TIRANE- Një material prej 100 faqe dorëzuar nga inspektorët e ILDKP në prokurori, ka angazhuar disa hetues për të kryer verifikimet lidhur me pasurinë e padeklaruar të gjyqtarit të Apelit Tiranë Gjin Gjoni, njëherësh dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Hetimi i kësaj çështje sipas burimeve të prokurorisë do të jetë i gjerë, pasi do të verifikohet jo vetëm akuzat për deklarim të remë të pasurisë, por edhe falsifikimi i dokumentacionit. Veç gjyqtarit Gjin Gjoni, të kallëzuar në prokurori është e paditur bashkëshortja e tij Elona Çaushi dhe dy noteret Gentiana Shkodra dhe Margena Çela, të cilat akuzohen për falsifikimin e dokumentave.

Mësohet se që prej ditës së djeshme materiali i ILDKP i ka shkuar për verifikim njësisë hetimore Task-Forcë, pranë prokurorisë së Tiranës, ku drejtuesja e kësaj njësie ka ngarkuar një prokuror dhe një oficer të Policisë Gjyqësore për verifikimin e 18 rasteve, ku pretendohet për fshehjen e pasurive nga çifti Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi. Momentalisht çështja është në fazën e verifikimeve dhe se ende nuk është regjistruar procedimi penal.

Parashkrimi i akuzës
Për shkak të kohës të gjatë kur janë kryer veprimet që nga inspektorët e ILDKP konsiderohet shkelje ligjore, disa nga akuzat mund të mos hetohen, për shkak të parashkrimit të tyre. Pavarësisht kësaj, njësia hetimore do kërkojë verifikimin e plotë të gjithë materialeve, ndërkohë shumë shpejt do t’i drejtohet me një kërkesë të gjitha bankave dhe zyrës së pasurive të paluajtshme të pasurive, për dhënien e informacionit, lidhur me pasurinë e gjyqtarit të Apelit Gjin Gjoni dhe bashkëshortes së tij Elona Çaushi.

2 milion euro
Sipas zyrtarëve të ILDKP, gjyqtari i Apelit, që është përfolur në shumë vendime të tij gjyqësore, ka mashtruar me deklarimin e pasurisë, duke arritur të fshehë një kapital financiar prej rreth 2 milion euro, kjo në lek kesh dhe në objekte. Nisur nga kjo situatë, drejtuesi i ILDKP Shkëlqim Ganaj, ditën e djeshme i është drejtuar me një kallëzim penal, Prokurorisë së Përgjithshme, ku kërkon ndjekjen penale të gjyqtarit Gjin Gjoni, bashkëshortes së tij Elona Çaushi për akuzën e “Fshehjes dhe deklarimit të remë të pasurisë në bashkëpunim” dhe “Falsifikim të dokumentave”. Pjesë e këtij kallëzimi penal janë dhe dy noteret Margena Çela dhe Gentiana Shkodra, të cilat janë denoncuar për “Falcifikim të dokumentave”.

Vila 700 mijë euro
Një ndër pasuritë që inspektorët kanë zbuluar në emër të çiftit Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi, ka qënë një supervilë që ndodhet jashtë Tiranës, në zonën e Farkës. Sipas raport kontrollit të ILDKP çifti i bashkëshortëve ka bërë deklarim të rremë në lidhje me kontratën e sipërmarrjes Nr.1416 Rep, Nr.167 Kol, dt.24.04.2012 të vilës rezidenciale në Farkë, tip “Champagne”, në shumën 700.000 Euro. Televizioni “A1 Report” ka publikuar gjatë ditës së djeshme pamjet e vilës që ndodhet në Farkë, ndërkohë banorë të zonës kanë deklaruar se objekti luksoz është në pronësi të gjyqtarit Gjin Gjoni.

Ky i fundit gjatë ditës së djeshme në një prononcim telefonik në “A1 Report”, u shpreh se vila është në emër të gruas së tij Elona Çaushi dhe jo në emër të tij. Ndërkohë sipas ILDKP-së burim financiar i dyshimtë për shpenzimet e padeklaruara për 109 dhe 127 hyrje–daljet nga territori i Republikës së Shqipërisë, përkatësisht i subjektit Gjin Gjoni dhe bashkëshortes së tij, shpenzime të cilat nga të dhënat paraprake dyshohet të jenë rreth 250.000 Euro. Si ky rast janë fshehur dhe shumë raste të tjera që bëjnë fjalë për shifra të ndryshme financiare.

Katër kompanitë
Mes 18 rasteve të fshehjes së pasurisë së gjyqtarit Gjin Gjoni dhe gruas së tij Elona Çaushi, janë zbuluar dhe katër raste të fshehjes së kompanive tregtare. Sipas ILKDP është kryer falsifikimi i kontratës, për shitjen e 70 për qind të kuotave të aksioneve të kapitalit të shoqërisë “ADFD” sh.p.k, të hartuar me dy vlera të ndryshme, 70.000 lekë dhe 300.000 Euro.Fshehje në vitin 2012 e aktivitetit të shoqërisë “ALBCOS–Albanian Cosmetics” ku shtetasja Elona Çaushi figuron të jetë administratore dhe ortake zotëruese e 100 për qind të kuotave të kapitalit.Fshehje në vitin 2012 e aktivitetit të shoqërisë “Prestige Group” ku shtetasja Elona Çaushi figuron të jetë pronare. Ndërkohë kompania tjetër është dhe “Terra Toscana Alimantari”.

Shkrimi u publikua sot 25 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)