Patriarku i Moreas,romani që ‘rizgjon’
kryengritjen epike të Himarës 1596

Romani është shkruar në përkujtesë të 400 vjetorit të vdekjes së Athans Rizeasit dhe 420 vjetorit të Kryengritjes epike të Himarës…
 
“Patriarku i Moreas” është romani më ri i shkrimtarit Leka Ndoja. Tema historike e romanit është nxjerrë nga Kryengritja e Himarës 1596-1597, 420 vjet më parë. Është Dita e Shën Lorencit 11 gusht 1596, (sot sipas kalendarit gregorian 15 gusht), kur kishte zbarkuar Armada spanjolle në Himarë nën komandën e Gjeneralit spanjoll Oktavian i ftuar nga Patriarku Athanas I i Patriarkanës së Ohrit, nga gadishulli Mani i Moresë, i mbiquajtur Athanas Moreasi (Morioti). Gjatë gjithë këtij viti dhe më tej në Napoli, Athanasi (Mani 1550 - Napoli 1616) planifikoi çlirimin e Himarës dhe të Ballkanit nga pushtuesi osman, në kohën e sulltanëve Murati III dhe Mehmeti III.  

Në roman Kapedan Nina është personazh kryesor pas Athanasit. Narratori ose metanarratori, mbasi shkruan "jetën e vet" është At Dhimitri, prift Basileas nga Dhrimasa, një psallt i tipizuar i Kishës Lindore që ka oponentin e tij etern Arkimandritin Trandafillo të Janinës. Romani është shkruar në përkujtesë të 400 vjetorit të vdekjes së Athans Rizeasit dhe 420 vjetorit të Kryengritjes epike të Himarës. Për lexuesit e suplementit tonë do të sjellim sot një fragment nga ky roman.

(fragment romani, Pakti Tiranë, 2017, f. 230-240)

Dita e Shën Lorencit.

Ishte nata me meteorë të shkëlqyer që përshkonin qiellin në natën e Shën Lorencit. Morea ndihmonte Admiralin të numëronin yjet në një pirg të ngritur nga Alfonsi në breg të plazhit. Pastaj Von Meisteri dhe Morea i hipën një barke në breg për të kontrolluar galerat e ankoruara. Shpata dhe pistolet e Oktavianit u bekuan në një ceremoni pri­vate nga Patriarku Athanas dhe liturgjia ishte e mbushur me lexime mbi martirizimit e Shën Lorencit dhe aktet e apostujve që i bënin jehonë mëshirës samaritane të Nënmbretit Olivares të Napullit.

Mbarësia e shiut të meteorëve që do të reshnin mbi qiellin e çliruar të Kimerës këtë gusht të vitit 1596 të Tënzot, është dëshmi e veprës së drejtë të Hyut, që Belzebunë e djeg me flakë.

Në haurin ngjitur me kullën e tatëzotit Damian, Kapedan Nina kishte mbajtur të ndrymë prej tre vjetësh gjokun e egër që kishte zënë në malin e Çikës. E ruante dhe e ushqente vetë me elb, tër­shërë dhe me fryte kaktusi, që të ndizej në luftë e të lëshohej si shqiponjë mbi turqit kur të qasej dita.

Tagjinë ia shpinte Barba Nina. Po të shihte dikend t’i afrohej, gjoku tërhuzej me thundrat që i përpiqte mbi paftallet e derës së haurit sa mund të shkyente edhe qentë e mëdhej e të bardhë të Bregmalit. Tani që Papa me Patriarkun Athanas emëruan në Romë, Oktavianin të komandonte ushtrinë e Spanjës, Barba donte t’ia dhuronte atij kafshën e breshtë.

Dalë në oborr, gjoku nuhati aromën e mirrës së Patriarkut, dhe sikur u urtua, por u fut me të katra mes trupave aragoneze duke i ndalur para këmbëve Oktavianit. Ky pa u menduar lëshoi kalin e lodhur nga rruga e atyre ditëve dhe preku me trinën e dorës noçkat e gjokut. Pas pak i kërceu me elegancë në shalën e zezë. Nina i zgjati shpatën dhe arkibugjën dhe gjoku u ngrit shah.
- Qenka kalorës i vërtetë! - mërmëroi Nina duke grahur dorinë e tij rreth pahisë rrethore të oborrit dhe krifat e kafshës e të Gjen­eralit spanjoll u trazuan.
Kuajt e Shtatmadhorisë turfullonin e shqelmonin dheun të pa­përmbajtur në radhën e parë.

Pushtimi i kështjellës së Sopotit
Kështjella e turqve në Sopot, u vendos të ngrihej pas ekspeditës së Vezirit Sinan Pasha në Santi Quaranta kur pushtoi Buthrotin. Fortesa ishte në ndërtim e sipër nga turqit e ngrihej nja 10 milje në lindje të Qiprit mbi një grykë të lumit Efterran në kodër. Në jug të ranishtes qe ngritur një fortesë mbi skelë për të siguruar ankorimin e karamusalieve e fusteve të Sulltanit. Kaluan gjiun e Panermit poshtë Malit të Gjembit. Prinin para
ushtrisë Patriarku me pivalin e kuq e Oktaviani me uniformën portokalli me vija të zeza ndërsa në krye mbante helmetë e vizierë konkuistadori. Ushtria u lëshua teposhtë Malit të Gjembit nëpër shtegun e Kudhësit, për të mos u dalluar nga deti ku feluket e venedikasve kishin nisur të vëzhgonin lëvizjet e ushtrisë.

Ishte e dielë dhe Zoti thosh se mbas festës së Shën Lorencit do të qe ditë paqeje, por për luftëtarët Shën Lorenci qe martir dhe shiu i meteorëve tregonte lotë që kërkonin shpagim.

Lumi Efterran zbriste nga shkëmbinjtë duke krijuar luginën në poshtë Malit të Çifutit: një thellojë e lumit e kish burimin poshtë shpatit me rrëmore, krijuar nga një tërmet që kish gremisur mbi fshatin e vjetër pllaka dhe popla gurësh.
- Ajo Fortesa trekëndore mbi kodër mos është venedike Kapedan? - pyeti Oktaviani Kapedan Ninën.
- Dikur po, por tani e ka halldupi! - foli Nina duke zbritur nga doriu.
Me të mbërritur mbi kalin e zi, Patriarku Athanas me pivalin e kuq të shpaluar u bashkua me dy krerët që po shihnin nga qafa e Gjembit: spahilerë të tmerruar në ikje e rrukullimë.
- A ka mbetur zbarkimi në fshehtësi? - pyeti Oktaviani Kaped­anin i shqetësuar për disa lëvizje jo të rregullta të grupeve të spa­hinjve. Kjo e vuri në mendime Kapedan Ninën, se ikja nga sytë këmbët iu duk si stratagjemë Oktavianit. Hodhi sytë nga Patriarku i cili nën atë petk të purpurt ngjante si Hyu i luftës, u qetësua.
- Ç’të jenë këta që ikin ashtu sikur t’u jetë futur zekthi. Turqit janë luftëtarë të mirë…
- I dëboi ky asht! - foli nga mbrapa Barba Nokia që doli nga gryka e malit përmes shkurreve. Rrihte gunën që ishte njolla njolla nga lëngu i fiqve të detit.

Kalorësit nuk e dinin historinë e turqve me Barba Nokiën. Ata të llahtarisur, kishin marrë malin përpjetë për t’u shpëtuar shpagimit të Allahut.
- Patëm qëlluar mbi një profet, - i thoshte tatari-tatarit duke ikur në rrëmujë nga vendrojet.
- Aty në Bregmal ka dalë një xhind i zi nga sopi i detit, - i tha tatari lajmës, Perri Beut, - ka katër ditë që na i shkriu shigjetat e shpatat. Edhe e shtëna e arkibugjës ëltine na u kthye mbrapsht. Nuk është sevap Perri Bej, ta lësh të vdesë kryespahinë!
Perri Beut i vinin lajme të përçudëshme nga kasnecët. Nga Stambolli Sulltan Mehmeti III e urdhëronte të nisej për të mbrojtur bregun, ndërsa nga Bazadona i vinte lajmi se kishte zbarkuar vetë Madhëria Spanjolle Filipi II me gjithë Armadën e Pathyeshme që ishte fuqia xhehnemit.

Arkimandriti i Janinës i pati dërguar një zamzane me verën e bërë në ishullin Pandalejmon. Kjo e fundit e habiti, se edhe Arki­mandriti Trandafillo do të kishte pasoja nga pushtimi spanjoll.
- Trandafillo i jep pak gojës në meshat kundër papanëve, - i tha defterdarit të Delvinës Perri Beu. Si e rrahu çështjen: ndau në tri nuska tri vendime të ndryshme: të shkonte në luftë, të priste apo të pinte. Për këtë iu drejtua sufiut Papsava që kishte kënduar librin Kitabulal Menamat të Kalifit të ndjerë Amir Mimini. Sufiu Papsa­va i dha të drejtë Arkimandritit.

Kështu që të pinte pa vepruar mund të ndëshkohej nga Meh­meti III, prandaj vendosi të dërgonte komandantin Orlligllu me bashibuzukët.
- Të vendoset qetësia nga kështjella e Cernit deri në Spile, - u dha urdhëri i ditës, - dhe “të shkohen në hu zullumqarët”, pataj nisi të pinte verë drejt nga zamzania e Janinës.
 Espana.

Ndërsa shihte nga burimet e lumit Efterran, Gjenerali Oktavian shtangu nga ajo luginë e çarë si shporimi i Belzebusë që iu hap teposhtë deri në det. Ajo pamje mund të krahasohej vetëm me be­fasinë që i ndillte në Napull Alahonda te bujtina El Kruz.
- Turq a saraçenë, merrni arratinë ose do t’ju shpërhap me dhunë! - foli Oktaviani para skuadronëve të rreshtuar për sulm, duke i ndarë në të dy anët e luginës. Ngriti shpatën e tmerrshme spanjolle. Urdhëri ndaj aragonezëve. - Rrethim në formë patkoi! - pastaj u freskua pak pranë ujëvarës dhe u ul të shkruante një Urdhër. Nina e dërgoi ultimatumin me kasnecin te komandanti i fortesës.
- Turk, jam Gjeneral i Mbretit Filipi II dhe i Nënmbretit Oliva­res: - Dorëzoni çallmat ose kokat, se as peshqit nuk i rrëshqasin luanit espanjoll dhe dragoit të Habsgurgut!

Përgjigjja nga komandanti Orlliglly ishte: Ha gjak.
Mbasi mbaroi të shkruarit Gjenerali pa rrotull. Mullisi pranë ujvarës nisi të bluajë grurin që sollën me vete detarët.
- Gjithë kjo ushtri do të hajë o Sanço, - i tha mullisit Gjomem, kapiteni i prapavijës.
Filluan tam-tamet shurdhuese nga kështjella, më pas në dy pirgjet ndanë portës jugore, u ngritën bajrakët e kuq me hënëz.

Gjenerali urdhëroi sulmin. Mbasi flamuri i Spanjës me kurorë iu afrua mjaftueshëm ledheve, Orlligllui dalloi luanin përballë dragonit gjuhëzjarrtë teuton. Atëherë dha urdhër të qëllonin me top nga kështjella, duke e pranuar sfidën. Kërkonte një provë se ajo çka po shihte po ndodhte njëmend.
- Per San Lorenzio, fuego, - mprehu zërin para skuadronëve Oktaviani.

Spanjollët çmbrehën nga kuajt dy petardët e rëndë dhe i mon­tuan, kapiteni Gultierrez fshikulloi ajrin me shpatë duke përsëritur urdhërin: “fuego”. Gjylet e artilerisë ranë në ledhet e kalasë dhe tymi u duk përpara se të kthehej oshëtima.
- Shih Gjeneral, - tha kapedan Nina, - një shujkë gjysmëhëne u kapërdi me gjithë shtizë.
Oktaviani dhe Nina kaluan rrypinën lidhëse të kështjellës dhe u lëshuan në bedenat jugore. Aty gjetën një të çarë që nxirrte tym. Barba Nokia ia rrëmbeu një spanjolli shujkën me kryq të kuq në fushë të verdhë të Armadës. Një kalorës hyri në portik dhe u rrëzua, pa si fluturoi shujka e tij dhe shtiza e saj u ngul mbi pir­gun e kështjellës. Patriarku Athanas ndezi temjanicën e vinte rro­tull ledheve të kalasë për të dëbuar djallin dhe në dorën e djathtë mbante kryqin e bardhë të fildishtë në dorë. Era e temjanit dhe veladoni i purpur ua rrotulluan sytë kështjellarëve që mbanin gati për zjarr fitilat e topave.

- Espana! - Thirri Gjeneral Oktaviani. - Duke shpaluar shujkën habsburge. Barba Nokia nguli shtizën e shujkës në një pirg, kur pa dy spahinjtë e lidhur shpinë më shpinë në një hu, i zgjidhi dhe nxorri nga xhepat e gunës dy fiq deti që t’i hanin. Turqit u tërhuzën kur u ndeshën sërisht me profetin e dyllit. Ndërsa u kullonte lëngu i frytit të kaktusëve në mjekra u drodhën. Ranë e u gremisën në rrëmore teposhtë përroit, duke u lëshuar me vrap drejt fusteve në bregdet.
- Eviva Emperador! - Thirrën ushtarët aragonezë që depërtu­an bashkë me arbërit në kështjellën e çarë nga predhat. Kapiteni Gultierrez nguli shpatën spanjolle mbi një çallmë dekorative në pyrgun e lartë të kalasë. Me të dëgjuar “Espana” edhe kështjellarët lëshuan turravrap fortesën dhe u lëshuan teposhtë përroit.

Komandanti i kështjellës, kryespahiu Orlligllu me trupat e dëbuar nga kështjella u përpoq të krijonte një pikë mbrojtjeje mbas një guve, ndanë limanit. Vëzhgonte nga kodra derisa të vinte ndon­jë karamusalie turke t’i shpëtonte. Spahinjtë dhe bashibuzukët i prenë shpresat kur panë galeonët spanjollë të patrullonin detin. Lidhën kuajt mbas një ledhi dhe u zhytën me not nëpër ujin e Ef­terranit derisa dolën në grykëderdhjen e tij. Aty ndërmjet barkave të peshkimit, kishin fshehur katër fuste. U ngjitën kush mundi në to, dhe në llapashitjen e rrëmujshme të lopatave u sollën një herë vërdallë gjirit pa gjetur rrugëdalje. Përtej galeonëve spanjollë dalloheshin fustet venedikase. Orlligllu kujtoi se do të sulmohej edhe nga ata, por Proveditori kishte dhënë urdhër që galerat e tij të ngrinin flamurin e bardhë. Tatarë e spahilerë kapicë përmbi fustet, çanë përmes gjiut të Sopotit dhe mes gjëmimit të topave të ga­leonëve lundronin në tym.

Spahiu Orlligllu rrihte fajkat e fustes prijëse me shpatë, se nuk arrinte të kuptonte sesi turqit të qenë tradhëtuar, sa të mos t’i njof­tonte kurrkush në kështjellë për atë zbarkim.
- Kryqtarë hainë! - tha Orlligllui, - Barba Nokia, na para­lajmëroi me trupin e tij të pacënueshëm, por tartarët e Perri Beut nuk ia njohën Zotin e tij, dhe e qëlluan me shpatë e arkibugjë në vend që të iknin vrap e të ngrinin bajrakun e rrezikut.
- Hainë! - përsëritën tartarët nën rrahjet e rrëmujshme të lopa­tave.
- E kuqja ndjell! - tha Orlligllui dhe ia cungoi kryet një tartari. Zemërimi i tij qëlloi së pari mbi një prej atyre që ngritën jataganin mbi Barba Nokiën. Koka e tartarit ra në ujin e zi. Një lëmsh gjaku u tërhoq në thellësi çka tërhoqi një tufë peshkaqenësh të ngrehin një stuhi kuqërreme në horizont.

Brenda në fortesën e Sopotit, Oktaviani, e Kapedan Nina përgë­zonin Barba Nokiën. Një intendent shkarkoi nga mushkat bucelat dhe zamzanet me verë malderase dhe ua mbushi me radhë gavetat kalorësve të cilët i qetësonin duke u hedhur ujë kuajve që dihas­nin nga lodhja. Aragonezë e arbër u lëshuan në pije, disa zbrisnin shtegut buzë përroit deri në det, duke shtënë në ajër. Zhurma e arkibugjave dhe tymi i barotit bëri që patrullat venedikase të afroheshin bregut për të kuptuar ç’po ndodhte. Tek panë flotën e Nënmbretit Olivares me shujkat me kryqat Burgundas në direkë kthyen timonët për në jug.
Nga feluket e shpejta të rojës bregdetare venedikasit kqyrnin sesi afroheshin galeonët dhe një karavellë. Duke u zmadhuar anijet ata pandehën se iu shfaq ndonjë azull.159 Karavella u afrua shumë dhe venedikasit panë se në bash të saj, nga gerbat, shquhej159 Gjysmëhije një Admiral kapur dorë për dorë me një vajzë vendase. Von Meis­teri qendronte në timon dhe Morea që i lutej që të mos ndiqte venedikasit të pajisur me arkibugja e petrierë.

- Po ne kemi top, - i tha të dashurës, Von Meisteri, dhe dha urdhër të qëllonin gjysëm milje përpara felukeve. Kjo i bëri vene­dikasit të kthenin në kiç lopatën e drejtimit nga Korfui dhe të lar­goheshin flukurim.160
Këputja e kokës së mjekërkuqit nga Orlligllui, i tmerroi spahin­jtë. Ata mbi tri fustet e tjera i zu gjaku dhe kthyen bashet në jug drejt Santi Quarantës. Një e shtënë topi shungulloi nga karavella e Von Meisterit, fustja e Orlligllusë pas tyre u përmbys. Morea nga palnuta e pilotimit ngrinte një shami në erë për çdo goditje në shenjë. Von Meisteri i foli nostromit të mbante timonin fort se nga qitjet karavella zhvendosej pak dhe dalngadalë po i afrohej shkëmbinjve. U ngjit përmbi kasetën me gjyle hekuri dhe i përg­jigjej Moreas me shujkën e Armadës së Pathyeshme të Filipit II. Dhe ajo flurimë ia rimbushte me barut folenë e topit.

Mbas pirgut të kështjellës me tri kënde, Oktaviani me një pasqyrë po shikonte gjiun ku zhvillohej beteja dhe ia kaloi Ninës. Kapedani që i rrinte pranë njohu mes tymit flokët e dredhura të së motrës, pastaj dëgjoi ushtimën e topit. Pa sesi u zhyt fustja turke dhe Admiralin Von Meister me flokët e verdhë të përqafohej nga e dashura.
- Eh More, - foli Kapedani dhe ia ktheu pasqyrën Gjeneralit Oktavian që gëzonte fitoren me verën malderase.
- Robi yt Von Meister, dhe hirushja More! Po i shoh! Djali ka gjak gjerman si Mbreti Filipi II, Kapedan. Austriakët janë seriozë! - kumtoi Gjenerali.
- Nuk e mohoj, e mbajtëm nja shtatë - tetë muaj rob, Gjeneral. Motra mbase... disi e do.
- Ai është guerrier, po zemra i mbeti në Albani! Të gëzojmë Kapedan, dasmën do ta bëjmë në Vienë! - dhe trokitën gotat.
 
160 Me shpejtësi.
pirgun e kështjellës. Të gjithë ushtarët aragonezë rrëkllyen gotat e aluminta. Patriarku kishte marrë pasqyrën e harkuar dhe ndiqte kundruall kështjellarët turq. Ata ngjisnin Malin e Çifutit përmes shkurreve e pishave në të djathtë të lumit Efterran. Nëse shpëtonin gjallë rruga andej do t’i nxirrte pas kodrinave të gjelbra në Sanx­hakun e Delvinës.
- Zbarkoi edhe një kryqëzatë në Kimerë! - i thanë Perri Beut me të mbërritur në kalanë e Delvinës askerët.
- Kryqtarët kanë humbur yjet, - foli rëndë Sanxhakbeu, - nuk e kanë për herë të parë! Jerushalami nuk është në Bregmal as në Efteran..

Këshilli i të Dhjetëve të nesërmen i dërgoi një urdhër Prove­ditorit Grimani, të bëhej një bllok naval në Korfu, ndërsa rojet e kështjellës në Buthrot: të tërhiqeshin.
Shujkat spanjolle me shqiponjën dhe dragoin gjermanik, dhe ato të Armadës me kryqin e kuq Burgundas, tundeshin mbi dy kullat hyrëse në fortesën e Sopotit.
Duke ndjekur fustet turke karavella e Von Meisterit iu drejtua gjirit të Santi Quarantas. Turqit mbetën në mëdyshje mes dall­gëve, kur panë mbi pajollin e karavellës një vajzë. Por mbas tyre u afrua edhe galeoni Admiral Filipi II, që po ndiqte fustet venedike, nga u dëgjua një gjëmim i mbytur. Muret e kështjellës së Korfusë u drodhën.

Bajli Bazadona i priti me shqetësim të shtënat e rënda.
- Spanjolët zbarkuan në Bregmal bashkë me një prift me ve­ladon të kuq! - raportoi komandanti i felukave patrulluese, duke iu marrë fryma pas asaj ndjekjeje të galeonit Admiral.
Patriarku Athanas në fortesën e zaptuar, shtrëngonte psalltirin me kapak të larzuar stolisur me rubinë e safirë ovalë:
- Lutu, At Dhimitri, shpata e Jezusit është me ne!
- Edhe shpata e “Espanës”! - shtoi Gjenerali Oktavian që po i lëkundeshin këmbët. U fut në kthinën e komandantit për të push­uar. Mbi një tryezë gjeti një tog hartash të porteve të Europës me shenja gjysmëhëne. Dha urdhër të coptoheshin me shpatë.
 
Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen