni Elva Uruçi.
Ndërkohë momentalisht Abigeila Voshtina vijon të mbajë postin deri në emërimin e zëvendësuesit të saj.
Pse u largua Abigeila Voshtina?
Zyrtarisht nuk është bërë e ditur asnjë motiv, por nën zë, nëpër korridoret e TKOB thuhet se një ndër arsyet e largimit të saj mund të ketë qenë fakti që drejtori artistik i institucionit ishte Italian. Një pjesë e komunitetit të artistëve disa herë kanë shprehur pakënaqësi në lidhje me menaxhimin e institucionit nga ana e Voshtinës dhe faktin që favorizon artistët italianë përkundrejt artistëve shqiptarë. Ndërkohë gjatë kontrolleve financiare të institucionit janë gjetur parregullsi financiare. Voshtina ndodhej në krye të këtij institucioni prej 2016. Ajo ka mbajtur postin e drejtorit artistic të TKOB për 8 vite më pas u emërua në krye në këtij institucioni 2022 post që e mbajti deri javën e kaluar kur kryeministri Edi Rama firmosi lirimin e saj.