Pas sukseseve, një qasje e çalë

Pas sukseseve, një qasje e çalë
TIRANE- Policia e Shtetit, megjithë ngarkesat që ia imponon detyra dhe roli i saj, aktualisht po tregon që ka vullnetin dhe është në gjendje t’i përballojë apo t’i justifikojë denjësisht këto cilësi. Performanca e vet përgjatë rreth një viti pa ndërprerje, si organ i pushtetit publik nuk mund të mos krijonte te shumica e popullsisë së këtij vendi me një gjendje jo të lakmueshme, të trashëguar nga qeverisjet e mëparshme, një besim në rritje që, veç treguesve të tjerë, ka ndikuar edhe te ndryshimi progresivisht i “notës” së vënë nga faktori ndërkombëtar.

Mjafton ndoshta të përmendim që një figurë e njohur gjatë viteve të fundit për shqiptarët si Shtefan Fyle, vetëm tri ditë përpara se sa të përfundonte mandatin si Komisioner i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, u rishfaq dhe nuk harroi t’i kthente sytë përsëri nga Shqipëria, për të ndjekur me vëmendje zhvillimet aktuale të saj.

Ai i dërgoi një letër përgëzimi Ministrit tonë të Brendshëm, nëpërmjet së cilës përsëriti vlerësimet për angazhimin personal dhe institucional të këtij Ministri, veçanërisht për operacionet e Policisë së Shtetit tonë në “fshirjen” prej hartës së plantacioneve të drogës në Lazarat dhe Dukagjin, si edhe për veprimet në ndjekjen, zbulimin dhe ndëshkimin e akteve kriminale në përgjithësi apo të korrupsionit në veçanti. Ndërkohë që roli aktiv i uniformave blu po tregohet përherë e më tepër edhe gjatë zhdukjes së “çibanëve” të paligjshëm në territoret publike, si edhe në të treguarit vendin atyre që vjedhin energjinë elektrike, që vjedhin atë – referuar deklaratave të Kryeministrit të vendit – më së shumti nga babëzia, se sa nga varfëria.

Këto arritje e kanë nxituar mikun tonë, Shtefan Fyle, që në letrën dërguar së fundmi të sigurojë se, Komisioni Evropian “është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për reforma, me ekspertizë dhe mbështetje financare”. Por, sipas tij, “arritja e rezultateve në këtë fushë varet prej vullnetit politik të autoriteteve, si edhe në vendosmërinë, efikasitetin e veprimit dhe koordinimin e të gjitha trupave ligjzbatuese në Shqipëri”.
Sa për vullnetin politik të autoriteteve u fol që në fillim të këtyre rradhëve, pa i ngrënë kohë lexuesit me diçka që tashmë është e qartë.

Ndërsa, për kushtet e tjera, pra, për vendosmërinë, efikasitetin e veprimeve dhe koordinimin e të gjitha trupave ligjzbatuese, plotësimi i tyre bëhet zakonisht në mënyrë integrale dhe jo veçmas apo njëanshmërisht. Përndryshe, pas sukseseve mund t’u përafrohesh atyre në vijim çalazi, duke kompromentuar madje misionin tënd dhe të tërë Ekzekutivit në një shtet të së drejtës, funksionimi i të cilit kërkon zbatimin e parimit për ndarjen dhe balancimin e pushteteve.

Kështu pra, ndonëse Ministri dhe kolegët e tij janë të papërkulur për të luftuar korrupsionin, që shfaqet mjaft dukshëm edhe në sistemin gjyqësor dhe që rrezikon madje edhe sigurinë e vendit, nuk do të ishte e këshillueshme që një anëtar i Ekzekutivit t’i kërkojë Presidentit të Republikës në ushtrim të funksionit të Kryetarit të Këshillit të lartë të Drejtësisë, duke i vënë përpara një listë vendimesh gjyqësore që ende s’kanë marrë formë të prerë, për të ndëshkuar gjyqtarët.

Për shumëkënd, kjo do të thotë që një anëtar i Ekzekutivit i ngarkuar me detyra ligjzbatuese i jep vetes të drejtën që t’i kërkojë Presidentit të ndërmarrë masa ekstreme ndaj disa funksionarëve që ushtrojnë prerogativat e një pushteti tjetër, kur kjo e drejtë mund t’i njihet deri diku vetëm atij anëtari të Ekzekutivit, i ngarkuar me detyra që i përkasin administrimit të drejtësisë(?!). Por me sa duket, Ministri i Brendshëm niset nga ideja që e ka artikuluar publikisht, se “pavarësia e gjyqësorit nuk mund të jetë pavarësi hermetike e korporatës nga çdo gjykim e vlerësim i jashtëm...”.

Sidoqoftë, rrugët për të vënë në lëvizje kapacitetet që të garantohet nga korrupsioni ligj, transparenca, drejtësia dhe paanshmësia janë të përcaktuara proceduralisht dhe institucionalisht mbi bazë të së drejtës, jashtë së cilës nuk dilet dot në një shtet demokratik funksional.

Mbase këtë nuk ka pasur parasysh edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili në unison dhe pothuajse njëkohësisht me kërkesën e Ministrit të Brendshëm u dërgon oganeve të uniformave blu, nëpërmjet një shkrese zyrtare të bërë publike, urdhërin që të vëzhgojnë prokurorinë dhe gjykatat, me sa kuptohet, për të evidentuar vendimet e padrejta që mund të marrin ato, në kundërshtim me provat e siguruara prej uniformave blu. Dhe pas pak ditësh, tashmë në mjediset e organit të akuzës dhe të drejtësisë penale është rritur numri i përfaqësuesve të Policisë së Shtetit, të cilët stacionohen atje për të ushtruar funksione monitorimi.

Në një kohë, kur dihet fare mirë që ata duhet të zbatojnë ligjin mbi Policinë e Shtetit, ashtu sikurse Policia Gjyqësore – Kodin e Procedurës Penale. Me këtë rast, emisarëve të opozitës politike u hapet goja për rrezikun e instalimit të shtetit policor. Nga ky motiv shtrembërojnë buzët edhe plot gjyqtarë e prokurorë, të cilëve u duket që nga Ekzekutivi po u cenohet pavarësia institucionale, duke u bërë presion të hapur ndaj vendimarrjes së tyre.

Mirëpo, më shumë se sa akuzat partiake, hatërmbetjet personale apo edhe stërhollimet doktrinare, ajo çka i vë një pikëpyetje të madhe këtyre lloj kërkesave dhe urdhërave i adresohet një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, nr. 11, datë 2 Prill 2008. Konkretisht, ky vendim është marrë pas shqyrtimit të ankimit drejtuar këtij organi të rishikimit kushtetues nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Durrësit, me kërkesën për shfuqizimin, si të papajtueshëm me Ligjin Themelor, të nenit 315 të Kodit Penal, kur Kushtetuta garanton pavarësinë e gjyqtarëve, të cilët duhet t’i nënshtrohen vetëm asaj dhe ligjeve.

Ndërsa në nenin e atakuar parashikohej që gjyqtarët të përgjigjen për vendimet që quhen të padrejta dhe të pabazuara, çka mund të interpretohet fare mirë si një kusht për ta vënë gjykatën nën presion. Për ta vendosur atë në një pozicion të tillë, sepse për shkelje të funksioneve të tyre gjyqtarët mund të mbajnë përgjegjësi disiplinore (që e vlerëson Këshilli i Lartë i Drejtësisë) dhe përgjegjësi penale (kur ngrihen dyshime të arsyeshme se kanë konsumuar elementë të veprës penale).

Prandaj, Gjykata Kushtetuese çmon, se vendimet gjyqësore kontrollohen vetëm nga gjykatat më të larta, ndërkohë që asnjë organ tjetër nuk mund të vlerësojë ligjshmërinë dhe bazueshmërinë e këtyre vendimeve, përsa kohë ato nuk janë ndryshuar apo prishur nga gjykata më e lartë (një argument i tillë është shprehur edhe në një vendim tjetër të Gjykatës Kushtetuese, që mban datën 27 Maj 2004). Përfundimisht, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të shfuqizojë nenin 315 të Kodit Penal, si të papajtueshëm me Kushtetutën.  

Pra, Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk mund të marrë masë disiplinore ndaj gjyqtarit me arsyetimin, sipas të cilit, vendimi i marrë nga gjykata s’është i drejtë, s’është i bazuar apo s’është i ligjshëm. Nëse organi i ‘vetqeverisjes’ gjyqësore arrin në përfundimin, se gjyqtari ose gjykata e ka dhënë këtë vendim nën ndikime të paligjshme apo korrupsion (domethënë, nëse janë vërejtur elementë të krimit), KLD ose të tjerë kanë të drejtë të bëjnë kallëzim penal (denoncim). Kështu shprehet Gjykata Kushtetuese në Vendimin e saj, të cilin kushdo mund ta lexojë, veç të tjera, duke shfletuar Vëllimin me përmbledhje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese gjatë vitit 2008 (faqet 106 – 122).

Dhe të mos harrojmë që vendimet e saj kanë fuqi erga omnes, pra të detyrueshme pë detyrueshme p t’u zbatuar nga të gjithë, pa përjashtuar as ndërhyrjet e Legjislativit apo Ekzekutivit. Përndryshe, këto ndërhyrje konsiderohen arbitrare, prandaj edhe të kontestueshme e të pazbatueshme në rastin më të mirë, ndërsa në rastin më të keq – të masa me ndikim negativ të gjerë.

 P.S. Jo më kot është thënë dhe thuhet kudo në botën demokratike se, ndonjëherë kërkohet diçka më shumë se sa vendosmëria, për të vepruar me zgjuarësi.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

 

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë