Pata: Albin Kurti, pikëpyetjet e një kandidati për kryeministër nga nën-Shkodra dhe kufijtë që kaloi lideri i Vetëvendosjes

Albin Kurti

Albin Kurti nuk e ka herën e parë që është parti e parë, ka ndodhur edhe dy vjet më pare, pas zgjedhjeve të vitit 2017.

Ishte parti e parë dhe normalisht kontrollonte shumicën e Kuvendit të Kosovës, pa shizmën e PSD-së së Shpend Ahmetit.

Por kësaj herë është pak më ndryshe; ka ndodhur një zhvillim shumë i rëndësishëm; partia e trëtë, pra PDK e Kadri Veselit(Hashim Thaçit) ka shpallur qartë e thatë: do të jemi në opozitë.

Në këtë rast Albin Kurti do të jetë 100% alternativë qeverisëse. Ky është ndryshimi i zgjedhjeve të djeshme të Kosovës.

Në fakt ndryshimi e jo vetëm, por e reja, diferenca drastike është Vjosa Osmani, kandidatja-kryeministre e LDK-së, një grua e re e shkolluar, e cila për 5 mijë vota ndoshta nuk bëhet kryeministre, por jo për faj të saj, por për zgjedhje politike.

Ora 23.45, Kadri Veseli bën deklaratën e dytë të PDK-së pas të parës një orë më parë, që shpalli kalimin në opozitë. Një orë më parë PDK shpalli fitoren, çka ishte ndoshta për të motivuar komisionerët, por jo vetëm kaq. Ishte për të motivuar komisionerët që nëse LDK del parti e parë PDK mund të mendonte një koalicion të madh që ka ndodhur në Kosovë që nga viti 2001 pra LDK-PDK.

Nëse LDK do të dilte parti e parë, në qoshe qëndronte Ramush Haradinaj, i cili këtë aleancë e ka bërë që në vitin 2004 dhe që në zonën  bastion të tij në Dukagjin e ka aplikuar ose edhe me familjen Rugova më vonë. Por edhe ky variant nuk se ishte i sigurt.

Ramush Haradinaj ka marrë thuajse të njëjtën shifër siç gjithmonë, shto këtu shumën e PSD-së së Ahmetit, pra nga 9 në 11 %. Por nëse në 2017 ishte kingmager këtë radhë është i humbur.

Albin Kurti dhe përkrahësit e Vetëvendosjes kanë luftuar më shumë Ramushin sesa PDK-në e Veselit në fushatë, kryesisht në Prizren, Dukagjin e sidomos në Prishtinë, Llap e Ferizaj.

Pra Ramushi nuk ka avancuar, PDK ka marrë votën e militantëve të saj, ndërsa Vetëvendosje ka rritur paksa përqindjet dhe më e rëndësishmja LDK nuk ka humbur votat rrugës. Me një fjalë ka një votë të qartë pro opozitës apo ndryshimit, çka Mero Baze e shkruante mbrëmë dhe që Albini e Vjosa e shpallën qartë.

Sado të kenë problem Kurti me Osmanin, i pari si fitues e tha qartë se si aleat shikonte LDK-në e asnjë tjetër, pra as Ramushin e normalisht as PDK-në që qartë e shpalli vetën në opozitë. Lista Serbe? Pse? VV dhe LDK bëjnë mbi 62 vota s’kanë fare nevojë jetike për Listën Serbe, që edhe mund ta përfshijnë në koalicion.

Pra qeveria e Kosovës tashmë është e qartë por kush është njeriu që projektohet si Kryeministër i Kosovës?

Është një lojtar politik që në vitin 1997, kur si lider i lëvizjes studentore u emërua si zëdhënës i UÇK-së së bashku me Adem Demaçin. Por ndryshe nga Demaçi, Albini nuk ishte njeriu që merrte mesazhet nga komandantët e vetëm nga shtabi politik i UÇK-së, pra nga Thaçi, zëdhënësi Jakup Krasniqi dhe natyrisht Bajram Kosumi Ministër i Informacionit të qeverisë së përkohshme.

Flasim në vitin 1999 kur Albini me flokë të gjata u burgos në Beograd për të mësuar nga krerët e policisë atje ndonjë të dhënë që djali nga trevat e Malit të Zi nuk ja jepte por nga ana tjetër nuk dinte.

Më pas, pra pas çlirimit themeloi një lëvizje kundër paktit të Ahtisarit, pra kundër Republikës së sotme të Kosovës, madje edhe janë vrarë njerëz për këtë kauzë duke mbështetur  bashkimin me Shqipërinë apo Kosovën e plotë pa asnjë pakt që e ndante atë.

Sot ai do të duhet të flasë politikisht për këto kauza. Do të duhet të shprehet jo vetëm për Zubin Potokun, Leposaviçin, dhe Mitrovicën e Veriut, por edhe për marrëveshjet që Prishtina ka firmosur me Beogradin në një proces të gjatë dialogu. Albin Kurti nuk mund të jetë Milorad Dodiku i Republika Serbska-s, që ka aleat Vladimir Putinin, edhe pse kreu i Vetëvendosjes nuk ka thënë asnjë fjalë kundër Moskës apo një përkrahje të qartë për aleancën strategjike me SHBA. Ç’farë ai kërkon si kryeministër dhe si do ta realizojë, kur ka një aleat të mundshëm dukshëm properëndimor si LDK-ja?

Në fakt, zgjedhjet e djeshme të Kosovës sollën një zhvillim edhe më ndryshe nga ç’po del deri më sot. Përse? Sepse Kosova zgjodhi për herë të parë një kandidat për kryeministër që nuk është nga Kosova por nga trevat, siç thoshte Hashim Thaçi për ta sulmuar nga Vladimiri i Malit të zi, përkatësisht nga Ana e Malit apo Nën Shkodrës.

Edhe Musa Ulqinin e kanë sulmuar se është nga Dobrovoda, dikur rivalët e tij e ë janë as më pak e as më shumë por fshatrat shqiptarë të derdhjes së Lumit Buna.

E në këtë aspekt vjen rasti i profesor Rexhep Qoses, ideologut ose mentorit politik të Albin Kurtit, që është në fakt njeriu që katedrën e Albanologjisë së Universitetit të Prishtinës e zotëron prej vitesh por që politikisht ka pasur kufizime, edhe prej aspektit provincial që profesor Qosja nuk është nga Kosova.

Albin Kurti e kaloi këtë kufi. Nuk është kufi i vogël. Ka edhe botues në Prishtinë që nuk punësonin në 2001 gazetarë nga Shqipëria pikërisht prej kufizimit provincial.

Por gjithsesi, përveç “klonit” provincial Albin Kurti ka kaluar një kufi tjetër që është ai i mazhorancës relative të shqiptarëve të Kosovës, por që ende ai nuk ka sjellë për shumicën e shqiptarëve të Kosovës një platformë që do të ushqejë përkrahjen e shumicës absolute.

Albin Kurti ka qenë në një linjë me LDK-në për dy vjet opozitë por në asnjë rast nuk është përqasur në pika thelbësore të qeverisjes apo programit të LDK-së. Mos harrojmë se Kurti ka bombarduar jo vetëm politikisht vendimet e një qeverisjes të LDK-së siç është ajo e Isa Mustafës, në Parlament e në sheshe. Sot Kurtit do t’I duhet të vijë me një platformë qeverisëse apo gjithëpërfshirëse ai nuk e ka sjellë.

Elektorati i Vetëvendosjes aktuale është laraman; nga ai i majtë në shumicë deri në islamistët e thekur siç ndodhi në zgjedhjet komunale të Prizrenit. Nuk mund të bashkëjetojnë teoria e flamurit kuqezi të Skënderbeut me politologun Hysamendin Feraj që Skënderbeun e bën helaq.

Albin Kurti ka në Kosovë militant si Rexhep Selimi që është një hero i Kosovës, përkatësisht pjesë e grupit gueril të Adem Jasharit, deri edhe tek ca njerëz që e quajnë veten edhe turoshakë në Prizren.

Nejse, opozita mbledh shumë elementë por mazhoranca kërkon një platformë më të qartë. Një aleancë më e pritshme siç tha edhe vetë Kurti është ajo me LDK-në e Vjosa Osmanit, dhe ndihmë për këtë e dha edhe deklarata e Veselit, por Albinit do t’i duhet një qëndrim i qartë për çështjet e mëdha siç është dialogu me Serbinë, natyrisht taksa edhe idetë që ai ka.

Koncepti i tij i bashkimit me Shqipërinë ka konsensus të madh në Kosovë, madje edhe në elektoratin e LDK-së, por logjika duhet përkthyer politikisht.

Një Shqipëri e bashkuar me Kosovën nuk e bën vetëm Albini, as vetëm Edi Rama këtu, larg qoftë Ramushi apo Ilir Meta.

Bashkimi është proces që ndodh në kushte të veçanta, megjithatë, Albin Kurti duhet të ketë një opinion për integrimin qoftë me Shqipërinë qoftë me Serbinë. Siç e kishte i ndjeri Rugova, i cili politikën e njihte shumë mirë.

Megjithatë Albin Kurti kaloi vetëm një kufi, falë edhe coming out-it të veselit, atë të liderit që e ka më të lehtë të kërkojë një mazhorancë qeverisëse. Por që ende nuk ka një platformë të qartë sesi do ta drejtojë Kosovën. Pa populizëm, por edhe të menaxhojë një lëvizje që ka brenda një mish-mash zgjedhësish që nga islamistët e deri te marksistët.

Ka një aksiomë për këtë që pushteti është si gjalpi në kuzhinën franceze që zbut shumë përbërës. Por jo të gjithë… Albini deri tani ka bërë vetëm retorikë, tani duhet ti përgjigjet pyetjeve. Dhe me një LDK që është e kundërta ideologjike e Vetëvendosjes nuk e ka shumë lehtë.

m.v./Shqiptarja.com
Komento