Pasi mori dakordësinë e kryeministrit Edi Rama në parlament, kreu i Partisë Republkane, Fatmir Mediu ka dorëzuar në Kuvend projektrezolutën duke kërkuar mbajtjen e një qëndrimi të përbashkët në lidhje me situatën në rajon dhe ndikimin rus e serb. Sipas Mediut, ndikimi rus dhe serb në rajon po nxit konflikte, duke kërkuar që Shqipëria ta adresojë këtë edhe në NATO.

Në një deklaratë për mediat, Mediu i referohet situatës mes Serbisë dhe Kosovës që u acarua jo pak disa javë më parë, situatës së brendshme politike në Maqedoninë e Veriut dhe po ashtu edhe situatës në Bosnje Hercegovinë, teksa thotë se situata është serioze dhe duhet trajtuar si e tillë.

"Duke ndjekur me vëmendje të veçantë rritjen e tensioneve ndëretnike në rajonin tonë, tensione me rrezikshmëri të lartë për ringjalljen e konflikteve të përgjakshme, të cilat janë në thelb të lidhura me politikën e Serbisë ndaj fqinjëve të vet, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Malin e Zi. Duke u bashkuar me shqetësimin e shprehur nga Parlamenti Europian, Kongresi Amerikan, Parlamenti Britanik, nga disa qeveri të vendeve europiane dhe shumë analistë seriozë në Europë e në SHBA, shqetësim i mbështetur sidomos në përpjekjet e fundit të Republika Srbska, për t’u shkëputur nga Bosnje Hercegovina, gjë që po çon, sipas vlerësimit të përfaqësuesit të lartë të BE-së në BiH, Christian Schmidt, në shembjen e marrëveshjes së paqes, nënshkruar në Dejton në vitin 1995, me ndërmjetësimin e SHBA. Duke i parë të ndërlidhura narrativat destabilizuese të Presidentit Vucic dhe zyrtarëve më të lartë të shtetit serb, me ndërhyrjet e hapura për të penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, me tentativat e Republika Srbska për të krijuar ushtrinë e saj, jashtë kontrollit kushtetues të Sarajevës, deklarimet për shkëputje nga BiH, situatën e paqëndrueshme politike në Maqedoninë e Veriut, si dhe me dislokimin e kohëve të fundit të ushtrisë serbe në kufi me Republikën e Kosovës, gjë që e shtyu Kryeministrin Kurti të paralajmëronte se rajoni po shkonte drejt një konflikti të armatosur; Duke parë gjithashtu se kjo tablo shqetësuese është e ndërlidhur ngushtë me intensifikimin e shumëfishtë të pranisë Ruse në rajonin tonë, në zbatim të deklaratës së Presidentit Putin, se “Ballkani është një back yard i Rusisë”, gjë që në realitet po kryhet përmes mbështetjes ndaj Serisë, për t`a shndërruar atë në fuqi dominuese në Ballkanin Perëndimor, si rrugë për t`a rritur presionin mbi Uashingtonin dhe Brukselin", tha Mediu.

Ai listoi edhe 5 pikat e projektrezolutës që do t'i dorëzohet Kuvendit, ku kërkohet edhe intensifikimi i ndihmës ndaj Kosovës për anëtarësimin e saj NATO. Po ashtu ai propozon edhe organizimin e një forumi ndërparlamentar me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Mali të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Propozimet e Mediut:

1.Të ngarkojë qeverinë e Republikës së Shqipërisë në këshillim me partnerët tanë strategjikë dhe ta adresojë urgjentisht këtë problematikë  në NATO.

2.Nëpërmjet delegacioneve të veta në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, t`a shpërndajë këtë rezolutë në këto asamble dhe t`a bëjë atë objekt debati atje, si dhe forumet e tjera ndërparlamentare.

3.I kërkon qeverisë, si anëtare e përkohëshme për dy vitet e ardhshme e Këshillit të Sigurimit të OKB, të përcaktojë qartësisht objektivat për rajonin dhe Kosovën.

4.Të shtohet mbështetja për Integrimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare, duke shpjeguar me theks të ri, se lënia e këtij shteti të ri jashtë, e ekspozon atë dhe rajonin me lehtësi përballë kërcënimeve ruso-serbe.

5.Të organizojë një forum ndërparlamentar Shqipëri - Mali i Zi – Kosovë – Maqedoni e Veriut, me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike parlamentare. 

Projekt Rezoluta