Një shfaqje me emocion u ngjit mbrëmjen e së enjtes në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku publiku pati mundësinë të shijojë kryeveprën botërore të Verdit, “Il Trovatore”.
Premiera u prit me duartrokitje dhe shënoi rikthimin e tenorit të mirënjohur Josif Gjipali pas më shumë se dy dekadash në skenën shqiptare, nën petkun e personazhit të Manricos. Për herë të parë debutoi në Teatrin e Operës dhe Baletit mezzosopranoja Enkeleida Shkoza, e cila karrierën e saj e ka ngritur në Itali.
Kasti i solistëve të Teatrit të Operës: Eva Golemi, Bledar Domi, Suada Gjergji, Matias Xheli dhe Erlind Zeraliu u prit shumë mirë nga publiku.
Baritoni Ankhbayar Enkhbold, solli një Conte di Luna të fuqishëm.
Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOBAP-së, nën drejtimin e dirigjentit Andrea Solinas, si dhe dirigjentit të Korit, Dritan Lumshi, shoqëruan me mjeshtëri këtë premierë, duke theksuar tensionin dramatik dhe pasurinë muzikore të veprës.
Shfaqja, një produksion që mban firmën regjisoriale të Roberto Catalano, i realizuar nën asistencën e Luca Baraçini dhe Ada Gurrës, sjell në skenën tonë operistike një vizion të qartë artistik dhe një gjuhë skenike bashkëkohore, në shërbim të dramaturgjisë së veprës.
“Il Trovatore” e ka pasur premierën e saj në vitin 1853. Ndërthurja e dashurisë, xhelozisë dhe hakmarrjes, e bën edhe më tragjike historinë e Manricos dhe Leonorës. E vendosur në Spanjën e trazuar të shekullit të 15-të, me linjën muzikore të fuqishme të Verdit, me ariet e njohura dhe me tensionin dramatik të historisë, “Il Trovatore” është një nga ngjarjet më të rëndësishme të sezonit artistik të TKOB.
Komente









