Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Parlamenti Evropian arritën një marrëveshje të përkohshme për të thjeshtuar rregullat e bllokut mbi inteligjencën artificiale (AI).

Marrëveshja e përkohshme përfshin shtyrjen e disa detyrimeve kryesore për sistemet e IA, me qëllim shmangien e pasigurisë ligjore dhe tregtare, sipas zyrtarëve të Parlamentit Evropian.

Paketa u propozua pesë muaj më parë si një mënyrë që Evropa të rrisë konkurrueshmërinë në sektorin e inteligjencës artificiale duke thjeshtuar përputhshmërinë me Aktin e Inteligjencës Artificiale të BE-së.

Megjithatë, legjislacioni i propozuar ka qenë i diskutueshëm, pasi disa e kanë akuzuar BE se po zbut rregullat për sistemet e IA.

“Nuk po dobësojmë asnjë rregull sigurie; po qartësojmë rregullat për kompanitë në Evropë”, tha Arba Kokalari, raportuese për Komitetin e Tregut të Brendshëm në Parlamentin Evropian. “Situata aktuale është që kompanitë janë të paqarta nëse duhet të ndjekin Aktin për AI apo legjislacionin sektorial… kompanitë nuk duhet të rregullohen dy herë për të njëjtën gjë”, shtoi ajo.

Cilat janë ndryshimet?

Akti i BE për Inteligjencën Artificiale i klasifikon sistemet e IA sipas nivelit të rrezikut që paraqesin për shëndetin, sigurinë dhe të drejtat themelore, duke filluar nga rreziku minimal deri te rreziku i papranueshëm, me detyrime më të rrepta sa më i lartë të jetë niveli i rrezikut.

Sistemet e IA me “rrezik të lartë” janë ato që do të përdoren në infrastrukturë kritike, arsim, punësim, migracion, azil dhe kontroll kufitar. Kjo kategori më parë përfshinte produkte të klasifikuara si “makineri”, si pajisjet inteligjente për shtëpi.

Marrëveshja e së enjtes u jep sistemeve të quajtura “me rrezik të lartë” edhe një vit shtesë, deri në dhjetor 2027, për t’u përputhur me legjislacionin e BE-së. Afati zgjatet deri më 2 gusht 2028 për IA e përdorur në produkte si ashensorët apo lodrat.

Gjithashtu, ka rregulla më të thjeshta për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për të “shmangur mbivendosjen midis rregullave sektoriale dhe atyre për IA”, tha Komisioni në një deklaratë për shtyp.

Kompanitë që zhvillojnë sisteme AI do të mund të testojnë produktet e tyre para se të dalin në treg, sipas kornizave të BE.

Ndalimi i “aplikacioneve të zhveshjes dixhitale”

Paketa ndalon gjithashtu sistemet e AI-së që gjenerojnë përmbajtje seksuale eksplicite pa pëlqim dhe materiale seksuale me fëmijë, si të ashtuquajturat aplikacione të “zhveshjes dixhitale”, që heqin në mënyrë digjitale rrobat e njerëzve në imazhe.

Ndalimi mbulon imazhe, video ose audio eksplicite të krijuara pa pëlqimin e personit.

Kompanitë do të kenë afat deri më 2 dhjetor për të përshtatur sistemet e tyre me rregulloret e reja të BE-së dhe për të vendosur shenjimin e detyrueshëm të përmbajtjes së gjeneruar nga AI.

Eurodeputeti i grupit Renew Europe, Michael McNamara, u tha gazetarëve se rregullat e reja do të zbatohen për çdo foto ku ekspozohen “pjesët intime” të një personi.

Kjo vjen pasi chatbot-i i AI-së “Grok” i Elon Musk u përdor për të gjeneruar imazhe seksuale eksplicite të grave dhe fëmijëve në internet.

“Donim të kishim qartësi mbi atë që mendojmë për këto aplikacione në Evropë dhe se nuk i pranojmë ato”, tha Arba Kokalari.

Sipas McNamaras, rregullat vlejnë vetëm për përmbajtje që paraqet qartë një qenie njerëzore dhe jo një personazh sintetik të krijuar nga AI.

Pak ditë më parë, edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni denoncoi një imazh të sajin të krijuar me Inteligjencë Artificiale. Marrëveshja ende kërkon miratimin formal nga Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së.