Pas tërmetit ka nisur inspektimi i banesave apo bizneseve të dëmtuara.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj së bashku me kryetaren e bashkisë së Durrësit, znj. Valbona Sako, inspektoi disa prej bizneseve në zonën e plazhit në Durrës.
Ministrja garantoi se dëmet e shkaktuara nga tërmeti do të përballohen nga buxheti i shtetit, i cili përmban fonde të nevojshme.
Sipas ministres është e rëndësishme vlerësimi i saktë i dëmeve nga ana e strukturave përgjegjëse shtetërore, në mënyrë që të procedohet me fondet që janë në dispozicion të përballimit të dëmeve.
“Vlerësimi i dëmeve duhet të ndodhë këto javë dhe ne pastaj të kemi mundësi që menjëherë të hapim fondin, i cili është i plotë, por do të ketë edhe fonde shtesë. Unë jap garanci që i gjithë ky proces do të mbulohet 100 %”, u shpreh znj. Denaj.
Pavarësisht këtij fakti, Ministrja Denaj u bëri thirrje të gjithë bizneseve për tu solidarizuar me familjet dhe bizneset e prekura nga tërmeti.
“Nuk mungon edhe thirrja për bizneset për tu solidarizuar, për nevojën për mbështetje edhe në aspekt të fondeve monetare në numrat e llogarisë që janë hapur, pasi solidariteti në këto raste ndihmon të gjithë”, tha Ministrja.
Gjatë bashkëbisedimit me biznese të zonës, Ministrja Denaj kërkoi mirëkuptimin e tyre për procedurat që do të ndiqen dhe theksoi nevojën për një mirëkoordinim mes strukturave shtetërore, në mënyrë që vlerësimi i dëmeve të bëhet sa më shpejt dhe më pas të vijohet me pjesën e fondeve për rimbursimin e dëmeve.
Sipas ministres Denaj, ekziston mundësia që fondi i emergjencës mund të mos jetë i plotë, por janë fonde shtesë për të ardhur në ndihmë.
"Ajo që ne duhet të koordinojmë është në raport me procedurat për rimbursim sepse edhe nga ana proceduriale është e vështirë që ne të angazhohemi përpara se ekspertët të flasin për vlerën e dëmit për çdo familje”, u shpreh Denaj.