DROGA TRANSPORTOHEJ ME MUSHKE
Operacioni i specialistëve të Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër u krye mbrëmë 12.04.2012, rreth orës 20.30 pas një informacion në rrugë operative se mbi fshatin Lazarat në malin e Sopotit disa shtetas po transportonin me kafshë dore, mushka, një sasi të madhe lënde narkotike me destinacion përfundimtar Greqinë.
Shtetasit që transportonin lëndën narkotike , ishin ndarë në grupe , me qëllim që të kontrollonin rrugët dhe të lajmëronin njëri - tjetrin për çdo problem që mund t’u dilte gjatë transportit. Porsa kanë parë policinë që po lëviste në drejtim të malit të Sopotit kanë marrë çantat me krah dhe kanë vijuar lëvizjen me shpejtësi për në drejtim të fshatit Rusan të rrethit Delvinë.
Rreth orës 21: 30 minuta u arrestuan 2 persona si dhe u sekuestruan katër çantave të mëdha shpine të mbushura me lendë narkotike.
Operacioni vijoi rreth orës 23.30 minuta kur në një ndërtesë të braktisur në fshatin Rusan të rrethit të Delvinës policia gjeti 6 çanta të tjera të mbushura me pako me lëndë. Policia arrestoi në flagrancë dhe një shtetas që ruante lëndën narkotike.
Gjatë operacionit u sekuestruan 10 çanta shpine, të mbushura me pako me lëndë narkotike, gjithsej 307 kg drogë, si dhe u kapën në flagrancë tre shtetas.
Lënda narkotike ishte paketuar në forma të ndryshme. Në katër çantat e para u gjetën dhe u sekuestruan 150 pako në formë katrore të mbështjella me letër natriban me peshë 1 kilogramë secila gjithësej 150 kilogramë.
Në 4 çanta të tjera që u gjetën në ndërtesën e braktisur u gjetën 128 pako në formë cilindrike të mbështjella me letër natriban me peshë 1.1 kilogramë secila gjithësej 140.8 kilogramë mariuanë. Ndërsa në dy çanta të cilat ishin më të vogla u gjetën tre pako të mëdha të mbështjella me letër natriban ngjyrë kafe me peshë 5.4 secila gjithësej 16.2 kilogramë.
GRUPI VEPRONTE I MIREORGANIZUAR
Policia arrestoi në flagrancë Markelian Alinani , 35 vjec , Artur Shukulli 38 vjec dhe Indrit Alinani , 22 vjec, të tre nga Delvina. Gjithashtu janë shpallur në kërkim edhe 6 shtetas të tjerë , nga këta dy shtetas nga fshati Lazarat dhe 4 shtetas nga fshati Rusan i rrethit Delvinë. Për arsye hetimi nuk bëhen të ditur emrat. Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve po punojnë për dokumentimin me prova ligjore të veprimatrisë së këtyre shtetasëve. Mbi bazën e informacioneve të grumbulluara në rrugë operative nga ana e Specilaistëve të Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër këta shtetas vepronin në grup të mirorganizuar me aktivitet kriminal në fushën e trafikut të lëndëve narkotike.
Lënda narkotikë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe materialet për këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të “Prodhim dhe shitje të narkotikëve kryer në bashkëpunim”.
(sg/shqiptarja.com)