E pyetur për dosjet e fundit të SPAK dhe qindra miliona euro të dyshuara se pastrohen në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, kryesisht në kryeqytet në kulla të larta, ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj pranoi se ky është një sektor me risk në këtë aspekt, por nga analizat e bëra rezulton se “ndërtimi” financohet kryesisht nga sistemi bankar.

“S’mund të flas për një çështje që në SPAK është nën hetim, si edhe ju, ne e kemi mësuar nga mediat për ngjarjet e kësaj jave. Në analizat e sektorit të ndërtimit që bëhen në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare, është sektor thellësisht i financuar nga sistemi bankat dhe është në fokus të analizave, të monitorimeve të herëpashershme pasi është sektor me risk, në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri”, tha Ibrahimaj.

Ndryshe nga kullat, në Zvërnec flitet për një investim tjetër, për të cilin Ibrahimaj përsëriti se nuk ka ende asnjë projekt pasi po punohet mbi të. Ministrja theksoi se investimi i Zërnecit ka në fokus pasi investitorët kërkojnë të ruajnë natyrën edhe për shkak të llojit të turizmit që synojnë.

“Për projektin e Zvërnecit dua të bëj të qartë diçka. Arsyeja pse investitorët vijnë në Zvërnec është natyra. Arsyeja pse disa investitorë kanë vendosur të bëjnë investime në këto përmasa, me emrat e hoteleve që kemi përmendur në disa raste, është pikërisht ajo natyrë. Është pa diskutim në interesin tonë që ta mbrojmë natyrën dhe tyrin për nivelin e turizmit që duan të sjellin në Shqipëri që natyra të ruhet dhe të mbrohet”, tha ajo.