Pas skandalit me tenderat në
burgje, jep dorëheqjen drejtori
Arkiv/Lajmet për skandalin e tenderave

Drejtori i Përgjithshëm i burgjeve Artur Zoto i ka paraqitur sot dorëheqjen Ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani.

Në letrën që ai ka bërë publike, shkak për këtë dorëheqje janë bërë çështjet personale e familjare.

Kjo dorëheqje ka ardhur pas arrestimit të nëndrejtorit të burgjeve, i cili akuzohet por korrupsion me tenderat e shpërndarjes së ushqimeve në burgje.
 
Ai u merrte ryshfet katër kompanive, me vlerën e 20 milion lekëve.

Në letrën e drejtuar Ministrit të Drejtësisë, Zoto shton se, gjatë kohës kur ai ka drejtuar burgjet janë kryer një sërë reformash të rëndësishme për zbatimin e ligjit, transformimin e sistemit të burgjeve forcimit të masave antikorrupsion.
 
Ja letra e plotë
"I Nderuar Zoti Ministër,
Me Urdhrin e Kryeministrit të Shqipërisë Nr. 149 datë 03.10.2013 jam emëruar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Duke marrë në konsideratë situatën e sistemit të burgjeve shqiptare dhe rëndësinë si institucion i veçantë i sigurisë kombëtare, u angazhova maksimalisht për kryerjen me përgjegjshmëri të lartë të detyrave funksionale në zbatim të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Gjatë periudhës që kam ushtruar detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve janë ndërmarrë një sërë reformash dhe iniciativa të rëndësishme, të cilat kanë synuar zbatimin e ligjshmërisë në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, si dhe transformimin e sistemit të burgjeve në një mundësi rehabilitimi për personat me liri të kufizuar. Prioritet i është dhënë forcimit të masave antikorrupsion, kur për herë të parë përgjatë viteve 2013-2016 u vunë në zbatim masa specifike për parandalimin e korrupsionit në sistemin e burgjeve, kontrollin dhe monitorimin e praktikave të dhënies së lejeve shpërblyese dhe të veçanta për personat me liri të kufizuar, si dhe forcimin e mekanizmit të kërkesë ankesës në bashkëpunim të ngushtë edhe me aktorë të jashtëm. 
Gjithashtu, gjatë viteve që kam ushtruar këtë funksion publik, jam përkushtuar për ndryshimin e filozofisë së menaxhimit të sistemit të burgjeve, nëpërmjet vënies në funksion të metodologjive bashkëkohore për administrimin e sigurisë në institucionet penitenciare, regjimin ditor të personave me liri të kufizuar, vlerësimin e performancës individuale të stafit si dhe të institucioneve, duke vendosur baza të rëndësishme për organizimin dhe funksionimin në nivel qendror dhe lokal. 
Duke e konsideruar të pamundur ushtrimin e kësaj detyre në vijim, për shkak të arsyeve personale dhe familjare, ju paraqes dorëheqjen time nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.
                                         
 
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Marrëdhëniet Greqi -Shqipëri, avokati Islami: Kanë bërë masakra në vendin tonë, Beleri në PE ishte goditje! Sekretari i OMONIA-s: Jemi urë komunikimi mes vendeve

Marrëdhëniet Greqi -Shqipëri, avokati Islami: Kanë bërë masakra në vendin tonë, Beleri në PE ishte goditje! Sekretari i OMONIA-s: Jemi urë komunikimi mes vendeve