Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është shfaqur në palestër në një video të publikuar së fundmi, duke reaguar ndaj zërave që vunë në dyshim gjendjen e tij shëndetësore. Në pamje, lideri 76-vjeçar shihet duke bërë ushtrime fizike dhe duke përcjellë një mesazh për të rinjtë mbi rëndësinë e aktivitetit fizik dhe kujdesit për shëndetin. Ai ndau gjithashtu edhe rutinën e tij ushqimore pas stërvitjes.
Videoja vjen pas deklaratave të ish-kryeministrit Naftali Bennett, i cili kishte ngritur pikëpyetje për formën fizike të Netanyahut. Reagimi vjen gjithashtu vetëm pak ditë pasi Netanjahu vetë pranoi publikisht se i ishte nënshtruar trajtimit për një tumor në prostatë, i kapur në vitin 2024.
Sipas tij, ndërhyrja ka shkuar mirë dhe gjendja shëndetësore është e stabilizuar. Madje, ai thekson se analizat e fundit kanë dalë brenda normave dhe se është plotësisht aktiv. Netanyahu shtoi se e kishte mbajtur të fshehtë diagnozën për disa javë, për të shmangur, sipas tij, përdorimin e saj për propagandë nga Irani.
Me këtë video, ai duket se kërkon të mbyllë çdo debat mbi shëndetin e tij dhe jo me deklarata politike, por me pamje direkte nga palestra.
Komente











