TIRANE- Kolonel Myslim Pasha, i cili u bë i njohur për mbarë opinionin publik shqiptar për kundërshtimin e marrëveshjes së parë detare mes Shqipërisë dhe Greqisë i kërkon qeverisë shqiptare që të respektojë institucionet në kuadër të një marrëveshjeje të re që pritet të hartohet mes dy vendeve. Sipas tij, kjo është garancia e vetme që nuk do të lejojë përsëritjen e gabimeve që bëri qeveria e kaluar.

Në një intervistë për gazetën Shqip, Pasha e ka parë vizitën e ministrit të Jashtëm grek të shoqëruar me një ogur të mirë, atë të rinisej së diskutimeve për një marrëveshje, pa u bazuar tek e para, e cila është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese shqiptare. Koloneli, e quajti atë që përdori Venizellos një “diplomaci ekselence”, duke mos pranuar të hyjë në detaje për çështjen detare. Pasha thekson se diplomacia shqiptare në kohën e Berishës mund të mos ketë pasur si qëllim “shitjen e detit” tek pala greke, por mund të ketë kryer një marrëveshje të gabuar, nisur nga një paaftësi tërësore dhe inferiore e saj ndaj palës greke.Si e vlerësoni vizitën e zv/kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm grek, Venizellos, në Tiranë dhe atë që pritet të zhvillohet në nëntor nga Presidenti i këtij vendi, Papulias, në kuadër të nevojës për të përmbyllur marrëveshjen detare mes dy vendeve?

Në një fillim të tillë të qeverisë së re, natyrshëm hapat diplomatikë duhet të rrëfejnë udhën e një spektakli të ardhshëm se si do të shkojë ecuria e përpjekjeve për një qeverisje të mirë, edhe për një dritësim fqinjor, duke fshirë farën e konflikteve që të krijojnë ngërçe ose gravitet artificial pengues. I pari ishte Rama që përdori një term të këtij spektakli “zero probleme me fqinjin” për të na dhënë kumtin e një ere të re. Të gjithë do ta dëshironin një erë të re, sepse interesat e të dy shteteve e kërkojnë këtë. Historia e marrëdhënieve tona ka marrë “karikime” në kohë të ndryshme dhe këto qendra të lëna diku në strofulla historike japin sinjale se janë aty dhe s’janë tretur, e këto realitete vetëm me diplomaci mund të menaxhohen, sepse krizat që mund të shpërthenin prej tyre do të sillnin dëme të pariparueshme. Të gjithë e kuptojnë se ka një mirëkuptim të ndërsjellë gjersa na përcillet një kujdes i veçantë deri gati-gati në terma të njëllojta dhe një “make up” shumë i veçantë i tyre. Marrëdhëniet tona nuk mund të quhen të ngrira, atyre u shkon për shtat t’u thuash se kanë pasur dinamikën reale të zjarreve të ndezura…, ndryshe nuk do të kishim as ligj lufte absurd, as Çështje Çame “të kallur në Dhe”, as flakërima qarqesh vorioepirote me shfaqje kryqtarësh  të tyre anembanë botës, as “Agim të Artë” politik me projekte “mësymjesh”…etj. Megjithatë, është koha që akti tjetër i veprës të shihet me syrin e regjisorëve të rinj. Po ne nuk jemi dot në gjendje të themi se a do të ndryshohen dot kaq lehtë tekstet e shkruara më parë.

Zëvendëskryeministri Venizellos erdhi në Tiranë me një dëshirë dhe qëllim shumë të mbarë çka u duk edhe në deklaratat e tij, kur me shumë kujdes as që e ceku Marrëveshjen famëkeqe të rrëzuar. Dihet, se më parë, ministra të Jashtëm të Greqisë kanë deklaruar se Shqipëria duhet të zbatojë marrëveshjen e parë etj., etj… U kuptua pra se për të dy shtetet nuk ka marrëveshje dhe se ajo do të fillojë nga e para. Ky është ogur i mirë.

Sa i përket asaj që shkoi, pra Paktit të rrëzuar ç’përgjegjësi mban qeveria e Berishës?

Pala greke nuk mund të fajësohet.  Këtë do ta thotë me siguri  historia e ndarjes detare. Të dy palët ishin në negociata të barabarta para ligjit të Detit. Ishin në një betejë diplomatike dhe do të luftonin secila për të fituar, e për të mos humbur nga kjo ndarje e një pasurie të pallogaritshme, por dhe jo më pak  të dinjitetit kombëtar. Nuk ka asnjë dëshmi që të tregojë se pala greke ka diktuar. Pranimi ka qenë i dypalshëm. Ndërkaq, humbja u takoi shqiptarëve. Ngjarjet që pasuan rrëfyen qartas se Berisha ishte protagonisti kryesor i këtij projekti derisa ai vetë si kurrë ndonjë lider i ndonjë vendi tjetër të bëhet oponent i një pakti dhe me kompas në dorë, të dalë para hartave detare duke matur humbjen e vendit të tij. Ndërsa të gjithë zyrtarët negociatorë vijojnë ende të vegjetojnë të lumtur.  Deklarata e tashmë e z. Venizellos që nuk e ceku historinë, e shton edhe më shumë misterin e asaj që ndodhi. Shqiptarët nuk e kanë të qartë  “nëse me të vërtetë projekti kërkoi të shesë hapësirën detare shqiptare “apo thjesht ishte një paaftësi  tërësore inferiore e zyrtarëve shqiptarë…

Si e konsideroni përcaktimin e z.Venizellos mbi politikën e intergruar detare?

Unë e ndiej shumë me vlerë deklaratën për një politikë të integruar detare, e cila në epiqendër ka Mesdheun… por nuk mund të konceptoj dot se kjo bazë e përbashkët përbëhet nga presidencat e njëpasnjëshme të Greqisë dhe Italisë. Mesdheu Jetësor nuk është vetëm i Greqisë dhe  Italisë, por i të gjithëve shteteve që lagen prej tij, pra kësilloj, ai nuk mund të jetë vetëm Mesdhe i Politikës së BE, por një gjeohapësirë që u përket ndarazi secilit shtet që ka zotërimin në të në bazë të Ligjit të Detit dhe pastaj domosdo me gjithëpërfshirjen europiane.

Është e njohur, tanimë, se të gjithë vendet e BE “pranojnë të drejtën ndërkombëtare mbi detin dhe Konventën e OKB-së mbi zbatimin e së drejtës…detare”, por hapat parësorë mbeten çështje teknike të së Drejtës Ndërkombëtare Detare që u takon shteteve fqinje, që e kanë ratifikuar Konventën e Montego Bay- UNCLOS-82,  për t’i ndarë detet e tyre në fqinjësi dhe mirëkuptim të ndërsjellë diplomatik. Duke iu referuar sërish deklaratës së Z. Venizellos se “Nuk ka asnjë ndryshim midis delimitimit të zonës ekonomike dhe kontinentale” do të theksoja që për lexuesin apo dëgjuesin shqiptar është e nevojshme të sqarohet, se në ndarjen detare midis të dy shteteve tanë kemi (a) Hapësira Ekonomike Ekskluzive, në Ngushticën e Otrantos dhe (b) Deti Territorial që vijon gjatë gjithë Kanalit të Korfuzit …i cili është tërësisht i barasvlershëm me dheun kontinental. Kuptohet që ndarja detare midis Greqisë dhe Shqipërisë mbetet shumë komplekse dhe mund të krahasohet vetëm me rastin midis Turqisë dhe Greqisë, e cila gjithashtu nuk është ndarë. Zëvendëskryeministri grek me një kulturë diplomatike ekselente bëri një paraqitje globale të çështjeve, por askurrë nuk deshi t’u afrohet (dhe mirë bëri!) hollësirave detare që u zbuluan pas Paktit të nënshkruar, të cilat e kanë bërë edhe më shumë komplekse negociatat e ardhme.  E gjitha kjo,  vetëm për fajin e palës shqiptare. Këtë unë e them (edhe pse me dhimbje) me zë të lartë.

Cilat janë këshillat që ju i jepni qeverisë së re në kuadër të rinegocimit me palën greke, për sa i përket kësaj marrëveshjeje?

Nuk mund të japë dot asnjë këshillë dhe nuk e kam këtë tagër. Sa herë kujtohem dhe përfshihem në meditime hartografike detare për këtë ngjarje, për herë e më shumë më shtohet konstatimi tërësor se sa poshtë qëndrojnë në mënyrë kriminale institute dhe qendra studimore që rrojnë me paret e shqiptarëve e që gjallojnë pa mbajtur asnjë përgjegjësi, për fushën e studimeve të tyre detare, gjeografike, strategjike, të kufirit tokësor dhe detar, të së drejtës ndërkombëtare detare, diplomatike etj. Ato qëndrojnë indiferente e gjer tash nuk kanë organizuar asnjë takim, asnjë tryezë studimore asnjë Workshop Kombëtar nisur nga që ndodhi me Paktin Detar. Shteti në secilin hap që bën ka studimet e institucioneve të tij. Në Shqipëri është një kohë rrënimi dhe mallkimi që do të ketë pasoja edhe më të rënda.  Jo vetëm në fushën për të cilën po flasim,  por këtu nuk ka studime që të paraprijnë hapat e ardhmërisë për: pronën, planëzimin dhe menaxhimin urban, për pyjet, për turizmin bregdetar apo malor për faunën, për sistemet e informacionit gjeografik, për trashëgiminë kulturore kombëtare etj., etj. Ja pra cilat janë kanalet informative studimore që duhet të ketë Qeveria e Republikës së Re: Institucionet.

Marrë nga gazeta Shqip

(sg/shqiptarja.com)