Pasojat ekonomike të paqes në Ukrainë

Pasojat ekonomike të paqes në Ukrainë

Foto ilustruese

Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës nuk tregon asnjë shenjë se është afër fundit. Ndaj është shumë herët të fillojmë të mendojmë se si mund të sigurohet stabiliteti, prosperiteti dhe siguria e Ukrainës së pasluftës. Aktualisht po ndodhin 2 diskutime: njëri për financimin e rindërtimit ekonomik, dhe tjetri për garantimin e sigurisë së jashtme të Ukrainës. Problemi është se këto diskutime po vazhdojnë të ndara nga njëra-tjetra, edhe pse të dyja këto çështje janë të lidhura ngushtë midis tyre. Kostot e rindërtimit janë ende të paqarta, pasi e tillë është edhe rrjedha e luftës. PBB-ja e Ukrainës para luftës ishte rreth 150 miliardë dollarë.

Duke pasur parasysh raportin kapital-output baras me 3, dhe duke supozuar se 1/3 e stokut të kapitalit do të shkatërrohet, flasim sërish për një shumë prej 150 miliardë dollarësh. Si gjithmonë, supozimet alternative na japin skenarë alternativë. Por shuma prej 150 miliardë dollarësh duket si një pikënisje e arsyeshme.

Dhe ajo nuk është e pamundur të grumbullohet nga donatorët. Pasi është sa 1/6 e programit “NextGenerationEU”, për të cilin shtetet e Bashkimit Evropian ranë dakord në korrikun e vitit 2020. Po ashtu, është 1/12 e madhësisë së Aktit të Planit Amerikan të Shpëtimit të nënshkruar nga Presidenti i SHBA-së Xho Bajden në marsin e vitit 2021. Megjithatë, duket si e gabuar t’u kërkosh Shteteve të Bashkuara dhe Evropës që të ndërtojnë atë që ka shkatërruar Rusia. Prandaj, është joshëse të sugjerohet se rindërtimi i Ukrainës duhet të financohet me përdorimin e aseteve ruse. Me 284 miliardë dollarë, rezervat e ngrira të Bankës Qendrore të Rusisë, do t’i përshtateshin këtij procesi.

Dhe në fakt ka një arsyetim moral për reparacionet: Rusia nisi një luftë të paprovokuar, dhe është gati e sigurt se ka kryer krime lufte. Por ekziston edhe një argument i bazuar tek strategjia e parandalimit. Siç e tha presidenti ukrainas Volodimir Zelenski në Forumin e Davosit të këtij viti: “Nëse agresori humb gjithçka, atëherë patjetër që kjo e privon atë nga motivimi për të filluar një luftë tjetër në të ardhmen”.

Garancitë e sigurisë janë po aq jetike për rimëkëmbjen ekonomike, sa edhe siguria për popullsinë e Ukrainës. Ndihma zyrtare nuk mund ta financojë përherë ekonominë ukrainase, ndaj do të kërkohen investime private. Por investimet e huaja nuk do të shkojnë në Ukrainë,  nëse nuk ka siguri. Në fakt, as vetë ukrainasit nuk do të investojnë në një situatë të tillë. Perëndimi mund ta forcojë aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur veten, duke i dërguar armë më të fuqishme. Por, për sa kohë që Rusia është e armatosur me armë bërthamore dhe Ukraina jo, ekuilibri strategjik do të anojë gjithnjë në favor të Moskës.

Një garanci sigurie nga SHBA dhe BE, mund ta zbehë avantazhin e Rusisë, por Perëndimi heziton jo pa arsye që të përballet me rreziqet e mundshme. Zgjidhja e vetme e qëndrueshme është që Rusia të pranojë pavarësinë politike dhe integritetin territorial të Ukrainës. Dhe dëmshpërblimet janë gjëja e fundit që nevojitet për ta arritur këtë gjë. Pasi ato do të nënkuptonin vështirësi shtesë për një popullsi ruse që po përjeton tashmë shumë vështirësi. Ndërsa ekonomia pritet të bjerë këtë vit me 10-20 për qind, Rusia gjendet në një situatë delikate. Sigurisht, një qasje shumë e butë ndaj Rusisë në këto momente është e rrezikshme. Dhe Putin nuk duhet që të shpërblehet në asnjë rrethanë për agresionin e tij ndaj Ukrainës. Por ekziston edhe rreziku i kundërt. Rusia duhet ta njohë integritetin politik dhe territorial të Ukrainës. Por ndëshkimi i mëtejshëm gjatë negociatave të paqes, nuk do ta bëjë këtë më të lehtë. Ne duam që qeveritë e ardhshme ruse t’i respektojnë normat ndërkombëtare.

Por evokimi i këtyre normave për të marrë dëmshpërblim nga Rusia, nuk do ta bënte më të mundshme arritjen e kësaj. Ka një analogji të qartë me reparacionet gjermane pas Luftës së Parë Botërore dhe dispozitën e Traktatit të Versajës për fajësinë e luftës. Me apo pa të drejtë, rusët sot, ashtu si gjermanët atëherë, nuk e shohin veten si përgjegjës të vetëm për luftën. Klauzola e traktatit për fajin e luftës, u dha politikanëve nacionalistë gjermanë arsye për t’u ankuar, duke e shndërruar atë në kauzën kryesore të fushatës së tyre. Kërkesat financiare të vendeve fituese, u dhanë shkas qeverive gjermane të shpërfillnin dispozitat e traktatit për çarmatimin, dhe ndalimin e krijimit të një bashkimi doganor me Austrinë. Për më tepër, reparacionet e ndërlikuan detyrën e stabilizimit dhe rindërtimit të sistemit ndërkombëtar.

Ekonomisti i famshëm britanik Xhon Mejnard Kejnes, i parashikoi të gjitha këto, dhe shumë të tjera në librin e tij “Pasojat e parashikueshme ekonomike të paqes”. Por nuk duhet të teprohet me fajësimin e dëmshpërblimeve të pas Luftës së Parë Botërore. Nuk ishin vetëm dëmshpërblimet që shkaktuan Depresionin e Madh. Dhe nuk ishte vetëm kriza ekonomike në Gjermani, ajo që ngjiti Hitlerin në pushtet më vonë në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore. Analogjia me rrethanat e sotme, si të gjitha analogjitë historike, është e papërsosur. Megjithatë, kjo përvojë është një histori paralajmëruese.

Ndërkohë, ka edhe argumente të tjera kundër reparacioneve. Kështu është e paqartë ligjshmëria e sekuestrimit të aseteve ruse. Qeveritë perëndimore mund të miratojnë edhe legjislacionin përkatës. Kombet e Bashkuara mund të krijojnë një komision me fuqinë për t’i sekuestruar këto pasuri, edhe pse vende si Kina do të kundërshtonin, duke imagjinuar se një ditë mund të jenë vetë në shënjestër. Sido që të jetë, sekuestrimi i aseteve ruse në vendet e huaja, do të bëjë që qeveritë e tjera të mendohen dy herë përpara se të investojnë jashtë vendit. Por thelbi është se kërkesa për reparacione do ta bënte më të vështirë që Rusia të bjerë në fund dakord me pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Me një Rusi armiqësore në pragun e saj, Ukraina do ta ketë më të vështirë të jetë e sigurt, dhe aq më pak të ruajë një rritje ekonomike të shëndoshë dhe të qëndrueshme.

Shënim: Barry Eichengreen, profesor i ekonomisë në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, dhe ish-këshilltar i politikave në Fondin Monetar Ndërkombëtar. / “Project Syndicate” – Bota.al

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Jakin Marena: Heshtja e Kurtit për presionin e Greqisë ndaj Shqipërisë për ‘Belerin’

Jakin Marena: Heshtja e Kurtit për presionin e Greqisë ndaj Shqipërisë për ‘Belerin’