Qiproja po kthehet në një pikë të re tensioni në krizën e Lindjes së Mesme. Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis mbërritën në ishull për të treguar mbështetjen e Bashkimit Europian pas sulmit me dron të javës së kaluar.
Dy liderët pritet të takohen në qytetin Pafos me presidentin e Qipros, Nikos Christodoulides. Në fokus të bisedimeve është siguria e ishullit, liria e lundrimit në rajon dhe koordinimi për evakuimin e qytetarëve europianë nga zonat me rrezik.
Pas sulmit me dron që kishte në shënjestër bazat britanike në RAF Akrotiri, Greqia ka dërguar në zonë anije ushtarake HS Kimon dhe HS Psara, si edhe katër avionë luftarakë për të patrulluar bregdetin jugor të Qipros. Edhe Franca ka shtuar praninë ushtarake. Parisi ka dërguar anijen Languedoc dhe sisteme tokësore kundër dronëve dhe raketave. Në ditët në vijim pritet të mbërrijë në Mesdheun lindor edhe aeroplanmbajtësja Charles de Gaulle.
Anije luftarake nga Italia, Holanda dhe Spanja pritet gjithashtu të bashkohen në zonë, ndërsa Britania do të dërgojë shkatërruesen HMS Dragon.
Në të njëjtën kohë, Turqia ka vendosur gjashtë avionë luftarakë në pjesën veriore të ishullit, që kontrollohet nga turqit. Presidenti Christodoulides e quajti këtë një reagim ndaj deklaratave të vendeve të BE-së që theksojnë se siguria e Qipros është përgjegjësi e përbashkët e unionit.
Lajmi kryesor:
Lufta/ NATO rrëzon raketën balistike iraniane mbi Turqi, sot fjalimi i parë i Mojtaba Khameneit! Bejruti: Gati për negociata me Tel Avivin










