Pas ngjarjes së rëndë të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, presidenti Bajram Begaj ka pritur në zyrë krerët e institucioneve të drejtësisë për të zhvilluar konsultime.

Në zyrën e Begajt ka mbërritur kreu i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë Artur Metani, kreu i Këshillit të Lartë Gjyqësor Ilir Rusi, kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, kreu i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, kreu i Këshililit të Lartë të Prokurorisë Mirela Bogadani dhe kreu i Prokurorisë së Përgjithshme Olsian Çela, bëjnë me dije burime për gazetaren e Report Tv, Daniela Maloku.

Bisedimet mes kreut të shtetit dhe aktorëve kryesorë të drejtësisë, po zhvillohen në kuadër të përmirësimit apo të reformimit të rregulloreve përsa i përket çështjeve të sigurisë në gjykata. Këto takime e të tjera që priten në vijim, vijnë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit Gjykatën e Apelit teksa po ushtronte detyrën e tij.

Kush e ka përgjegjësinë për ruajtjen e Gjykatave?

Pas vrasjes së gjyqtarit Kalja në sallën e gjyqit, debati që dominoi opinion publik dhe solli akuza edhe mes inistucuoneve ishte pyetja se kush është përgjegjës për garantimin e sigurisë në gjykata. KLGJ publikoi shkresat me Policinë e Shtetit ku në bazë të një VKM-je të vitit 2010 i kishte kërkuar masa për garantimin e sallave të gjyqeve me policë. Sipas KLGJ, Policia e Shtetit aktualisht ofron shërbimin e saj vetëm me një punonjës në hyrjen kryesore ku lëvizin palët dhe publiku.

Por, një VKM e vitit 2020 ngarkon me përgjegjësi Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë për hartimin e politikave për rregullin dhe sigurinë, përkatësisht në Gjykata dhe prokuroritë e vendit. Elementi më i rëndësishëm në këtë VKM është “punonjësi i sigurisë” i cili është përgjegjësi kryesor që garanton rregullin dhe sigurinë.