Pasuria, Ganaj: Kallëzuam
penalisht 72 zyrtarë, 314 gjoba 

Pasuria, Ganaj: Kallëzuam<br />penalisht 72 zyrtarë, 314 gjoba 
Gjatë vitit 2016 janë kallëzuar penalisht për fshehje pasurie dhe konflikt interesi 72 zyrtarë, ndërsa 314 të tjerë janë gjobitur për shkelje të ligjit të deklarimit të pasurisë. Këto të dhëna saktësohen në raportin vjetor që Inspektorati i Lartë i Kontrollit, Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, i drejtuar nga Shkëlqim Ganaj, i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë, të cilin Shqiptarja.com e disponon.

“Inspektorati i Lartë ka miratuar dhe ka kaluar në kontroll të plotë, në total 1.709 subjekte deklarues, nga të cilët, 1.667 subjekte janë kontrolluar për shkak funksioni. Krahasuar me numrin e subjekteve deklarues, të cilët i janë nënshtruar kontrollit të plotë një vit më parë, konstatohet një rritje prej 109 subjektesh të rinj (në vitin 2015 u ushtrua kontroll i plotë për rreth 1.600 subjekte). 

Inspektorati i Lartë, në një vlerësim të numrit të përgjithshëm të kontrolleve të plota ndaj deklaratave të interesave privatë të subjekteve që mbartin detyrimin për deklarim, konstaton se gjatë viteve 2011-2016, numri i kontrolleve është katërfishuar, me një trend të lartë në rritje, në dy vitet e fundit.

Performanca në rritje e numrit të kontrolleve të plota është pasqyruar edhe në rezultatet e masave administrative, ‘gjobë’ për 314 subjekte dhe në 72 kallëzime penale pranë organit të akuzës, për veprat penale të parashikuara nga nenet 257/a/1/2, 287 etj, të Kodit Penal. Siç u theksua më lart, për vitin 2016 kanë kaluar në kontroll të plotë 1709 subjekte deklarues”,-thuhet në raportin e këtij institucioni. Në total, për periudhën 2014 – 2016, janë 1264 zyrtarë të ndëshkuar me masa administrative.

“Ndonëse për vitin 2016 numri total i masave administrative ‘gjobë’, ka qenë më i ulët se një vit më parë, por përsëri shifër e konsiderueshme prej 314 sanksionesh, kjo në mënyrë të pashmangshme i atribuohet punës së kryer deri më tani nga ILDKPKI në ndërgjegjësimin e subjekteve deklarues, si lidhur me detyrimin e tyre për të plotësuar e dorëzuar formularët e deklarimin në afatet e përcaktuara ligjore, ashtu dhe me saktësinë e seriozitetin në pasqyrimin e të dhënave, në formularët e dorëzuar. Për t’u theksuar është fakti, se të gjitha masat administrative të vendosura nga Inspektorati i Lartë janë lënë në fuqi nga gjykatat administrative, me përjashtim të një numri të pa konsiderueshëm, për të cilat gjykata ka vendosur shfuqizimin ose ndryshimin e tyre”-thuhet në raportin e ILDKPKI-së.

Inspektorati i Lartë,  gjatë periudhës 2014-2016 ka paraqitur 230 kallëzime penale pranë organit të akuzës, duke përfshirë zyrtarë të të gjitha kategorive e niveleve. “Vlen të theksohet se janë depozituar kallëzime penale për zyrtarë të niveleve të larta drejtuese, si deputetë,anëtarë KLD, gjyqtarë të shkallës së parë dhe apelit, prokurorë, ambasadorë, këshilltarë, drejtues të qeverisjes vendore etj”-thuhet në raportin e këtij institucioni, dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë.  

Statistikat

Gjobat

    314 masa administrative gjatë vitit 2016;
    550 masa administrative gjatë vitit 2015;
    400 masa administrative të gjatë vitit 2014
    0 (zero) masa administrative gjatë vitit 2013;
    71 masa administrative në vitin 2012.
 
Kallëzimet penale
    Në vitin 2016 për 72 zyrtarë;
    Në vitin 2015 për 84 zyrtarë;
    Në  vitin 2014 për 74 zyrtarë;
    Në vitin 2013 për 0 zyrtarë;
    Në vitin 2012 për 6 zyrtarë.
 
Krahasimi/ U akuzua për moskallëzime penale, Ganaj: I kam dhjetëfishuar
Edhe pse politika e djathtë apo edhe prokuroria është shprehur se ILDKP nuk ka kryer detyrën e saj duke mos kallëzuar raste konkrete, drejtuesi Ganaj pretendon në raportin e tij vjetor se ato janë dhjetëfishuar krahasuar me periudhën kur drejtohej nga  një tjetër zyrtar.

“Në një analizë krahasimore të rezultateve të kontrollit, të ndarë në dy periudha 3-vjeçare, ku periudha e parë përfshin vitet 2011-2013 dhe periudha e dytë përfshin vitet 2014-2016 është

lehtësisht e evidentueshme rritja e performancës institucionale të Inspektoratit të Lartë, në mënyrë të konsiderueshme përgjatë tre viteve të fundit. “Kështu, për periudhën 2011-2013 Inspektorati i Lartë rezulton të ketë aplikuar në total vetëm 188 masa administrative dhe të ketë depozituar pranë organit të akuzës në total 22 kallëzime penale; ndërsa për periudhën 2014-2016 Inspektorati i Lartë rezulton të ketë aplikuar në total 1.264 masa administrative dhe të ketë referuar pranë prokurorisë në total 230 kallëzime penale.

Në vetëm tre vitet e fundit, Inspektorati i Lartë ka arritur të ketë një rritje prej më shumë se 6-fish, të masave administrative të zbatuara ndaj subjekteve deklarues, të gjetur në shkelje të detyrimit për të deklaruar pasurinë dhe për të shmangur konfliktin e interesit, si dhe një rritje prej më shumë se 10-fish, të kallëzimeve penale për zyrtarë, të cilët kanë rezultuar në fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë së tyre”-thuhet në raportin e dorëzuar në Kuvend. 


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Mundësi Valiev fitoi medaljen historike për Shqipërinë, Rama: Një lajm që flet shumë! Komitetit ynë Olimpik ka rilindur

Paris 2024/ Mundësi Valiev fitoi medaljen historike për Shqipërinë, Rama: Një lajm që flet shumë! Komitetit ynë Olimpik ka rilindur