Besimtarët ortodoksë festojnë sot ditën më të rëndësishme në kalendarin e tyre, ringjalljen e Krishtit. Festa e Pashkës sjell mesazh shprese e ripërtëritjeje shpirtërore për ta duke u kujtuar rëndësinë e dashurisë, bashkimit dhe faljes.
Urimet besimtarëve ortodoksë ia përcollën edhe krerët më të lartë të vendit.
“Mirëmëngjes dhe në këtë mëngjes të bekuar ju uroj, gëzuar Pashkën ortodokse!”, thotë postimi.
Presidenti Bajram Begaj e nisi ditën me një urim për paqe e begati, ndërsa mesazhin e tij për të gjithë besimtarët ortodoksë e dha nga Korça, pas takimit me Mitropolitin Anasatas.
Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi uroi besimtarët në të gjithë vendin me pamje nga Katedralja Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Korçë.
“Sjellë kjo ditë të shenjtë gëzim në çdo familje, dashuri në çdo shtëpi dhe bekime të pafundme në jetën tuaj. Krishti u Ngjall!”, shkruan numri dy i shtetit në urimin e tij.
‘Krishti u ngjall’ është refreni i kësaj dite festive që shprehet njëzëri nga të gjithë besimtarët. Vezët e kuqe janë simbol i lindjes së jetës nga guaska e vdekjes.

Delegacioni i Bashkimi Evropian në Tiranë ka uruar sot besimtarët ortodoksë shqiptarë për festën e Pashkës.
Përmes një mesazhi zyrtar, Delegacioni përcolli urimet për një festë të qetë dhe plot shpresë për të gjithë komunitetin.
“Delegacioni i BE-së i uron një Pashkë të gëzuar dhe të paqtë komunitetit ortodoks në Shqipëri. Urojmë që kjo festë e veçantë të sjellë shpresë, paqe dhe begati për të gjithë”, thuhet në urim.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka qenë ditën e sotme në Korçë, ku ka vizituar Mitropolinë e qytetit, me rastin e Pashkës Ortodokse.
Begaj u takua edhe me mitropolitin Anastas dhe pas takimit, gjatë fjalës së tij para mediave, Kreu i Shtetit përsëriti urimin e tij për mirësi e dashuri për besimtarët ortodoksë.
"Shumë faleminderit për mikpritjen. Jam sot shumë i gëzuar që gjendem në Korçë për të uruar nga Mitropolia e Korçës besimtarët ortodoksë, gëzuar Pashkën. Qoftë e bekuar për të gjithë besimtarët por edhe për të gjithë shqiptarët. Uroj që drita e qiririt e marrë mbrëmë në kishë të ndriçojë zemrat e çdo individi, çdo besimtari, të gjithë shoqërisë tonë dhe të bëhemi më të mirë me njëri tjetrin, më solidarë dhe më të mbarë për njëri tjetrin. Me këtë rast i uroj edhe hirësisë së tij Anastasit, që të ketë një shërbesë të mbarë, të suksesshme këtu në Mitropolinë e Korçës", është shprehur Begaj.
Ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja, ka uruar besimtarët ortodoksë për festën e Pashkës, duke përcjellë një mesazh paqeje dhe harmonie.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ndau edhe pamje mbresëlënëse nga kishat ortodokse në Shqipërinë e Mesme, duke e shoqëruar urimin me simbolikën e kësaj dite të shenjtë.
“Gëzuar Pashkët Ortodokse! Në këtë ditë të shënuar të Ngjalljes së Krishtit, me pamje nga kishat ortodokse në Shqipërinë e Mesme, ju përcjellim urimet më të përzemërta për paqe, mirëkuptim dhe harmoni!”, shkruan Gonxhja.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ledina Alolli, ka uruar Pashkët Ortodokse nga qyteti i Korçës.
Teksa vizitoi katedralen e qytetit të Korçës, Alolli ju uroi të gjithë shqiptarëve mbarësi dhe shëndet në familjet e tyre.
“Krishti u Ngjall! Për të gjithë besimtarët ortodoksë kudo që ndodhen, por edhe për të gjithë shqiptarët që festojnë sot këtë ditë të shenjtë, uroj nga zemra paçi vetëm mbarësi dhe shëndet në familjet tuaja. Sot kjo ditë vjen me një mesazh shumë të rëndësishëm dhe drita gjithmonë fiton mbi errësirën, e mira fiton mbi të keqen. Le të jetë kjo dritë që të sjellë mirësi dhe mbarësi në familjet tuaja”, tha mes të tjerash Alolli.
Kryetari i Parlamentit, Niko Peleshi, ka uruar nga Korça Pashkët Ortodokse.
Teksa vizitoi Katedralen e qytetit, Peleshi u uroi gjithë shqiptarëve që mirësia e këtyre ditëve të përhapet në të gjitha shtëpitë e qytetarëve.
"Faleminderit që më krijuat mundësinë të bashkoj urimin tim mes mijëra e dhjetra mijëra urimeve të këtyre ditëve. Dita e Pashkës është një ditë e gëzuar, një ditë mirësie dhe do të uroja që mirësia e këtyre ditëve të përhapet në të gjithë qytetarët e Korçës, në të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Pashkë të mbara dhe ditë të paqta të pasojnë", tha mes të tjerash Peleshi.

Partia e Lirisë ka uruar sot të gjithë besimtarët ortodoksë për festën e Pashkës, duke përcjellë mesazhe shprese dhe besimi.
Në urimin e tij nga burgu, Ilir Meta thekson simbolikën e kësaj feste si triumf i jetës dhe i shpresës mbi errësirën.
“Krishti u ngjall! Vërtet u ngjall!… Ngjallja e Krishtit na kujton se, sado e fortë të duket e keqja, asgjë nuk mund ta ndalë dritën dhe të mirën që të triumfojnë mbi errësirën”, shprehet ai.
Më tej, Meta ndalet edhe te mesazhi i faljes, duke cituar lutjen e Krishtit në Kryq: “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë se ç’bëjnë!”, që sipas tij mbetet një mësim i përjetshëm për fuqinë e dashurisë mbi çdo të keqe.
Në një deklaratë publike, Sekretari i Përgjithshëm, Tedi Blushi, uroi për më shumë shëndet, paqe dhe begati në familjet shqiptare.
“Në emër të Partisë së Lirisë ju përcjellim urimet më të përzemërta… Gëzuar Pashkën, sa më shumë shëndet, mbarësi, lumturi, paqe dhe begati në familjet tuaja. E keqja mund të duket e pamposhtur, por drita dhe e mira do të triumfojnë”, tha ai.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përcolli sot një urim me rastin e Pashkës ortodokse për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë duke e shoqëruar mesazhin e tij me pamje nga ceremonia e zhvilluar mbrëmjen e kaluar në Kishën e Shën Kollit në Voskopojë.
Në mesazhin e tij, Kreu i Shtetit uron për më shumë dritë në jetën e besimtarëve duke u nisur nga simbolikë e dritës së ngjalljes së Krishtit dhe shpërndarjes së saj.
Presidenti Begaj uron që kjo festë e shenjtë të sjellë paqe, dashuri dhe bekime për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë, duke nënvizuar vlerën e besimit dhe shpresës që kjo dritë përfaqëson.
“Me këtë pamje nga mrekullia e dritës që ndezi mbrëmë zemrat e besimtarëve ju uroj: Gëzuar Pashkën të dashur besimtarë ortodoksë shqiptarë! U përhaptë kudo dritë e pranisë së Zotit dhe ndriçoftë jetën tuaj me besim, shpresë e gëzim!”, shkruan Begaj krah postimit në rrjete sociale.
Komente











