Një ekuipazh i përbashkët ruso-amerikan u ul në mënyrë të sigurt të dielën në stepat e Kazakistanit, pasi kaloi tetë muaj në bordin e Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar.
Astronauti i NASA-s, Chris Williams, dhe kozmonautët rusë Sergei Kud-Sverchkov dhe Sergei Mikaev prekën tokën me anijen e tyre Soyuz MS-28, e cila u ul pa probleme me parashutë në zonën e caktuar në juglindje të qytetit të Zhezkazganit.
Misioni i tyre 241-ditor në laboratorin orbital ishte fluturimi i parë në hapësirë për Williams dhe Mikaev, ndërsa për Kud-Sverchkov ishte misioni i dytë.
Pas uljes, ekuipazhi do të transportohet me helikopter në Karaganda. Prej andej, Williams do të niset me avion drejt Qendrës Hapësinore Johnson të NASA-s në Hjuston, ndërsa Kud-Sverchkov dhe Mikaev do të fluturojnë drejt bazës së tyre të trajnimit në Star City, pranë Moskës.
Dikur rivalë të ashpër gjatë garës hapësinore në periudhën e Luftës së Ftohtë, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara sot bashkëpunojnë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor dhe në projekte të tjera. Marrëdhëniet mes dy vendeve u tensionuan pas dërgimit të trupave ruse në Ukrainë në vitin 2022, por Uashingtoni dhe Moska kanë vazhduar bashkëpunimin në fushën e hapësirës, me ekuipazhe amerikane dhe ruse që udhëtojnë drejt ISS-së me anijet kozmike të të dy vendeve.
Më 14 korrik, ekuipazhi i përbërë nga astronauti i NASA-s Anil Menon dhe kozmonautët e Roscosmos, Pyotr Dubrov dhe Anna Kikina, mbërriti në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor për një mision tetëmujor, pasi u nis nga kozmodromi Baikonur, i marrë me qira nga Rusia në Kazakistan.
Administratori i NASA-s, Jared Isaacman, mori pjesë në ceremoninë e nisjes, duke shënuar vizitën e parë të një drejtuesi të NASA-s në Baikonur pas tetë vitesh.
Ekuipazhi i sapombërritur iu bashkua astronautëve të NASA-s Jessica Meir dhe Jack Hathaëay, astronautes së Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA), Sophie Adenot, si dhe kozmonautit të Roscosmos, Andrei Fedyaev, të cilët së bashku përbëjnë Ekspeditën 75 në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor.
Komente









