Pas thirrjeve të Berishës, sulm
kryeministrisë me flakadanë/VD

Pas thirrjeve të Berishës, sulm<br />kryeministrisë me flakadanë/VD
Vetëm pak orë pasi ish-kryeministri Sali Berisha ashpërsoi tonet nga çadra, protestuesit kanë hedhur flakadanë drejt kryeministrisë.
 
Arsyet e këtij gjesti ende nuk janë konfirmuar, por siç shihet, situata tensionohet vetëm pak orë pas fjalimit të Berishës, i cili theksoi se kryeministri Rama nuk ka ndërmend të largohet nga qeveria ndaj dhe duhet ta qërojmë.
 
“Edi Rama nuk jep, dorëheqjen por ne duhet ta qërojmë që andej”- deklaroi dje në çadër ish-kryeministri.
 
Siç duket edhe në video, janë dhjetëra të rinj që hedhin drejt Kryeministrisë tymuese dhe kapsolla, ndërsa nuk raportohet për të lënduar. Edhe pse nuk është bërë publik ndonjë skenar konkret për vijimin e protestës në çadër, drejtuesit e PD dhe protestuesit, ditët e fundit po ndërmarrin akte kërcënuese dhe po lëshojnë çdo ditë deklarata për destabilizimin e vendit.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për protestën e parashikuar për tu mbajtur në Kavajë ditën e zgjedhjeve më 7 maj. Edhe pse në shkelje të Kushtetutës, ligjit për tubimet dhe Kodit Zgjedhor, opozita ka parashikuar që ditën e zgjedhjeve për kryetar Bashkie në Kavajë të mbajë një tubim me qëllim bllokimin e procesit.

Në këtë protestë, të parashikuar për të zgjatur dy ditë, pritet që militantët e Partisë Demokratike mbështetur nga drejtuesit e kësaj force do të tentojnë të moslejojnë zhvillimin e qetë të procesit zgjedhor, kjo pas bojkotit që PD i bëri zgjedhjeve në Kavajë.

Berisha: Edi Rama nuk dorëhiqet, ndaj ta qërojmë!
Paralel me seancën e parlamentit në Kuvend, PD zhvilloi dje ‘parlamentin’ e saj në çadrën e protestës.

Në ditën e 56 të çadrës së ngritur para kryeministrisë, ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë analizën se përse sipas tij, Edi Rama nuk dorëhiqet nga kryeministër.

“Edi Rama nuk jep, dorëheqjen por ne duhet ta qërojmë që andej. Pse nuk e jep? Ja ta analizojmë së bashku. Dy javë më parë Rama i tha ministrave që jemi para alternativës, pushteti ose burgu, kjo është e vërteta se e thashë unë dhe mediat e tij. Ose pushteti ose burgu, për këtë të na falënderojë se meriton më shumë. Në një akt të paimagjinueshëm kaloi ligjin për të amnistuar politikanët për të gjitha veprat penale para kalimit të këtij ligji. Kaloi ligjin për të amnistuar veten e tij dhe ministrat e tij, një organizatë kriminale në Evropë. Ti dhe gjithë politikanët që kanë kryer krime të shkojnë në burg. Të mos kemi iluzione se Rama nuk jep dorëheqjen”, u shpreh Berisha.

Skenari i protestës në Kavajë, Basha mobilizon degët e aleatët
Kryetari i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar disa takime për mobilizimin e strukturave për t'u bashkuar për protestën e 7 majit në Kavajë, ditën e zgjedhjeve për kryetarin e ri të bashkisë.
 
Fillimisht Basha u takua me krerët dhe sekretarët e degëve të PD, për përgatitjen e protestës kombëtare të 7 majit në Kavajë. Gjatë takimit kryedemokrati mësohet se është shprehur "Duhet impenjim i gjithë degëve, mobilizim i demokratëve dhe i qytetarëve për protestën në Kavajë".

Protesta parashikohet që të nisë një ditë para nisjes së votimit në Kavajë dhe do të vazhdojë gjatë gjithë ditës, 7 maj. 

Zgjedhjet në Kavajë, protesta e PD e paligjshme, ja pse duhet ndaluar
Protesta e paralajmëruar e Partisë Demokratike në Kavajë, referuar qëllimit të saj të shpallur publikisht, është e paligjshme dhe si e tillë duhet ndaluar nga Policia e Shtetit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe përfaqësues të tjerë të opozitës nuk e kanë fshehur qëllimin se, me anë të një proteste masive synojnë të mos lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve për kryetarin e ri të Bashkisë së Kavajës. Nëse paralajmërimet publike të krerëve të opozitës mund të merren seriozisht nga organet ligjzbatuese, protesta futet në një hulli paligjshmërie bashkë me organizatorët e saj.

Bllokimi i zhvillimit të zgjedhjeve në Kavajë, që është edhe synimi i protestës kombëtare, është në kundërshtim flagrant me një nga të drejtat dhe liritë më themelore të njeriut, parashikuar në nenin 45 të Kushtetutës së Shqipërisë. Bëhet fjalë me të drejtën themelore, sipas të cilës, çdo shtetas, që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet. Mohimi i kësaj të drejte kushtetuese çon në shkeljen e disa ligjeve të tjera.



Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Shqipëria kërkonte ekstradimin, Durim Bami lirohet 2 muaj pas arrestimit në Dubai! Rivalët ofruan 1 mln euro për ‘kokën’ e tij

Shqipëria kërkonte ekstradimin, Durim Bami lirohet 2 muaj pas arrestimit në Dubai! Rivalët ofruan 1 mln euro për ‘kokën’ e tij