TIRANË - Besimtarët ortodoksë në mbarë vendin nisën mesnatën e të shtunës dhe në orët e para të mëngjesit të së dielës kremtimin e Pashkëve ortodokse.
Ata morën pjesë në meshën e Pashkëve, që u drejtua nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.
“Merrni dritë nga drita që nuk perëndon kurrë”, ishte shprehja me të cilën Kryepeshkopi Janullatos iu drejtua besimtarëve ortodoksë në mesnatë, në momentin e ringjalljes së Jezusit të Nazaretit, tri ditë pas vdekjes i kryqëzuar, me shpresën se besimtarët do të mund të marrin dritë nga drita e pashueshme e Perëndisë.
Flaka që u ndez në atë moment simbolizon ringjalljen e Krishtit pas sakrifikimit të tij në kryq. Besimtarët kanë ndezur qirinj dhe kanë uruar njëri-tjetrin për paqe, begati dhe lumturi.

FESTA
Pashkët simbolizojnë edhe thelbin e krishtërimit, ringjalljen e Krishtit, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati.

Meshat e shenjta janë mbajtur në të gjitha kishat ortodokse të Shqipërisë. Besimtarët nisën ceremonitë e Pashkëve që të premten, e quajtur dhe e premtja e zezë e deri në mesnatën e djeshme.

(aq/shqiptarja.com)