GJIROKASTER - Emigratët, që kanë probleme me toponimet në pasaporta, do të lejohen të kalojnë kufirin Shqipëri - Greqi për të festuar Pashkët. Ata do lejohen të lëvizin nga dita e sotme deri më 12 maj, datë pas së cilës nuk do të lejohen më.

Këtë njoftim e ka bërë drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër, Admir Abrija, i cili ka realizuar një takim në policinë greke me drejtorin e Janinës dhe komandantin e Kakavijës.

Abrija ka ngritur shqetësimin e ligjshëm të emigrantëve, që s'kanë mundësi të sjellin në Shqipëri fëmijët e tyre që kanë lindur në Greqi për shkak të toponimeve.

Palët ranë dakord që prej ditës së sotme deri më datë 12 maj, të lejohen të hyjnë të gjithë fëmijët që kanë aktualisht probleme me toponimet. Kjo marrëveshje u arrit në kuadër të festës së Pashkëve. Pas datës 12, vendimi për moslejimin e kalimin e fëmijëve që kanë probleme me toponimet, do të hyjë sërish në fuqi.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)