Analiza e Fatos Tarifës mbi “nomenklaturën kryeministrore” botuar sot në DITA i kap me saktësi simptomat e një pushteti tejet të centralizuar.

Vendimmarrja në Shqipërinë e sotme ka pushuar së qeni përfaqësuese. Ajo na rridhka tani pingul, me vrik e me nerv, nga “maja e vetmuar” (siç e përshkruan veten kryeministri në intervista), këtu “poshtë”, tek ne plebejtë. Jo për ta diskutuar, sepse gjithçka qenka vendosur tashmë, por për ta zbatuar.

“Lart”, vetmia e pushtetit që shijohet me verë të shtrenjtë. “Poshtë”, rutina e bindjes.

Por kjo “nomenklaturë” e re e tri-katër dekadave të fundit nuk lindi sot. As nuk shpjegohet vetëm me sjelljen e një kryeministri. Për ta kuptuar plotësisht nga ’90 e këtej, është e nevojshme të kthehemi te momenti kur nisi të rindërtohet.

Është e vërtetë që “revolucioni” i heronjve të rremë të Dhjetorit hodhi themelet e një modeli ku gjithçka ngrihet mbi fasadën. Këtë e kemi theksuar jo pak herë. Por unë dua të ndalem te viti 2008, kur marrëveshja Rama–Berisha dhe ndryshimet kushtetuese që pasuan vunë gurin e parë të një tjetër shtrese të pushtetit të përqendruar.

Ketu duhet hapur nje paranteze e rende, sepse nuk behet fjale vetëm per një manovër politike, por edhe per shkelje mbi gjakun e femijeve dhe te pafajshmeve te Gërdecit.

Kjo e bën dyfish të rëndë atë marrëveshje, pasi Berisha e perdori edhe per te mbrojtur veten dhe rrethin e tij nga pergjegjesia për Gërdecin. Ndërsa Rama, nga ana tjeter, e pranoi dhe e shfrytezoi ate gjak te pahetuar si monedhe per te ndërtuar autoritetin qe nuk e kishte ende brenda PS.

Episodi simbolik mbetet ai i spitalit, ku Rama shkon, i hedh doren ne qafe Berishes. Politika shqiptare prodhoi imazhin më cinik te pajtimit. Dy burra pushteti, te bashkuar mbi nje tragjedi te pambyllur, duke i dhene njeri-tjetrit garanci mbijetese politike.

E kryen pra atë pazar që zbrazi në vijim parlamentarizmin nga përmbajtja por edhe dhanë mesazhin që pushteti mund te shkele mbi gjak, nese kjo garanton  kontroll politik. Sic edhe ri-ndodhi në 21 janar.

Për mua, centralizimi i sotëm që analizon Tarifa në shkrimin e tij është vazhdimësi e atij kompromisi. Analiza e “nomenklaturës kryeministrore” fiton më shumë kuptim kur shihet si faza e fundit e kësaj që nisi në 2008. Kalbja e PS-së, gjithashtu.

Vetëm duke e pranuar këtë vazhdimësi, ky debat për demokracinë mund të shkojë përtej personave dhe të prekë rrënjën e problemit.

Kjo temë është ngritur shpesh dhe me këmbëngulje ndër vite, veçanërisht nga i ndjeri Moikom Zeqo, i cili e denonconte në vijimësi në DITA marrëveshjen e 2008-s si goditje themelore ndaj përfaqësimit dhe sovranitetit të votës. Edhe Pëllumb Xhufi apo autori Artan Duka i kanë mëshuar në analizat e tyre këtij qëndrimi, pra është një kritikë e hershme që kjo gazetë e ka mbajtur gjallë.

Nuk ka nevojë të përsëritim që ndryshimet kushtetuese të 2008-s e kthyen parlamentin në sallën noteriale të kryetarëve. Qytetari u përjashtua nga zgjedhja reale.

Por ja ta zemë se ua falëm me dëshirë mbretërve tanë lakuriq të drejtën e sovranit për të zgjedhur. Përse këta nuk afrojnë njerëz me integritet? Pse zgjedhin mediokritetin dhe madje rrugacët ordinerë siç po del së fundmi? Nga padija?

Jo. Nga nevoja strukturore e pushtetit. Ky sistem nuk mbijeton me njerëz të mirë, por me individë të varur. Një deputet i vërtetë flet vetë, krijon opinion, kundërshton kur duhet, ndërton profil publik. Një pupac me kostum nuk ka bazë elektorale, nuk ka autoritet publik, nuk ka plan B politik. Pra është totalisht i kontrollueshëm.

Ky është modeli ideal për një kryetar që nuk mundet të qeveris përmes debatit.

Ajo që më shqetëson në fakt nuk janë emrat e pupacëve. Problemi është më i gjerë se ajo sallë parlamenti që nuk e meriton emrin që mban. Është mesazhi i pashkruar i këtij sistemi që bën dëmin e madh. Ai del jashtë asaj salle. MOS U PËRPIQ – thotë ky mesazh. Mos u lodh të jesh i aftë, mos u mundo të jesh i ndershëm, mos u përpiq të mendosh ndryshe. Nuk shpërblehet as dija, as karakteri, as guximi, shpërblehet BINDJA.

Ky sinjal që shoqëria e lexon në listat e pushtetit ku ngjiten vazhdimisht njerëz mediokër, të padallueshëm dhe pa peshë është pasoja më e rrezikshme e modelit për të cilin po flasim.

Sepse kjo nuk prodhon vetëm parlament të dobët, por edhe qytetarë të dorëzuar. Ndaj ambiciozët largohen, kurse të tjerët heshtin. Mesatarja kthehet në normë, shikoni vetëm fjalorin e rrugës që mbizotëron gjithandej e më pas të tjerat.

Në këtë kuptim, mediokriteti në lista nuk është aksidental. Ndryshe nuk do ishte kaq masiv. Do kishim tre a katër torollakë dhe aq. Por jo. Kjo tashmë është një pedagogji e plotë shoqërore.

Pastaj shikoni se si pikërisht arkitektët e këtij mediokriteti masiv ankohen sot për popullin apatik. E mësojnë çdo ditë këtë shoqëri se përpjekja është e kotë, dhe pastaj habiten kur shohin rezultatet e mësimit të tyre. Krijojnë apatinë dhe më pas e vënë në bankën e të akuzuarve.

A ka ironi më të hidhur? Cfarë dallkaukësh qesharakë!/Gazeta Dita