Zjarret masive vazhduan të përhapen në jug të Francës të enjten, pas javësh me mot të thatë dhe temperatura rekord në të gjithë vendin, duke shkatërruar sipërfaqe të mëdha toke.
Vatra më e madhe e zjarrit u përhap në rajonet Aude dhe Hérault, ku deri në 800 zjarrfikës dhe 150 mjete u angazhuan për të luftuar flakët, të cilat përfshinë mbi 900 hektarë tokë, sipas autoriteteve lokale. Zjarre të tjera shpërthyen në rajonin fqinj të Marsejës, ku dy vatra u vunë nën kontroll të enjten.
Rajoni i Aude preket rregullisht nga zjarret pyjore. Vitin e kaluar, zjarrfikësit arritën të vinin nën kontroll zjarrin më të madh pyjor në Francë në dekada, pikërisht në këtë zonë. Parashikimet tregojnë se temperaturat e larta pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe çka është më e keqja nuk priten reshje shiu pas valës së hershme të të nxehtit në maj dhe asaj të fundit të qershorit.
Bimësia dhe vegjetacioni ndodhen nën stres të madh për shkak të mungesës së ujit, duke favorizuar përhapjen e zjarreve, ndërsa erërat e forta vazhdojnë të fryjnë në rajonin e Mesdheut.
'Vuajtjet' e vapës kanë kapur edhe një pjesë të madhe të SHBA ku një kupolë e të nxehtit ka prekur zona me popullsi totale prej 200 milion amerikanësh.
Paralajmërime për një valë ekstreme të të nxehtit, që pritet të zgjasë disa ditë, u lëshuan të mërkurën edhe për qytetet Nju Jork, Boston dhe Filadelfia, ndërsa moti përvëlues po zhvendoset drejt lindjes, pak përpara festimeve të 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Kryebashkiaku i Nju Jorkut Mamdani tha se temperaturat pritet të jenë më të lartat që prej 2010-ës.
Në verilindje të SHBA-së parashikohen temperatura deri në fund të intervalit 30 gradë Celsius (mbi 35°C), ndërsa në Filadelfia dhe Boston termometri mund të kalojë edhe 38°C deri të enjten. Duke marrë parasysh edhe lagështinë e lartë, temperatura e ndjerë do të jetë edhe më e lartë, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit.
Një fenomen i njohur si "kupola e nxehtësisë" (heat dome) – një sistem me presion të lartë atmosferik që bllokon nxehtësinë dhe lagështinë mbi një rajon – ka përfshirë pjesë të mëdha të SHBA-së, nga Midëest-i deri në Bregun Lindor.
Ai pritet të sjellë kushte të vështira gjatë paradave për 250-vjetorin e pavarësisë amerikane, lundrimeve ceremoniale të anijeve, koncerteve në natyrë dhe, në Boston, gjatë leximit tradicional publik të Deklaratës së Pavarësisë nga ballkoni historik, që do të mbahet të shtunën.
Komente






