Kthimi i pasurive të konfiskuara nga krimi në mundësi reale për një të ardhme më të sigurt për viktimat e dhunës dhe trafikimit mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë së Edi Ramës dhe Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, AAPSK.

Në vazhdën e kësaj nisme, Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu dhe Administratorja e AAPSK-së, Risena Xhaja vizituan sot një objekt i përfituar nga veprimtari kriminale, i cili funksionon si strehë e sigurt për viktimat e dhunës dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Duke përcjellë pamjet e kësaj vizite në Facebook, Rama tha se nëpërmjet nismave të tilla qeveria ka ndihmuar rreth 300 viktima të dhunës dhe trafikimit.

"Kthimi i pasurive të konfiskuara nga krimi në mundësi për të ardhmen e viktimave të dhunës dhe trafikimit mbetet një prioritet i yni. Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu, së bashku me ekipin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, vizituan një nga shembujt më domethënës të kësaj nisme: një objekt i përfituar nga veprimtari kriminale, i cili sot shërben si një strehë e sigurt për viktimat. Deri në vitin 2025, kemi realizuar mbi 15 projekte të kësaj natyre, kemi mbështetur më shumë se 20 institucione dhe kemi ndihmuar drejtpërdrejt rreth 300 viktima të dhunës dhe trafikimit” shkruan Rama në Facebook.

Gjatë kësaj vizite, Ministrja Koçiu u shpreh se këto pasuri përfaqësojnë një mundësi reale për t’u kthyer në shërbime sociale dhe publike në dobi të komunitetit.

Ajo theksoi se vila dykatëshe, i krijon mundësi shoqatës “Të Ndryshëm, të Barabartë” të ofrojë shërbime për gra dhe fëmijë viktima të dhunës në familje apo trafikimit.

Ministrja nënvizoi se institucionet do të vijojnë punën për të rikthyer çdo pasuri të përfituar në mënyrë të paligjshme në shërbim të komunitetit, duke ndjekur të gjitha procedurat ligjore. 

Sipas administatores së AAPSK-së, vënia në përdorim social e pasurive të konfiskuara është “një nga mënyrat më domethënëse për t’i rikthyer shoqërisë vlerën e aseteve të përfituara nga veprimtaria kriminale”.

“Përmes projekteve si  kjo strehë e organizatës “të ndryshëm, të barabartë”, këto pasuri nuk mbeten thjesht në administrim financiar, por shndërrohen në hapësira reale mbështetjeje, integrimi dhe dinjiteti për grupet në nevojë. Bashkëpunimet me organizatat e shoqërisë civile, partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet vendase janë shumë të rëndësishme për ta kthyer këtë vizion në rezultate konkrete për komunitetin dhe të zgjerimin e modeleve të tilla,” tha Xhaja.

Në këtë kontekst, Xhaja theksoi se një nga objektivat kryesorë për vitin 2026 do të jetë rritja e numrit të projekteve të tilla.