'Pasion dhe punë e palodhur', Armand Duka: Tifozët shqiptarë të 'skuqin' Gjermaninë

'Pasion dhe punë e palodhur', Armand Duka: Tifozët shqiptarë të 'skuqin' Gjermaninë

Armand Duka, kreu i FSHF-së

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë një intervistë për median italiane “Sportpress24.com”, ku ka bërë një analizë të suksesit të fundit të kombëtares shqiptare, që u kualifikua për të dytën herë në histori në finalet e një Kampionatit Europian pas një edicioni të shkëlqyer në fushatën kualifikuese, ku arriti të renditej në vendin e parë të grupit E.

"Ne kemi nisur përgatitjet që pas ndeshjes kundër Çekisë, pasi pothuajse e kishim siguruar kualifikimin. Në planin organizativ kemi gjithçka gati, kemi përzgjedhur kampin bazë ku do të akomodohet ekipi ynë gjatë finaleve të Kampionatit Europian në Gjermani. Është një kompleks sportiv shumë i mirë në Kaiserau, shumë afër Dortmundit dhe Dyseldorfit, ku ne do të luajmë dy nga tre ndeshjet e grupit tonë", tha Duka.

- Në grupin tuaj, keni kundërshtarë të fortë si Spanja, Italia dhe Kroacia. Çfarë prisni të arrini ndaj këtyre rivalëve?

Nuk vihet në dyshim që ky është një grup shumë i fortë, siç është etiketuar “Grupi i Ferrit”. Të treja skuadrat me të cilat do të ndeshemi, kanë vlera dhe nivele të padiskutueshme në futbollin europian, të cilat meritojnë respekt maksimal. Italia është kampionia në fuqi e Europës me një stil të veçantë futbolli, e cila gjithnjë llogaritet si favorite e kompeticionit. Kroacia është gjysmë-finaliste e Botërorit të fundit, me mjaft futbollistë të niveleve të larta. Spanja mbetet një ekip i traditës, e cila në këto dy dekadat e fundit, ka fituar shumë si kombëtare, por edhe ka qenë lart në nivele klubesh. Por edhe ne kemi bërë një sezon shumë të mirë kundër skuadrave jo të lehta si Polonia, Republika Çeke, Moldavia e Ishujve Faroe.

-Si e promovoni zhvillimin e futbollit në Shqipëri dhe si ndikon ky sukses në sportin shqiptar?

Asnjë sukses nuk arrihet në një ditë. Edhe Roma nuk u ndërtua në një ditë. Për më tepër në kohët e sotme. Kur ritmet janë shumë të larta dhe futbolli, duke qenë loja më e rëndësishme në botë, ka një vëmendje të madhe. Na duhet shumë punë për t’u ngjitur lart. Për të arritur rezultate në futboll duhet pasion, të punosh fort dhe fat. Në rastin tonë janë dy të parat pasioni dhe puna e fortë dhe e programuar, me strategji e objektiva të qartë. Prej kohësh ne kemi hartuar dhe miratuar strategji për zhvillimin e futbollit në vend, që përfshin shumë elementë që ndikojnë në arritjen e rezultatit. Më të rëndësishmet kanë qenë përmirësimi i përditshëm i infrastrukturës, edukimi i stafeve, zhvillimi i futbollit të fëmijëve, etj. Të gjitha këto, kanë ndikuar në arritjen e rezultateve pozitive.

– Cilat janë pritshmëritë tuaja për Kombëtaren shqiptare në këtë turne madhor ndërkombëtar?

Mezi pres që lojtarët, stafi e tifozët ta shijojnë pjesëmarrjen në Euro, të shijojnë suksesin e tyre. Futbollistët nuk duhet të kenë asnjë lloj ngarkese, ata e kanë bërë detyrën na kanë bërë krenarë me pjesëmarrjen në Euro, atë që nuk e kishim provuar e shijuar kurrë në histori po e shijojmë për herë të dytë në harkun e tetë viteve. Ne nuk duhet të bëjmë asgjë më shumë se sa kemi bërë në ndeshjet kualifikuese, impenjim maksimal, frymë skuadre, besim në skuadër e jo në vlera individuale, do të vlerësojmë çdo sekondë e minutë, do bëjmë më të mirën e do të synojmë të kalojmë grupin, dhe nëse arrijmë do të jemi të kënaqur, nëse shkojmë akoma më larg do të lumturohemi. Por për një gjë jam shumë i sigurt, që tifozët tanë do e “skuqin” Gjermaninë, do na mbështesin pa kursim e kjo do të jetë një tjetër armë e fortë për skuadrën", tha mes të tjerash Duka.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Bruksel/ Në pritje të nisjes së Samitit, Rama takohet me Komisioneren e BE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos

Bruksel/ Në pritje të nisjes së Samitit, Rama takohet me Komisioneren e BE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos