Pasuritë e konfiskuara nga aktivitetet kriminale po kthehen në shërbim të komunitetit dhe arsimit profesional.
Në Shkollën e Mesme Profesionale në Kamëz, më e madhja e këtij lloji në vend, janë të paktën 7 klasa që janë pajisur me bazën e nevojshme materiale për praktikën mësimore.
Klasat e reja u vizituan nga Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, si edhe kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli, së bashku me drejtues të arsimit profesional.
Duke folur për burimin e këtyre pajisjeve, Koçiu tha se asetet e vendosura përmes krimit dhe korrupsionit po kthehen në dobi të qytetarëve dhe shoqërisë.
“Po bëjmë të mundur që të gjithë pasuritë edhe asetet që janë vendosur në formë kriminale apo për shkak të korrupsionit, pra aktiviteteve të paligjshme, të gjithë këto pasuri tashmë po kthehen në dobi të komunitetit, në dobi të qytetarëve, të atyre që kanë më shumë nevojë dhe në dobi të shoqërisë”, nënvizoi Koçiu.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, u ndal te rëndësia e investimeve në arsimin profesional, duke thënë se përmirësimi i shkollave profesionale do të vijojë jo vetëm në cilësinë e mësimdhënies, por edhe në ambiente, laboratorë dhe konvikte.
“Fokusi ynë është që shkollat profesionale t’i përmirësojmë, jo vetëm në drejtim të cilësisë së mësimdhënies e të shkollimit, por edhe në drejtim të ambienteve e të pajisjeve, të laboratorëve, pasi pa këto të fundit, sado i mirë të jetë edukimi apo cilësia e mësuesve, nuk arrihen dot rezultate. Ne jemi përqendruar në strukturat e mësimdhënies, laboratorët, por edhe konviktet, pasi ka raste që nxënës apo studentë që duan të ndjekin arsimin profesional nuk kanë pranë qendrave të banimit shkolla, por do bëjmë që konviktet të jenë me kushte të mira. IT sot është çelësi i suksesit për çdo të ri e të re. Nuk ka asnjë institucion publik apo privat, që të mos ketë nevojë për këtë sektor”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj.
Sipas ministres Ibrahimaj, këto investime janë rezultat i bashkëpunimit mes institucioneve ligjzbatuese, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme, SPAK, BKH dhe prokuroritë, që kanë mundësuar administrimin e shpejtë dhe efikas të pasurive të konfiskuara, si dhe ndërtimin e bazës ligjore për përdorimin e tyre social.
Sipas Koçiut, fokusi në vijim do të jetë mbështetja e pushtetit vendor dhe shtresave në nevojë, përmes përdorimit të këtyre aseteve për strehim social, qendra sociale dhe shërbime për fëmijët dhe të rinjtë.
Në përfundim të vizitës, Koçiu pati edhe një mesazh të drejtpërdrejtë kundër kriminalitetit.
“Unë doja të jepja një mesazh të fortë për të gjithë ata që zgjedhin të merren me aktivitete kriminale e që mendojnë se nëpërmjet tyre do të pasurohen, tashmë nuk mund ta bëjnë këtë”, apeloi ajo.
Komente












