PATOS- PD zgjodhi pasditen e së shtunës, 7 qershor, për mitingun e radhës në Patos, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit. Kryeministri Berisha tha Partia Demokratike në programin e saj parashikon vijimin e investimeve dhe rritjen e punësimit. Ndërsa akuzoi kreun e PS-së, se "shpif e trillon në çdo deklaratë që bën në fushatë".
 
“Pse shan administratën në mitingje ai. Kur ai vetë sot në mitingun që bëri në Patos kishte në secilin krah të vetin drejtorë, pjesëtarë të administratës së qeverisë Berisha. Çfarë do thotë për ata, nuk janë robër ata drejtorë. Ai shpif, trillon, njerëzit nuk duhet ta dëgjojnë dhe të njëjtat gjëra thotë vazhdimisht. Është bërë si pllakë gramafoni, ngado e kthen të njëjtat gjëra thotë. Nuk ndaloj asnjë unë të dalë në mitingje. Ne do bëjmë fushatë të qytetëruar, të bazuar në argumente, një fushatë që ka në themel besimin tek fuqia juaj, liria ekonomike, dhe përpjekjen e madhe që ajo të ketë sukses”, u shpreh kreu i PD.
 
Në fjalën e tij, Berisha premtoi se qeveria do vijojë me rritjen e pagave dhe pensioneve, do ndajë dhe pagën e 13-të për administratën si dhe do të shumëfishojë projektet me qëllim, përmirësimin e jetës së qytetarit.
 
“Në këto vite, në një kohë krize për Europën, ia kemi dalë të kemi rritje ekonomike dhe ulje të papunësisë. Këto arritje i konsiderojmë si një bazë për të ndërmarrë 4 vitet që vijnë planin më të fuqishëm të punësimit të qytetarëve. Projektin e rritjes së mirëqenies, rritjes së rrogave dhe pensioneve për qytetarët shqiptar”, tha Berisha.
 
Kreu i qeverisë premtoi vijimin e investimeve në të gjithë sektorët në 4 vitet e ardhshme, duke mundësuar edhe hapjen e vendeve të reja të punës.
 
“Në të katër anët e vendit, vijoi Kryeministri, “do të ndërtohen dhe po ndërtohen qindra HEC-e, ku do të punësohen së paku 30 mijë qytetarë. Do të shkojmë drejt dyfishimit të turizmit që punëson sot 150 mijë qytetarë. Shqipërinë e sollëm në moshën dixhitale. Sot në këtë fushë do të punësohen së paku 26 mijë qytetarë në mbarë vendin”, tha Berisha.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)