Kuvend/Çuçi: Kamera në çdo kryqëzim të vendit! Manja: Duhet ndryshimi i Kushtetutës për shtyrjen e vetingut (VIDEO)

Infrastruktura, Drejtësia, Siguria dhe zhvillimi ekonomik ka në qenë në vëmendje të pyetjeve të deputetëve drejtuar ministrave të dekretuar të qeverisë 'Rama 3', të cilët pritet të marrin edhe konfirmim për 4 vitet e ardhshme në seancën e sotme në Kuvend. 

Duke paraqitur objektivat e programit të qeverisë së re për dikastrete që ata drejtojnë, ministri i dekretuar i Drejtësisë, Ulsi Manja foli për procesin e vettingut mandati i të cilit përfundon në 17 qershor 2022. Mandati i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik është kushtetues, dhe për këtë Manja tha se do të kërkojë   konsensusin e opozitës për të zgjatur mandatin e tyre deri në përfundim të rivlerësimit të subjekteve që kanë mbetur.

Infrastruktura vijon të jetë një nga pikat e rëndësishme në programin e qeverisë 'Rama 3', ku synimet për të pasur 4 aeroporte dhe transformuar Portin e Durrësit dhe Vlorës janë ambiciet e këtij 4 vjeçari. Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku tha se brenda 24 muajsh do të mbyllet Unaza e Madhe e Tiranës. Në fund të këtij shtatori niset puna për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, ndërsa në nëntor nis kantieri i ndërtimit të aeroportit të Vlorës. Edhe në Elbasan qeveri ka plane për të ndërtuar një bypass dhe po ashtu edhe në Gjirokastër.

Edhe lufta kundër COVID do të jetë pika kryesore e fokusit, ku objektivi do të fokusohet në procesin e vaksinimit që deri pranverën e 2022 të jetë vaksinuar çdo qytetar +16 vjeç.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:01
 FOTO/ 'Parada' në Kuvend, pak guxim me ngjyrat, por shumë klas! Ja çfarë veshën deputetët për seancën maratonë

Përtej debatit dhe prezantimit të programit qeverisës të Rama 3 sot në Kuvend, tërhoqën jo pak vëmendje edhe deputetët me veshjet e tyre. E ndërsa jemi në stinën e vjeshtës e dita e sotme u mbizotërua nga vranësira, deputetë kishin 'nxjerrë' nga dollapi rrobat e tyre më të trasha pasi, sikurse mund të shihet edhe nga fotot, shumica kanë preferuar pantallona dhe xhaketë. Ajo që bie në sy është fakti se nuk kanë eksperimetuar me ngjyrat, ku mbizotëron e zeza dhe ngjyrat e tokës. Megjithatë nuk mungoi klasi, me veshje të rafinuara të kuruara me shumë kujdes.

Ora 14:02
Manja: Kërkojmë konsensusin e opozitës për të zgjatur mandatin e vettingut deri në përfundim të rivlerësimit të subjekteve! Duhet ndërhyrë në Kushtetutë

Ministri i dekretuar i Drejtësisë, Ulsi Manja ka kërkuar konsensusin e opozitës që të ndërhyjnë në kushtetutë për të zgjatur mandatin e KPK dhe Komisionerit Publik deri në përfundim të rivlerësimit të subjekteve që kanë mbetur, konkretisht 370 të tilla. Kjo tha Manja po bëhet edhe në konsultim me SHBA dhe BE.

"Mbarimi i mandatit të KPK dhe Komisionerit Publik mbaron në 17 qershor 2022. Janë 801 subjekte per tu rivlerësuar janë 431 subjekte të vetura dhe mbeten në proces 370 subjekte. Për të garantuar vijueshmërinë e këtij procesi ne mendojmë dhe jemi në komunikim me SHBA dhe BE që ky proces të përfundohet nga organet e vettingut. Ne do të kërkojmë edhe konsensusin e opozitës që mandati i i KPK dhe Komisioneri Publik të zgjatet deri në përfundim të procesit të vettingut deri në rivlerësimin e plotë të subjekteve. Zgjatja e mandati kërkon ndërhyje në kushtetutën dhe ne nuk i kemi votat e nevojshme dhe për këtë do të kërkojmë konsensusin e opozitës", tha Manja

Ora 13:50
Bledi Çuçi: SHÇBA-në e transformojmë në një strukturë të mbikëqyrjes policore! Struktura e krimit ekonomik do të rishikohet nën asistencën gjermane

 

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, i cili pritet të rikonfirmohet edhe në mandatin e ardhshëm në këtë seancë nga Kuvendi shpalosi objektivat kryesore të dikasterit që ai drejton për 4 vitet në vijim.

"Asnjë centimetër katror në Republikën e Shqipërisë të mos dhunohet më siç është bërë në këto 30 vite. Do të përdorim dronët për kontrollin e territorit. Në këtë mandat synohet vendosja e kamera në çdo kryqëzim të Shqipërisë.

Do të rishohim strukturën e krimit ekonomik në policinë e shtetit nën asistencën e policisë federale gjermane.  Shumë shpejt do e sjellim këtë nismë në parlament.

Do ta transformojmë SHÇBA-në në një strukturë të mbikëqyrjes policore. Ligji i ri për këtë transformim po përgatitet me asistencën e drejtpërdrejtë të partnerëve tanë amerikanë", tha Çuçi.

Ora 13:48
'Do jetë prioriteti ynë', Kumbaro: Do hartojmë një draft-ligj, bregdeti do të cilësohet si pronë e patjetërsueshme, nuk do lejojmë ndërtimet

Ministrja e dekretuar për Turizmim dhe Mjedisin, Mirela Kumbaro, theksoi se në mandatin e tretë qeverisës mjedisi dhe turizmi do të jenë në fokus kryesor. Kumbaro tha se do të hartohet një draft-ligj për bregdetin. 

'Në këtë manadat e kemi prioritet menaxhimin dhe pastrimin e bregdetit. E kemi të qartë se bashkëjetesa e turizmit dhe mjedisit në të njëjtën kupolë menaxhimi shkojnë bashkë, në të kundërt nuk mund të kemi turizëm cilësor. Zonat bregdetare janë më produktive për sa i përket larmisë së habitateve, shërbimeve, bizneseve, por është dhe një zonë me problematika. Kjo mazhorancë ka hedhur themelet e një vëmendje të dedikuar, duke krijuar një agjenci të përkushtuar, por jemi në mungesë të përgjigjes për përkufizimit të qartë që përfshihet në vijnë bregdetare.

Nuk gjejmë një kornizë rregullatore të posaçme për bregdetin. Ne do të hartojmë një draft ligj është në proces, për bregdetin, dhe do jetë prioritet. Do të garantojmë zhvillimin e qendrueshëm të zonës bregdetare. Do t’u japim një status të veçantë zonave bregdetare, përcaktimin e kufijve të qartë të bregdetit. Përcaktimin e bregut të detit si pronë e patjetërsueshme, ndalimin e ndërtimit në breg det. Pjesë e programit është edhe reformimi i strukturave ekzistuese që menaxhon bregdetin.

Vija bregdetare është atraksioni më i madh turistik. Ndaj do të ketë një bashkëpunim shumë të ngushtë me bashkitë, ndarje të territorit në rajone monitorimi, krijimin e njësisë suplementare për sezonin e verës dhe planifikimin e stacioneve te plazhit që në dy muajt e parë të vitit. Puna për organizimin e sezonit të ardhshëm turistik në bregdet ka filluar.'- tha Kumbaro.

Ora 13:44
 Kushi: Po bashkëpunojmë më universitete më të mira në botë për përmirësimin e arsimit të lartë

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha se për të përmirësuar cilësinë e Arsimit të Lartë po bashkëpunohet me universitetet e huaja më prestigjioze në botë për të pasur marrëdhënie jo vetëm në aspektet universitare, por edhe akademike.

"Bashkëpunim i ngushtë me universitete prestigjioze në botë për përmirësimin e arsimit të lartë. Iniciativa bashkëpunimi me universitetet në Vjenë, në Itali, në Janinë dhe jemi duke punuar intensivisht për të krijuar këto partneritete bashkëpunimi dhe universiteti teknik i Stambollit. Bashkëpunimi do të jetë në të gjitha aspektet universitare dhe akademike, thekson ngritjen e bordit e ri të akreditimit ku janë përfshirë profesorë shqiptarë dhe të huaja që punojnë në universitete e më të mira europiane dhe amerikane", tha Kushi

Ora 13:39
Qeveria shqiptare ka marrë të gjitha masat për t'ju përgjigjur epidemisë së COVID-19! 100 milionë euro për të gjithë skenarët

 

Lufta kundër COVID nuk mund të mos ishte çështja për të cilën është pyetur në seancë plenare ministrja e Shëndetësisë, e cila pritet të rikonfirmohet, Ogerta Manastirliu. Në fjalën e saj ajo u shpreh çdo përpjekje po bëhet për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve përballë këtyre ngjarjeve të jashtëzakonshme të shëndetit publik.

Manastirliu ripërsëriti objektivin se në pranverën e 2022 të kemi të vaksinuar të gjithë popullatën mbi 16 vjeç.

“Pandemia ka vënë në një sfidë të gjithë vendet dhe sistemin tonë shëndetësor, ku theksoj se nëse nuk do të ishte vënë fokus në investimet e sistemit shëndetësor përballja me pandeminë do të ishte katastrofike. Vëmendja e qeverisë për të forcuar sistemin shëndetësor na ndihmuan për të përballuar situatën pandemike. Ne kemi shumë mësime të mësuara nga kjo situatë qoftë nga raporti për financimin e sistemit, ku në vitin 2021 qeveria e ndihmuar nga donatorët ka vënë fondin 100 milionë dollarë.

Sfida jonë tashmë është përballja me variantin Delta dhe vaksinimi i qytetarëve. Vetëm përmes vaksinimit ne mund të ndalim impaktin negativ që ka virusi ne synojmë që të rrisnin mbulimin e hapësirës vaksinale.  Ne synojmë intensifikim të vaksinimit, ne kemi arritur që të vijnë deri në 2 milionë vaksina dhe në kuadër të marrëveshjeve me Pfizer dhe në vijim të mbështetjes të partnerëve ndërkombëtarë presim që në dhjetor presim që të sigurojmë dhe 1.3 milionë vaksina përveç atyre që kanë ardhur. Rritja e mbulesës vaksinale duke u fokusuar tek grupet e rriskuara”, ka thënë Manastirliu.

Ora 13:29
Deputetja socialiste në gjendje jo të mirë shëndetësore, mbërrin ambulanca në Kuvend

Deputetja e Partisë Socialiste Tatjana Piro nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe pranë Kuvendit ka mbërritur ambulanca. Mësohet se deputetja socialiste ka pasur probleme me tensionin e lartë. Ndërkohë ajo që vihet re është se një infermier që futet për t'i dhënë ndihmën e parë në ambientet e Kuvendit është pa maskë.

Ora 13:26
Balluku: Brenda 24 muajve përfundon Unaza e Madhe e Tiranës! Në fund të shatorit nis ndërtimi i hekurudhës Tiranë-Durrës,  në nëntor kantieri për aeroportin e Vlorës

Infrastruktura vijon të jetë një nga pikat e rëndësishme në programin e qeverisë 'Rama 3', ku synimet për të pasur 4 aeroporte dhe transformuar Portin e Durrësit dhe Vlorës janë ambiciet e këtij 4 vjeçari. Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku tha se brenda 24 muajsh do të mbyllet Unaza e Madhe e Tiranës. Në fund të këtij shtatori niset puna për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, ndërsa në nëntor nis kantieri i ndërtimit të aeroportit të Vlorës. Edhe në Elbasan qeveri ka plane për të ndërtuar një bypass dhe po ashtu edhe në Gjirokastër.

"Porti i Vlorës është një port që ndryshon destinacionin dhe kthehet ne një port jahtesh dhe lidhet me Lungomaren. Ndërsa porti komercial do të mbulojë shërbimet e lëvizjeve tregtare dhe integruar me portin edhe peshkimin. Brenda nëntorit do të nisim kantierin e ndërtimit në aeroportin e Vlorës. Po përmbushen paketat që duhet të enë të gatshëm para nisjes së kantierit. Përveç shërbimit civil, kemi është shërbim për mirëmbajtjen e avionëve dhe shërbimin cargo  pra shërbimin e mallrave nga ajri. kemi hapur garën për aeroportin e Sarandës  ndërsa aeroporti i  Vlorës pritet të mbyllet brenda këtij mandati, ndërsa ai i Sarandës na rezulton që do të ketë kapacitete të rëndësishme nga prillit në tetor për lëvizjen charterave për turistët dhe do i duhet 24 muaj për ndërtim dhe parashikohet dhe ku aeroport të dorëzohen në pranverën e 2025 në përfundim të mandatit të tretë. Do nis puna për korridorin blu dhe nuk pritet të përfundojë brenda këtij mandati. Nyja e Kasharit dhe deri në Fier pretendohet të mbyllet brenda këtij mandati. duke pasur parasysh gjatësinë e madhe të këtij korridori pjesa tjetër do kërkojë kohë. Bypass i Gjirokastrës është pjesë e këtij korridori dhe më pas deri në Kakavijë.

Brenda 24 muajsh do të mbyllim të gjithë unazën e madhe të Tiranës.  Sektori hekurudhor duke pasur dhe vëmendje të veçantë nga KE kemi arritur që të përmbyllim fazën përgatitore të projektit të parë Tiranë-Durrës, dhe jemi në një fazë përfundimtare dhe kantieri nis në fund të shtatorit për këtë hekurudhë. Jemi në një fazë të avancuar negociatash për hekurudhën Vorë-Han i Hotit", tha Balluku.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

 Ish konkurrentët e Big Brother VIP3 së shpejti bëhen prindër! Sara publikon barkun e rrumbullakosur, Bardhi e puth

Ish konkurrentët e Big Brother VIP3 së shpejti bëhen prindër! Sara publikon barkun e rrumbullakosur, Bardhi e puth