Pasojat e përmbytjeve të lumit Vjosë në fshatin Kashisht pas tërheqjes së ujërave janë tepër të mëdha. Më të prekurit janë kultivuesit e luleshtrydheve të cilët përllogarisin dëme në miliona lekë. Kreshnik Kapaj, dhe Genti Halilaj, përkatësisht me 4 dhe 7 dynymë sera të kultivuara me luleshtrydhe , janë në fazën e larjes së tyre , të cilat janë të mbuluara nga balta.

Përmbytje të tilla nuk i kemi parë që nga viti 1971 thonë ata, ndërsa pohojnë se askush nuk ka dalë në terren për të verifikuar dëmet. Si të mos na mjaftonin dëmet e përllogaritura në mbi 2 milionë lekë, edhe faza e larjes kërkon shpenzime të larta thonë ata, ndërsa ngrica që pasoi pas përmbytjeve , kërkon të tjera shpenzime për mbulimin e serave. Ata kërkojnë njëzëri dëmshpërblim nga shteti, pasi në të kundërt janë drejt falimentimit.

“Jam një fermer që hera e parë që po përmbytemi kështu. Dëmi është shumë i madh. Lumi ka shkuar 1 metër mbi serë. Kërkoj një ndihmë nga shteti. Është mbi 20 milionë lekë dëm. Shpresoj të na ndihmojnë. Janë 4 dynym. Jam më i dëmtuari, janë dhe 2-3 të tjerë. Po i lajmë, kam 2-3 ditë mezi kam larë 2 dynym. Bima është prishur, kokrra po e po”, tha fermeri.

“Më ka dëmtuar 7 dynym. Mbi 30 milionë lekë të vjetra dëm. As nuk ka ardhur njeri të na shihnin. Pa dalë lumi erdhën të gjithë, pasi doli lumi nuk ka ardhur më njeri. Faza më e mirë e vjeljes ishte kjo. Po e lajmë, po shpresojmë nëse do japin prodhim nga marsi. Është një katastrofë e madhe. Jemi përmbytur dhe në vitin 2021 dhe asnjë dëmshpërblim as atëherë e as sot. Të kishin ardhur të kishin bërë vlerësimet e dëmeve. Deri kur ishte lumi gati në të dalë, ishin këtu të gjithë, sa doli lumi nuk u pa më njeri”, tha fermeri.

Ndërkohë kryeplaku i fshatit Kashisht , Ramadan Kapaj, pohon se  dëmet e përllogaritura deri tani janë 50 ha tokë bujqësore e kultivuar kryesisht me grurë, bazë ushqimore e bagëtive të 18 fermerëve, dhe dëme shumë të mëdha përllogariten në serat e luleshtrydheve. Përballë kësaj situate, ai u ka bërë apel institucioneve përgjegjëse të dalin të terren për të konstatuar bilancin e dëmeve, dhe njëherazi për dëmshpërblime.

“Hera e parë që fshati përmbytet nga lumi Vjosë. Këtu janë përmbytur rreth 50 hektarë tokë të mbjella me produkte të ndryshme. Kemi sera, grurë dhe bazë ushqimore. Nga verifikimet në bazë ushqimore janë përmbytur rreth 18 familje, kemi 3 fermerë që i janë përmbytur luleshtrydhet. Kërkojmë nga shteti të vijë të verifikojnë dëmet dhe të japin shpërblimet”, tha Ramadan Kapaj.

Fermerët fajësojnë për situatën ndërtimin pa kriter të argjinaturave dhe ngushtimin e shtratit të lumit në urën e autostradës Fier- Vlorë.


Lajmi kryesor:

Përmbytjet/ Uji tërhiqet nga tokat, fermerët: Iku mundi i jetës! Në Durrës 543 të evakuuar! Protestë në Dimal e Maliq