U nis me embargon e miellit, ndërsa përfundoi me bllokim total të kufirit ndërshtetëror ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës. Dje gjatë ditës, kufiri në Han të Elezit dhe në Jazhincë i ngjante kufijve që ndajnë Korenë e Jugun me atë të Veriut.

Ngërçi ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy shteteve po shihet hapur se gjenezën e ka te politika, ose thënë troç të Qeveria Gruevski, e cila po e manifeston hapur averzionin patologjik ndaj shqiptarëve.

Imagjinojeni, Qeveria e Maqedonisë përveç që aplikoi taksën kufitare për kosovarët, në plan e ka idenë e marrë, që të vendosë edhe viza për kosovarët. Me këtë veprim ky politikan me ide të Millosheviqit, po tenton t’i bllokojë shqiptarët, ose të paktën këtë “armë” ta përdorë si kërcënim, që Prishtina zyrtare t’ia heqë embargon e produkteve “Made in Makedonia”.

Duke bllokuar me kamionë e autobusë rrugën për në Shkup dhe Tetovë, Gruevksi po mundohet të tregohet “car” që në grusht e ka kombin shqiptar, duke ua ndërprerë lidhjet farefisnore sa herë që ai dëshiron.

Por, për t’ia bërë bajat këtij politikani që mendjen e ka në Beograd, duhet vazhduar për disa muaj embargon e produkteve maqedonase, derisa Qeveria në Shkup të lodhet nga mosshitja e produkteve të saj, sepse dhe ashtu përveç Kosovës kush nuk ua blen. Nëse janë të vërteta shifrat, Maqedonia humb për çdo ditë nga 1 milion dollarë, nëse nuk i shet produktet e saj në Kosovë. Pra eksporti maqedonas në Kosovë është mbi 300 milionë euro, kurse eksporti kosovar në Maqedoni është 20 milionë euro.

Në bazë të kësaj përllogaritje Kosova nga mosshitja e miellit dhe disa produkteve të tjera, humb 5400 euro në ditë, duke mos llogaritur këtu taksat kufitare që duhet t’i paguajnë kosovarët që hyjnë në këtë shtet.

Edhe nëse vazhdojnë të paguajnë taksa, nuk bëhet kataklizmi, sepse shqiptarët e Luginës së Preshevës ka gati dy vjet që paguajnë taksa për të hyrë në Kosovë. Pra në këtë rast kemi Qeverinë e Maqedonisë që po aplikon taksa për shqiptarë, ndërsa shqiptarët e Luginës së Preshevës i paguajnë taksa Kosovës, që është më shumë se skandaloze.

Në rrjetin social “Facebook”, shqiptarët janë çartur, pse s’po mund të shkojnë kollaj në Shkup, sepse ua paska prerë rrugën Gruevski me sllavo-maqedonasit e tij. Kjo, masë duhet të ndikojë si mësim didaktik për Qeverinë e Kosovës, por edhe vetë kosovarët se të aplikohen taksa për vëllezërit e tjerët është pazar me humbje, sepse populli thotë “kush qesh i vesh”.

Me rastin e Maqedonisë, fajet i kanë edhe shqiptarët që janë pjesë e Qeverisë Gruevski, sepse edhe ata kanë kontribuuar për këtë katrahurë kufitare. Madje për shumë kënd, taksën kufitare dhe bllokimin e kufirit kosovarët e kanë “peshqesh” edhe nga ministrat shqiptarë në Maqedoni. Populli thotë se “sakica e ka bishtin mbrapa”. Nëse mali është ankuar se sakica po e pret, sakica është arsyetuar se këtë po e bën me bisht. Kosovarët e kanë hëngër nga shqiptarët e Maqedonisë, ndërsa ata të Luginës së Preshevës nga Qeveria e Kosovës.

Ndoshta nuk është e momentit të bëhen krahasime ndërmjet këtij ngërçi politiko-ekonomik që po ndodh me Maqedoninë, sepse në Serbi veç i thanë lekët dhe hyn, ndërsa në Maqedoni nuk mundesh sepse sllavo-maqedonasit e kanë bllokuar rrugën, por taksa si taksë është e njëjtë. Madje, nga Serbia në Kosovës për të hyrë me veturë duhet të paguash 20 euro, ndërsa në Maqedoni nëse hiqen bllokadat mundesh të hysh dhe me 10 euro. Ndërsa si fund, në gjithë këtë lëmsh, Qeveria e Kosovës duhet t’ia vazhdojë embargon Maqedonisë, derisa Gruevskit t’i kërcasin dhëmbët.